/Udhëzime shpirtërore për të rinj – Lumturia – Çfarë është lumturia? Përgatiti Katekistja znj. Urania Mandro

Udhëzime shpirtërore për të rinj – Lumturia – Çfarë është lumturia? Përgatiti Katekistja znj. Urania Mandro

Udhëzime shpirtërore për të rinj

 Lumturia

 Çfarë është lumturia?

Si një përkufizim i përgjithshëm mbi lumturinë mund të shprehet ky: “Lumturia është një ndjenjë ose gjendje kënaqësie dhe gëzimi të madh, që përjetohet nga njeriu”. Njeriu që nga krijimi i tij kërkon këtë gjendje mirëqenieje. Lumturia është ajo tërësi ndjenjash e emocionesh të trupit dhe mendjes që krijojnë mirëqenie dhe gëzim në një çast pak a shumë të gjatë në jetën tonë. Lumturia është gjithashtu një diçka që e dëshirojmë për çdo herë. Shtrohet pyetja tani: “Ku ta kërkojmë lumturinë”? Asgjë nuk është më e madhe se zemra e pastër, pasi një zemër e tillë bëhet fron i Perëndisë. Dhe çfarë është më e lavdishme se froni i Perëndisë? Sigurisht asgjë! Thotë Perëndia: “Se do të banoj në mes tyre, dhe do të eci; dhe do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im” (2 Kor 6:16). Cilët pra janë më të lumtur se këta njerëz? Dhe cila e mirë u privohet? A nuk ndodhen të gjitha dhuratat e Shpirit të Shenjtë në shpirtrat e tyre të lumtur? Çfarë u nevojitet më tepër? Asgjë; në të vërtetë asgjë! Sespe kanë në zemrat e tyre të mirën më të madhe: Perëndinë! Sa shumë mashtrohen njerëzit që kërkojnë lumturinë largë vetes së tyre, në shtetet e huaja dhe në udhëtimet, në pasurinë dhe lavdinë, në pasuritë e mëdha dhe dëfrimet, në kënaqësitë, llukset dhe kotësitë, që si rezultat kanë vetëm hidhërimin! Ndërtimi i kullës së gëzimit jashtë zemrës sonë, ngjan me ndërtimin e një shtëpie në vend që goditet shpesh nga tërmeti. Shumë shpejtë një shtëpi e tillë do të rrëzohet përdhe… Të nderuar dëgjues, lumturia ndodhet vetëm te Perëndia, dhe lum njeriu që e ka kuptuar këtë. Shikojeni zemrën tuaj dhe vini re gjendjen tuaj shpirtërore. Mos vallë ka humbur komunikimin me Perëndinë? Mos ndërgjegja juaj po ankohet për shkeljen e porosive të Tij? Mos vallë po ju akuzon për padrejtësi, gënjeshtra, për neglizhencën e detyrimeve tona drejt Perëndisë dhe të afërmit? Shqyrtojeni dhe shikoni mos ligësitë dhe pasionet mbushën zemrën tuaj, mos ajo rrëshqiti nëpër rrugë të shtrëmbëra dhe të pakalueshme… Fatkeqsisht, ai që la pas dore zemrën e tij, u privua nga të gjitha të mirat dhe ra në shumë të këqia. E përzuri dhe e largoi nga vetja gëzimin dhe u mbush me hidhërim, trishtim dhe mërzitje. E largoi nga vetja paqen dhe tërhoqi mbi vete ankthin, turbullimin dhe frikën. Largoi nga vetja të gjitha virtytet dhe dhuratat e Shpirtit të Shenjtë që mori në misterin e Pagëzimit dhe vendin e tyre e zuri urrejtja dhe ligësia, të cilat e bëjnë njeriun të ndyrë dhe të pështirë. Vëllezër dhe motra! Perëndia i Shumëmëshirshëm dëshiron gëzimin dhe lumturinë e të gjithëve ne si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën e përjetshme. Ndaj dhe themeloi Kishën e Tij të Shenjtë. Që të na pastrojë nga mëkati, të na shenjtërojë, të na pajtojë me veten e Tij dhe të na falë bekimet e shumta qiellore. “Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, edhe unë do t’ju preh ju. 29 Ngrini zgjedhën time mbi veten tuaj, edhe mësoni prej meje, se jam i butë dhe i përulur në zemër. Edhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë, edhe barra ime është e lehtë” (Mt. 11:28-29). Pra Zoti na fton pranë Tij për të gjetur lumturinë shpirtërore, paqen dhe plotësinë që kaq shumë dëshirojmë. Lumturia nuk gjendet as brenda nesh as jashtë nesh, ajo gjendet tek Perëndia. Lumturia fshihet tek marrëdhënia jonë me Krishtin Perëndinë tone. Ai I cili ka Perëndinë, e gjen lumturinë si brenda tij, ashtu edhe jashtë tij. E gjen atë gjithandej dhe në gjithçka. Kisha ka hapur krahët për të na pritur. Le të rendim drejt saj të gjithë sa jemi të plagosur dhe kemi ndërgjegje të rënduar. Le të vrapojmë dhe Kisha është gati të presë rëndesën tonë, të na japë guxim për të qëndruar përpara Perëndisë, të na e mbushë zemrën tonë me gëzim dhe lumturi…Amin!