/Udhëzime Shpirtërore për të rinj – I Krishteri në shtëpi – Katekiste e Zyrës së Katekizmit znj. Urania Mandro

Udhëzime Shpirtërore për të rinj – I Krishteri në shtëpi – Katekiste e Zyrës së Katekizmit znj. Urania Mandro

Udhëzime Shpirtërore për të rinj

I Krishteri në shtëpi

          Po të hapësh televizionin dhe të ndjekësh emisionet, të dëgjosh lajmet, të lexosh gazetat ose të lundrosh në internet e në rrjetet sociale, tema kryesore e këtyre ditëve është “Koronavirusi”.

Secili prej nesh është i tejmbushur me informacione dhe i mërzitur nga udhëzimet që jepen gjatë gjithë kohës me thirrjen: “Qëndro në shtëpi. La duart. Mos tako njeri. Mos dil” dhe së fundmi, “mos shko në kishë, mos u kungo”. Dhe të gjitha këto nuk janë këshilla ose rekomandime. Janë urdhra të qeverisë, të cilat në rast se nuk zbatohen, do të kenë pasojat përkatëse. E gjitha kjo ndodh për të vetmen arsye që të gjithë e dimë: për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe për përballimin e numrit të pacientëve nga ana e sistemit shëndetësor.

Nuk do të bëj aspak një analizë shkencore mbi këtë çështje, pasi nuk jam kompetente për ta bërë këtë gjë. Ajo për të cilën dëshiroj të flas, është pikërisht çështja e ndalimit me urdhër qeverie të të gjitha aktiviteteve kishtare, shërbesave të shenjta dhe Liturgjive Hyjnore.

Nuk mund të fsheh inatin ose zemërimin që ndieva fillimisht për këtë vendim të marrë. “Si mund të mbyllen kishat? Si mund të ketë frikë dikush nga kisha? Si mund të mendojë dikush që me anë të Kungatës mund të transmetohet një sëmundje?” Pasi lexova me shumë vëmendje dhe u informova mbi vendimet e Sinodit tonë të Shenjtë por edhe mbi qëndrimet e Mitropolitëve në mbarë botën, u kthjellova.

Asnjë Kishë Orthodhokse në botë nuk dëshiroi mbylljen e kishave e as ndërprerjen e shërbesave të shenjta, por situata e krijuar në mbarë botën, për shkak të armikut të padukshëm, nuk u morr shumë seriozisht nga shtetet dhe ne të gjithë sot, pa asnjë përjashtim, po vuajmë pasojat. Ndaj dhe ndalimi i përkohshëm i adhurimit në kishë, u pa si nevojë emergjente, gjë të cilën miratuan edhe Sinodet e Shenjta.

Shumë besimtarë po reagojnë ashpër. Fajësojnë priftërinjtë, episkopët ose Kishën duke iu referuar rregullave të Kishës, duke cituar Etërit dhe kanonet. Ndihen të prekur dhe gjithashtu u duket sikur besimi i tyre po cënohet. Nuk i hedh poshtë këto, aspak, por çdo gjë duhet parë nën prizmën e dashurisë; dashurisë për njerëzit.

Në mesazhin e tij mbi këtë çështje, Tërëshenjtëria e tij, Patriarku Ekumenik, Bartholomeu, thotë: “Ndoshta disa prej jush, me anë të këtyre masave drastike, keni ndierë që besimi juaj nënvlerësohet ose cënohet. Por ajo çka është në rrezik nuk është besimi, por besimtarët, nuk është Krishti, por të Krishterët tanë, nuk është Perëndinjeriu, por ne njerëzit”.

Asnjë Kishë nuk mohoi fuqinë shenjtëruese të Kungatës as pastërtinë e saj, por largimi i përkohshëm nga kungata, është diçka që Zoti e lejoi të ndodhte dhe është një kanon i përbashkët për të gjithë ortodoksët në mbarë botën, i miratuar dhe i lejuar nga Ati ynë i Dashur, me anë të pasardhësve të tij, episkopëve.

Nuk pranojmë ose nuk po themi që lutja në shtëpi është e njëjta me lutjen dhe adhurimin në kishë, i cili është i themeluar nga vet Zoti Krisht, por duke patur parasysh situatën, pohojmë se, për momentin, kjo është zgjidhja më e mirë. Fundja, aty ku janë dy a tre vetë të mbledhur në emrin tim, tha Zoti, aty jam edhe unë mes tyre. Kjo do të thotë se Zoti, Perëndia ynë, është i kudopranishëm.

Kisha, si godinë, nuk ekziston për t’i shërbyer nevojave të Perëndisë për adhurim në një vend të caktuar, sepse Perëndia është pa caqe e pa kufij. Kisha si godinë i shërben nevojave të njeriut, i cili si qenie e kufizuar psikosomatike, pra shpirt edhe materie, ka nevojë për gjëra të prekshme dhe në thonjëza të kufizuara. Dhe kjo kishë, sigurisht, nuk është një godinë e thjeshtë, por ajo pëson metamorfozë, dhe me anë të lipsaneve të shenjta të dëshmorëve dhe shenjtorëve të tjerë, me anë të ikonave, me anë të lutjeve të klerit dhe popullit, të cilët i bëjnë thirrje Perëndisë dhe Ai i hijeson me prezencën e tij të ndjeshme dhe mbi të gjitha, me anë të kryerjes së Falënderimit Hyjnor, kjo godinë shenjtërohet dhe kthehet në kishë, transformohet në një shtëpi të Perëndisë, ku ata që shkojnë atje me besim, e gjejnë me siguri Perëndinë.

Ajo që Kisha na thërret të bëjmë në këtë rast, është të bëjmë shtëpinë tonë kishë. Me anë të lutjeve tona, me anë të dashurisë për të afërmit, me anë të bindjes ndaj vullnetit të Perëndisë dhe krerëve tanë, me anë të zbatimit të porosive të Zotit, le të transformojmë shtëpinë tonë në një kishë të vogël. Dashuria dhe sakrifica për të afërmit është mbi të gjitha. Falënderimi Hyjnor, është mishërimi i kësaj dashurie. Dhe ç’vlerë ka nëse ne do të kungoheshim pa u kujdesur për bashkënjeriun, për të afërmit tanë, për prindrit dhe gjyshrit tanë, që janë grupet më vulnerabël në këtë luftë.

Kjo kohë, e ndalimit të përgjithshmëm nga kishërimi dhe kungata, le të jetë kohë meditimi. Secili prej nesh, le ta shfrytëzojë për të vlerësuar të gjitha ato gjërat që shijonim pak kohë më parë dhe i konsideronim të mirëqena. Ja që nuk duhet të konsiderohen si të tilla. Njeriu duhet të luftojë për të fituar çdo gjë. Kjo është mundësia më e mirë që njeriu t’i bëje një rinisje, një fillim të ri të mbarë jetës së tij personale, shoqërore dhe shpirtërore. Le të shrytëzohet si kohë pendimi për mëkatet tona dhe si kohë rivlerësimi të çdo gjëje.

Perëndia lejoi që kjo luftë të ndodhte pikërisht gjatë Kreshmës së Madhe, periudha, ku ne të krishterët orthodhoksë jemi të thirrur të shtojmë përpjekjen tonë shpirtërore dhe trupore, për kultivimin e virtyteve, për të qenë sa më të përgatitur për Pashkën e Madhe. Kjo periudhë vetizolimi, le të shërbejë për të vlerësuar dhuratën e madhe që na ka bërë Perëndia, Kungatën Hyjnore. Gjithmonë gjërat i vlerësojmë më shumë e më mirë kur i humbasim ato ose kur privohemi prej tyre, sesa kur i kemi gati dhe në dispozicion. Kështu le të ndodhë edhe me Kungatën. A e kemi kuptuar vërtet dhuratën e madhe që na ka bërë Zoti?

Kryepiskopi Anastas na këshillon që gjatë këtyre ditëve që po qëndrimojmë brenda në shtëpi, të mos na pushtojë nervozizmi dhe grindjet, por të kultivojmë kreativitetin, predispozitën paqësore, mirësinë dhe dashurinë, sepse është detyra jonë, si të krishterë, të shmangim panikun, depresionin dhe dëshpërim. Nga ne kërkohet gjakftohtësi, kthjelltësi, vëmendje dhe bindje e shtuar ndaj udhëzimeve të qeverisë.

Lutja e nxehtë dhe jetët e shenjtorëve, të cilët kaluan momente shumë më të vështira se ne, le të shoqërojnë qëndrimin tonë në shtëpi dhe me shpresë te Zoti, kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe sa më paqësisht.

Forca! Perëndia nuk do të na braktisë!