/Udhëzime shpirtërore për të rinj – “Frytet e Shpirtit të Shenjtë” – Urania Mandro, Katekiste pranë KOASH

Udhëzime shpirtërore për të rinj – “Frytet e Shpirtit të Shenjtë” – Urania Mandro, Katekiste pranë KOASH

Pas Pagëzimit tonë në emër të Trinisë së Shenjtë në Kishën tonë Ortodokse, menjëherë na u bë nga dora e priftit misteri i Mirosjes (Krezmimit) të Shenjtë, i cili na tha: “Vulë, dhuratë e Shpirtit të Shenjtë”. Marrja e Shpirit të Shenjtë përmes Mirosjes së shenjtë plotëson dhe përsos të sapopagëzuarin dhe e klasifikon atë si një anëtar të vërtetë të trupit të Krishtit. Nëse Shpirti i Shenjtë banon në zemrën e besimtarit, është diçka që bëhet e qartë nga frytet që jep “besimtarit” nën Shpirtin e Shenjtë.

Në letrën e tij drejtuar Galatianëve, Apostull Pavli na thotë: “Por fryti i Frymës është dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, ëmbëlsia, mirësia, besimi, butësia, vetëpërmbajtja”. Fryti i Shpirtit të Shenjtë, pra, është rezultat i pranisë së Frymës së Shenjtë në jetën e të krishterit. Shkrimi i Shenjtë e bën të qartë se të gjithë marrin Shpirtin e Shenjtë kur besojnn në Jisu Krishtin. Një nga qëllimet kryesore të Shpirti të Shenjtë kur hyn në jetën e një të krishteri, është ta ndryshojë atë jetë. Është punë e Shpirit të Shenjtë të na konformojë ikonën e Krishtit, duke na bërë më shumë si Ai.

Frytet e Shpirtit të Shenjtë janë komplet e kundërta e fryteve që jep mëkati. “Edhe veprat e mishit janë të dukshme, të cilat janë kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurrja, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, zilitë, zemëratat, zënkat, mosmarrëveshjet, herezitë, smirat, vrasjet, dehjet, plangprishjet dhe të ngjashmet me këto, për të cilat ju parathem, siç edhe jua parathashë, se ata që bëjnë të tilla, s’kanë për të trashëguar mbretëri Perëndie”.  

Ky pasazh përshkruan të gjithë ata njerëz, të shkallëve të ndryshme, të cilët nuk e njohin Krishtin dhe prandaj nuk janë nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Mishi ynë mëkatar sjell disa lloje frytesh që pasqyrojnë natyrën tonë, dhe Fryma e Shenjtë sjell lloje të frytëve që pasqyrojnë natyrën e Tij.

Por le të bëjmë një analyze të shkurtër të fryteve të Shpirit të Shenjtë.

Dashuria

Koncepti i dashurisë është i pakonceptueshëm. Mendja njerëzore nuk koncepton dot  madhështinë e dashurisë së Krishtit tonë. Krishti erdhi të na mësojë madhështinë e saj me anë të jetës së Tij, me anë të sakrificës së Tij në kryq. Një sakrificë me të cilën ai mundi vdekjen për hatrin tonë dhe na dha shpresë dhe besim për ngjalljen e shpirtrave dhe trupave. Me mishërimin e Tij, Ai na përgatiti për Ardhjen e Tij të Dytë në tokë, që ndoshta do të jetë akti i Tij i fundit i dashurisë për njerëzimin.

Zoti ka ardhur për të tronditur ujërat dhe të na zgjojë. Ai erdhi me dashurinë e Tij për të na shpenguar dhe për të na treguar rrugën drejt shpëtimit. Në fakt, nëse do e kishim përjetuar nga afër martirizimin e Tij të tmerrshëm, do të përjetonim edhe dashurinë e Tij të pamasë. U godit, u fye dhe përfundimisht u kryqëzua për ne. Do të shihnim se sa na mungon dashuria dhe se Zoti është personifikimi i dashurisë. “Zoti eshte dashuri.” Shumë herë Zoti foli për dashurinë dhe turmat ishin magjepsur nga fjalët e tij. Në kundërshtim me ligjet e botës, Ai tha “Duajeni njëri-tjetrin”, “Duajeni të afërmin porsi veten tuaj”, “Duajini edhe armiqtë tuaj”, fjalë të padëgjuara deri atëherë.

Gëzimi

Lumturia është në thelb një dhuratë hyjnore dhe ajo gjendet te burimi i jetës dhe I çdo të mirë, i cili është vetë Zoti. Burim historik i gëzimit të krishterë është i gjithë misteri i ekonomisë së mishëruar të Zotit për shpëtimin tonë, por veçanërisht ngjarja e Ngjalljes së Krishtit. Nuk është rastësi që shkrimet e shenjta, të cilat flasin për mesazhin e gëzueshëm të ardhjes së Krishtit në botë, u quajtën “ungjij” (lajm i mire), dhe as nuk është rastësi që fjala gëzim përmendet 150 herë në Dhjatën e re dhe folja “Gëzohu” 65 herë.

Gëzimi i besimtarit është ai gëzim i vazhdueshëm shpirtëror, një model të së cilit na paraqet Dhjata e Re, kur i referohet Joan Pararendësit: “Miku i dhëndërit, ai që rri e dëgjon atë, gëzohet me ngazëllim të madh për zërin e dhëndërit” (Joani 3:29). Cili njeri modern do të dëgjonte Joanin duke thënë: “Pra, ky gëzimi im u përmbush. Ai duhet të shtohet, e unë të pakësohem” dhe nuk do ta konsideronte atë sit ë marrë? Apostulli Petro na vendos në një pozitë më të favorshme se ajo e Pararendësit, sepse ne besojmë në Krishtin pa e parë atë dhe ai na siguron se për besimin tonë do të përjetojmë gëzim, i cili nuk mund të përshkruhet nga goja e njeriut: “Ndonëse tani nuk e shihni, besoni dhe ngazëlloheni me gëzim të parrëfyeshëm e të lavdërueshëm” (1 Pjetrit 1:8).

Paqja

Përkundër dëshirës së njeriut për të jetuar në paqe dhe megjithë përpjekjet e tij të mira për ta arritur atë, dëshira për paqe do të mbetet gjithmonë e paarritshme, për sa njeriu rend për ta gjetur atë larg burimit të saj. Dhe burimi i paqes së vërtetë është Perëndia Triadik.

Në Shkrimin e Shenjtë Perëndia përshkruhet si Perëndi i paqes (Rom. 10:33), por edhe si princ i paqes (Isaia 6: 6,  paqe e cila nuk do të ketë kufij. Sipas Psalmistit,  si vend i paqes konsiderohet gjithmonë Zoti. Kur kthehemi te Perëndia, gjithçka qetësohet, ndërsa kur i shmangemi Atij, gjithçka tronditet. Shën Grigor Teologu shkruan se e mira e paqes vjen nga Trinia e Shenjtë, tipari i së cilës është të qenit në paqe. Por Jisu Krishti u quajt gjithashtu “Zot i paqes” (2 Selanikasve 3:16).

Njeriu u krijua nga Zoti i paqes me një natyrë paqësore. Dhe marrëdhënia e tij me Krijuesin e Tij në parajsë ishte plotësisht paqësore. Por që nga momenti kur njeriu ngriti flamurin e rebelimit kundër Perëndisë dhe kundërshtoi vullnetin e Tij të shenjtë, kjo marrëdhënie dashurie me Të u trondit dhe paqja u largua nga zemra e njeriut. Krishti rikuperoi dhe i ktheu paqen zemrës së trazuar të njeriut. Ai, “paqja jonë”, erdhi në tokë dhe u ngjit në kryq përne dhe na bashkoi përsëri me Perëndimë.

Në këtë mënyrë, në personin e Krishtit Perëndinjeri, njeriu gjen përsëri mundësinë e lidhjes së tij me Krijuesin. Burimi i paqes, Zoti, po vjen tani dhe do t’u japë paqe njerëzve, paqen e Tij. “Paqe po ju lë, paqen time po ju jap juve; jo siç e jep bota jua jap juve. Le të mos trazohet zemra juaj, as të mos frikësohet” (Joani 7:27). Nëse kryerja e mëkatit sjell armiqësi me Perëndinë dhe largon paqen, rivendosja e komunikimit hyjnor në Krishtin mund të arrihet përmes luftës. Sepse paqja me Zotin do të thotë domosdoshmërisht luftë me djallin dhe paqja me djallin do të thotë luftë me Zotin. Ne jemi në këtë jetë të përkohshme për të hyrë në një luftë “të mirë” në mënyrë që të përfundojmë një paqe “të keqe”.

Zemërgjerësia

Zemërgjerësia nënkupton këtë virtyt që zbukuron atë që fal, tregon mëshirë dhe keqardhje për të tjerët. Konceptualisht, ai identifikohet me të mëshirshmit, empatikun, atë që nuk irritohet, por justifikon gjithçka. Zemërgjeri i parë është vetë Zoti, pasi zemërgjerësia e Tij është një cilësi njohëse e Tij. “Zoti është i dhembshur dhepërdëllyes, zemërgjerë e mëshirëplotë; nuk zemërohet përgjithmonë, as mban mëri përjetë” (Psalmi 102: 8). Të gjitha ngjarjet e jetës tokësore të Perëndinjeriut, që nga Lindja e Tij deri tek Kryqi, Vdekja dhe Ngjallja, nuk dëshmojnë asgjë tjetër, përveç ze,ërgjerësisë së Jisusit ndaj ne mëkatarëve. Jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse Zoti “do që të shpëtojnë gjithë njerëzit, edhe të vijnë në njohjen e së vërtetës” (1Tim. 2:4).

Çfarë tjetër mund të thërrasë Kisha nëpërmjet psaltëve në fund të çdo pasazhi ungjillor në mbrëmjen e së enjtes,  përveç se “Lavdi  zemërgjerësisë sate, o Zot”. Zoti, të nderuar dëgjues, është i ngadaltë në zëmërim dhe i shpejtë për të mëshiruar krijsën e Tij, vëren Gojarti i hirshëm dhe sqaron: “Kur Zoti tregon mëshirë për mëkatarët, Ai do të arrijë dy gjëra: së pari u jep atyre kohë të pendohen dhe të shpëtohen dhe së dyti siguron bekimin e Tij për ata dhe pasardhësit e tyre, që do të jetojnë në viyrtyt. Perëndia dëshiron që mëkatari të pendohet që ai dhe pasardhësit e tij të mos humbasin shpëtimin e tyre (Mbi Pendimin, Fjalimi 7). Duke iu referuar pasojave të kësaj zemërgjerësie të Perëndisë, i njëjti Atë i Kishës thotë: “Zemërgjerësia e ktheu persekutorin Pavël në predikues, ujkun në një bari, doganierin në një ungjillor; ai kishte mëshirë për ne të gjithë, na ndryshoi të gjithë”.

Ëmbëlsia

I ëmbël, sipas kontekstit kristianobiblik, do të thotë njeriu i mirë, i butë, i urtë, dashamirës, ​​bërës i veprave të mira përkundër mosmirënjohjes që mund të shfaqet. Pra, “Unë përdor” do të thotë që sillem si “përdorues”, domethënë jam i mirë, i butë, i butë, dashamirës edhe nëse më duhet të ballafaqohem me mosmirënjohje. Apostulli Pali e shpjegon ëmbëlsinë me shembullin e një nëne që ushqen fëmijët e saj (1 Thesalonikasve 2:7), ndërsa Ungjilli i Mateut (10:16) flet për njerëz që janë “ të pastër si pëllumbat “. Ëmbëlsia është zemërgjerësia por me një element shërues. Është cilësi që na bën të shkëlqyeshëm në sytë e Zotit.

Mirësia

Mirësia e Perëndisë, si një dimension themelor i dashurisë së Tij dhe si kujdesi i Tij i vërtetë për ata që ai do, shihet në mënyra të ndryshme, gjatë gjithë krijimit, duke na prekur shumë më tepër ata ne që krijuam sipas ikonës së Tij.

Që nga krijimi i botës e deri te kryqëzimi dhe Ngjallja e Zotit tonë Jizu Krisht, dhe krijimi i Kishës sonë në Pentikosti me shfaqjen e Shpirtit të Shenjtë dhe deri në fund të jetës, mirësia e Perëndisë është e pandërprerë, e pranishme në jetën tonë dhe shtrihet pa dallim për të gjithë njerëzit pasi Ai “bën diellin e Tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, edhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të padrejtë” (Mattheu 5:45).

Besimi

Besim është fetarizmi i mbjellë te njeriu që në krijimin etij, vetëdija e tij për dobësinë dhe nevojën e tij për mbrojtje të vazhdueshme nga Zoti i Plotfuqishëm. Sipas Apostullit Pavël, në letrën e tij drejtuar Hebrenjve: “Besimi është të qenurit e gjërave që shpresohen, dëftimi i punëve që nuk shihen”. Domethënë, besimi është bindja se gjërat që shpresojmë për në jetën e ardhshme ekzistojnë, edhe pse shqisat tona nuk i kapin as i kuptojnë.

Nevoja për besim dhe rëndësia e tij në jetën e besimtarëve pohohet edhe nga fjalët e Shën Joan Gojartit: “Burimi i të mirave është besimi, besimi gjithmonë ndriçon, gjithmonë shenjtëron”. Besimi është themeli mbi të cilin bazohen të gjitha virtytet e krishtera. Pa këtë jeta jonë shpirtërore mbetet meteorike.

Butësia

Butësia është një virtyt i madh, për vet faktin që Zoti ynë na e paraqet Veten si një shembull dhe thotë: “Mësoni nga unë se jam i butë dhe i përulur në zemër” (Mattheu 11:29) dhe për të treguar se çfarë shpërblimi do të marrin ata që e përjetojnë këtë virtyt, thotë “Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dheun” (Mattheu 5:5).

Po kush janë të butët?

Janë ata që janë të qetë dhe paqësorë, që janë mirëkuptues në të gjitha marrëdhëniet e tyre me njerëzit e tjerë. Janë ata që nuk janë të pushtuar nga zemërimi apo dëshira për hakmarrje. Janë ata, jeta e të cilëve dallohet për virtytet e saj, por kryesisht në rastet kur shahen, përçmohen, fyhen, padrejtësohen. Në këto raste, ata nuk lëshojnë të bërrtitura ose fyerje ndaj të tjerëve. Dhe ndonjëherë me heshtje, ose herë të tjera me përgjigje me fjalë të buta dhe qetësuese, hedhin ujë dhe jo vaj në zjarrin që u ndez nga zemërimi ose padrejtësia e tjetrit.

Vetëpërmbajtja

Një nga virtytet më të rëndësishme që një i krishterë duhet të ketë dhe të kultivojë në jetën e tij është vetëpërmbajtja. Vetëpërmbajtje do të thotë të jemi në gjendje të kontrollojmë vetveten dhe dëshirat tona, të mos pushtohemi nga pasione të tilla si adhurimi i mishit, lakmia, xhelozia, zemërimi, smira e të tjera si këto.

Kemi vetëpërmbajtjen shqisore, domethënë largimin nga të gjitha ato vepra që kryejmë nëpërmjet trupit, dhe kemi dhe vetëpërmbajtjen shpirtërore, e cila lidhet me largimin e mendjes nga epshet që shkaktojnë mendimet.

Jeta e krishterë, të dashur dëgjues, është një betejë e mishit mëkatar kundër natyrës së re të dhënë nga Krishti. Si qenie njerëzore të rëna, jetojmë brenda një trup që dëshiron gjëra mëkatare. Si të krishterë, trupi ynë është tempull i Shpirtin të Shenjtë, dhe me anën e Tij ne kontrollojmë veprimet e natyrës mëkatare. Shpirti i Shenjtë që na ndriçon dhe udhëheq jetën tonë. Amin.