Udhëzime shpirtërore për të rinj
Dhimbja në jetën e njeriut
Tradita orthodhokse Lindore është përshtatur me praninë e dhimbjes në jetën tonë. Ajo e di që njeriu është një ekzistencë që ka etje dhe uri, vuan dhe mundohet, ndan gëzime dhe hidhërime, kënaqësi dhe dhimbje. Njeriu mbart dhimbje dhe lind me dhimbje. Tingulli i parë i jetës së porsalindur është qarja dhe ai vazhdon jetën e tij tokësore me dhimbje dhe uri, të qeshura dhe të qara. E gjithë jeta jonë kalon kështu, për të përfunduar me sëmundje, pleqëri dhe vdekje.
Gëzimi dhe trishtimi janë si frymëmarrja. Shpesh herë të rinjtë mendojnë se jeta do të jetë e lehtë dhe ata mendojnë vetëm për anën pozitive të jetës. Kjo është edhe legjitime, ashtu edhe e drejtë, sepse në jetën e tij i riu duhet të shikojë të ardhmen me optimizëm. Por për shkak se jeta rezervon dhe aspektet e saj të pakëndshme, duhet të jetë i përgatitur të përballojë saktë situatat e dështimit, dhimbjes dhe sëmundjes, dhe në përgjithësi çdo gjë që helmon jetën.
Dostoevsky e thoshte këtë të vërtetë me shprehjen “Unë vuaj, pra jam”. Filozofi më i madh bashkëkohor ortodoks rus, Nikolai Berdyayev, theksoi këtë gjë: “Kam dhimbje, pra unë ekzistoj”, dhe theksoi kundërshtimin ndaj filozofisë perëndimore, e cila me gojën e filozofit Rene Descartes, shprehej kështu: “Unë mendoj, pra jam”.
Një Atë i madh i Kishës, Maksim Omologjeti (580-662) theksoi se jeta njerëzore përbëhet nga kënaqësi dhe vuajtje: “Kurrë nuk mund të ketë kënaqësi pa dhimbje”, duke mësuar kështu një të vërtetë tjëtër të realitetit të ashpër në jetën tonë, domethënë, dhimbja dhe gëzimi janë gjithmonë bashkë. Ky është një koncept i njohur dhe i përdorur në Kishën tonë. Koncepti “Kryqngjallësor”: diçka që është një Kryq dhe një Ngjallje së bashku. Në këtë pikë vlen të shihet se si Kisha na nxit t’i përballojmë këto situata, siç na tregohet brenda Shkrimit të Shenjtë:
“Me fuqinë e Perëndisë ruhemi me anë të besimit, për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar në kohët e fundit. Për këtë gëzohuni, ndonëse tani pakëz, po në u dashtë, hidhërohuni në çdo lloj ngasjesh, që provimi i besimit tuaj që është shumë më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me anë zjarri, të gjendet për lëvdim dhe për nder e lavdi, kur të zbulohet Jisu Krishti” (1 Pet. 1:5-7).
Në këtë mënyrë, promovohet shpresa në vend të dëshpërimit, dhe propozohet një qëndrim jete i quajtur “realitet tragjik”. Kisha është e vetëdijshme për këtë realitet dhe për praninë e dhimbjes, fizike dhe mendore, e cila qëndron vigjilente në jetën e njeriu. Realizmi i Ortodoksisë nuk është naiv, joserioz dhe ose marrëzisht i lumtur, por është realizëm serioz, jo mizor dhe jo në dukje serioz dhe as melankolik ose depresiv. I krishteri shikon drejt qiellit, por shkell fort në tokë, në të cilën trupi i tij do të përfundojë kur ai të vdes një ditë.
Njeriu zakonisht i përballon sfidat në jetën e tij me dy mënyra ekstreme. Njera mënyrë është përshtatja me situatën ndërsa tjetra është shmangia e saj. Në një farë mënyrë e shofin brenda prizmës deterministe. Disa përshtaten me jetën e përditshme dhe besojnë se nuk ekziston mundësi që dikush t’i përballojë vështirsitë që dalin në jetën tonë ose që askush nuk mund t’i shmanget fatit dhe asaj që quhet “e shkruar” ose kismet. Ose thonë “kështu ishte, është dhe kështu do të jetë; asgjë nuk ndryshon”. Nga një qëndrim i tillë duket se mungon shpresa dhe besimi në dashurinë dhe përkujdesjen e Perëndisë. Ndaj dhe determinizmi dhe fati mohohen nga mësimdhënia e Kishës sonë. Nësë do të googl-osh mbi termin Determinizëm, do të lexosh se Determinizmi është një nocion që shpreh botëkuptimin filozofik të raportit mes dukurive në realitet, sipas të cilit çdo dukuri është e përcaktuar, e paracaktuar, e kushtezuar dhe shkaktuar, me një dukuri tjetër: asgjë nuk mund te ekzistojë që të mos jetë me diçka e determinuar. Por siç na mëson Kisha, njeriu nuk është një viktimë e disa fuqive të pakontrolluara, por ai ecën në jetën e tij me vullnetin e tij të lirë dhe me Hirin e Perëndisë.
Ekstremi tjetër është ikja nga realiteti, i cili zakonisht preferohet nga njerëz me personalitet të dobët ose njerëz shumë të ndjeshëm. Për shkak se ata nuk mund t’u dalin përballë vështirësive dhe dhimbjeve që sjell jeta shpesh, gjejnë strehë në ideologji që krijojnë iluzionin e largimit, si në fetë mistike lindore (yoga) ose në kultet neo-fetare (“Epoka e Re”) dhe të tjerë në parajsën e sajuar të drogës.
Ky qëndrim nuk është thelbësisht i ndryshëm nga ai i mëparshmi, megjithëse është i ndryshëm në dukje. Shmangia e realitetit duke iu drejtuar misticizmit neo-fetar, çon në të njëjtin rezultat. Dhimbja, sëmundja dhe sprovat në përgjithësi nuk trajtohen në mënyrë efektive.
Kisha nuk e pranon disfatizmin dhe determinizmin, por i bën një propozim pozitiv dhe konkret njeriut të të gjitha epokave: t’i rezistojë të keqes, të ndryshojë veten dhe botën, njeriun dhe njerëzimin. Mesazhi i Kishës është optimist. Besimi në providencën dhe dashurinë e Zotit e fuqizon besimtarin të kapërcejë vështirësitë dhe dhimbjet, siç shkruan Apostull Pavli: “Po Perëndia është besnik dhe nuk do t’ju lërë të ngiteni tej fuqisë suaj, po bashkë me ngasjen do t’ju tregojë rrugë shpëtimi, që të mund të duroni” (1 Kor. 10:13.)
Kisha e shfaq si shembull jetën e Krishtit, i Cili njohu dhe pësoi vuajtjet njerëzore dhe arriti deri në vdekje. Krishti perëndinjeri është njeridashës, jo një mbinjeri apo një gjysmëperëndi. Ai bashkëvuan me ne, ka dhimbje dhe simpati për ne. Falë Krishtit ne kemi jo vetëm një, por shumë shokë në pësimet tona: shenjtorët e Kishës janë njerëz si ne; i besojnë udhëheqësit të jetës, Jisu Krishtit. Vuajtën dhe u martirizuan për besimin e tyre te Perëndinjeriu, e mundën vdekjen dhe njohën gëzimin e Ngjalljes. Shembulli i tyre është udhëheqës për rastet e ngjashme në jetën e besimtarit. Për më tepër, kujtimi i shenjtorëve këtë kuptim ka. Nder për moralin luftues dhe jetën dhe shembullin për t’u ndjekur. Shën Joan Gojarti thotë se “nderimi i martirit bëhet kur imiton martirin”.
Kur do të drejtësohet lufta e mirë e besimtarëve kundër së keqes? Kisha përgjigjet me gjykimin përfundimtar gjatë Ardhjes së Dytë të Krishtit. Gjykoj do të thotë dalloj, ndaj të mirën nga e keqja, ndaj viktimën nga fajtori, të pafajshmin nga ekzekutuesi i tij. I krishteri njeh mire dy gjëra. E para është se ai edhe pse mund të vuajë në jetën e tij, nuk është vetëm në këtë rrugë, sepse ai ka një mik dhe një bashkudhëtar, Krishtin dhe tjetra është se ai e di që ka një gjykim përfundimtar. Shpresa dhe durimi janë armët e besimitarit për përballimin e dhimbjes dhe sprovave dhe nuk kanë për ta zhgënjyer: “Edhe jo vetëm kjo, po edhe mburremi për shtrëngimet, duke ditur se shtrëngimi sjell durim, edhe durimi provë, edhe prova shpresë. Edhe shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Rom. 5:3-5).