Udhëzime shpirtërore për të rinj
Bindje ndaj kujt?
Një karakteristikë dhe veçori që dallon të krishterin orthodhoks nga ndjeksëit e pohimeve të tjera të krishtera është bindja. Ajo jo se ekziston vetëm në orthodhoksi, thjesht vetëm brenda saj zbatohet si model jetese, model i trashëguar që nga koha e Abrahamit, nga vet Jisu Krishti e nga shenjtorët e kohëve moderne.
Po përse është e nevojshme të diskutojmë për bindjen? Është kaq e rëndësishme?
Le ta nisim nga fillimi: Në librin e parë të Shkrimit të Shenjtë, që prej kapitullit të pare të Zanafillës, na tregohet vepra krijuese e Perëndisë, krijimi i gjithçkaje nga Perëndia, i Cili i krijoi dhe i formoi të gjitha nga hiçi. Kurorë e krijesës së Tij ishte njeriu, që Ai e “krijoi simbas ikonës së vet, simbas ikonës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:27), Adamin dhe Evën.
Ai e bëri njeriun administrator të krijesës dhe e urdhëroi atë të shtohej e shumohej dhe e vendosi për të jetuar në kopshtin e Edenit, “me qëllim që ta punonte dhe ta ruante atë. Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: ‘Ha madje lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 3:15-17).
Historia vazhdon me shfaqjen e djallit në formën e një gjarpri, engjëllit të rënë të dritës, i cili duke mashtruar me dinakëri Evën, e bindi atë që të hante nga fruti i pemës së ndaluar edhe ajo më pas i dha edhe Adamit prej tij. Kështu njeriu u bë shkelës i porosisë së Perëndisë dhe vuajti pasojat e shkeljes. Ai vdiq shpirtërisht, u shkëput pra nga burimi i jetës, u përzu nga Kopshti i Edenit e kështu shijoi vdekjen.
Historia e mësipërme është e njohur për të gjithë njerëzimin; gjithashtu edhe vazhdimi i saj. Por përse e tregova këtë histori kaq të njohur? Qëllimi i tregimit të historisë së krijimit të njeriut dhe rënies së tij në mëkat, që si pasojë kishte vdekjen e tij, është për të thënë pikërisht këtë gjë: se njeriu humbi parajsën dhe marrëdhënien me Perëndinë për shkak të mosbindjes dhe se, ai mund t’i rifitojë ato vetëm me anë të bindjes. Pra bindja është shumë e rëndësishme për një të krishterë.
Si shtetas të një vendi, kemi për detyrë t’i nështrohemi, t’u indemi ligjeve të shtetit, rregullave të një shoqërie, të një kolektivi, edhe pse ndoshta nuk jemi dakort me ato ose ato mund të bien në kundërshtim me parimet ose dëshirat tona. Shkelja e ligjeve ose rregullave mund të ketë pasoja dhe dënime të rënda. Si pasojë, ne nuk jemi të lirë të zgjedhim këtë ose atë. Mosbindja ndaj ligjeve dhe shkelja e tyre mund të ketë pasoja fatale.
Edhe fëmijet duhet t’u binden prindërve të tyre, jo vetëm sepse kështu na këshillon Apostull Pavli (Efesianët 6:1), por edhe ngaqë ndërgjegja e përbashkët sociale e pranon këtë si gjënë e duhur. E njëjta gjë vlen edhe për nxënësit ndaj mësuesve të tyre.
Në Traditën biblike dhe atë Patrisitke, elementi i detyrimit zbehet. Çdo i krishterë, duke qenë totalisht i lirë, ka mundësi të përzgjedhë bindjen a mosbindjen ndaj Krijuseit të tij, ndaj episkopit, ndaj priftit ose ndaj atit shpirtëror. Jemi të lirë gjithashtu të besojmë në ekzistencën ose jo të Perëndisë. Jemi të lirë, ashtu siç ishte Adami me Evën.
Brenda Kishës dhe besimit vlen ajo që thotë Apostull Pavli: “Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri” (Galatianëve 5:13). Çdo gjë që shkruhet ose thuhet nga padija ose nga keqdashja, se bindja brenda Kishës nuk përmendet në Ungjill ose përmban elemente të skllavërisë a robërisë, është një shpifje e tmerrshme.
Ky është pra arti dhe puna e djallit; të sjellë në mendjen e njeriut mendime kundër Kishës dhe udhëheqësve shpirtërorë, që kështu njeriu të largohet nga Hiri i Perëndisë dhe më pas ai, djalli, ta torturojë pa mëshirë të mjerin. Mendime të tilla duhen larguar menjëherë, si të ishin gjarpër helmues.
Misteri i bindjes është shumë i madh! Vet Jisu Krishti, siç thamë edhe në fillim, është model i përsosur bindjeje dhe Atë duhet të ndjekim. Ai iu bind Atit të Tij Qiellor deri në vdekje. Por jo vetëm Atij.
Krishti iu bind me bindje të përsosur edhe kujdestarit të tij, Josif, të cilit nuk ishte i detyruar t’i nënshtrohej, sepse nuk ishte ati i Tij biologjik. Megjithatë Zoti, siç na informon Ungjillori Luka (Luka 2:51), u beri bindje të dyve; dhe Josifit dhe Mariamës.
Krishti iu nënshtrua Nënës dhe kujdestarit të Tij me shumë dëshirë, me gëzim, me dashuri të shumtë, me përulësi të madhe, pa u ankuar dhe pa ndonjë kundërshtim.
Ai që vetëm me fjalën e Tij krijoi gjithësinë, iu nënshtrua njerëzve. Nëse Mbreti i engjëjve u bëri bindje të tillë prindërve të Tij, domethënë baltës, që e krijoi vet me dorën e Tij, le të imagjinojmë se çfarë bindjeje duhet t’u bëjmë ne prindërve dhe udhëheqësve tanë shpirtërorë.
Apostull Pavli thekson se të krishterët janë bij të bindjes dhe i këshillon ata që t’u binden udhëheqësve të tyre shpirtërorë, sepse ata qëndrojnë zgjuar për shpirtrat e të krishterëve, pasi do të japin llogari përpara Krishtit për ata.
Shën Joan Gojarti thotë se bindja ndaj krerëve është virtyt, ndërsa mosbindja sjell tronditje dhe rrëmujë. Nuk ka asgjë më të ëmbël se butësia e bindja dhe njeriu që i ka këto virtyte, është i dobishëm për të gjithë, thotë përsëri Gojarti i Hirshëm.
Duhet të dimë, pra, se udha në të cilën thirret që të ecë besimtari, nuk është udhë robërie, por udhë lirie, udhë përulësie, sepse pa përulësi dhe bindje, të cilat janë themelet e jetës së krishterë, jeta e një të krishteri do të ishte hipokrizi. Por pa lirinë, bindja është robërim dhe skllavëri.
Perëndia, duke respektuar lirinë e njeriut, me të cilën Ai vet e pajisi, na mëson kështu: “Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas” (Marku 8:34). Askush nuk është i detyruar t’i nënshtrohet Zotit, aq më tepër episkopëve dhe priftërinjve. Kur dikush nuk i bindet Zotit, aq më tepër nuk mund t’u bindet udhëheqësve shpirtërorë. Por mosbindja ndaj udhëqesvë shpirtërorë tregon që njeriu nuk i bindet as vullnetit të Zotit, sepse Zoti u dha pushtet nxënësve të Tij dhe trashëgimtarëve të tyre, që nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, të jenë ata që do të rregullojnë çështjet kishtare. Pra, ai që nuk i bindet vendimit të episkopit, i cili është figura e Krishtit në tokë, nuk mund të pretendojë se po i bindet Zotit. E njëjta gjë vlen edhe për bindjen ndaj atit shpirtëror të secilit prej nesh.
A duhet i krishteri t’i bindet atit shpirtëror në gjithçka? Po, në gjithçka. Krishti, thamë edhe më sipër, u bë “i bindur deri në vdekje, edhe vdekje kryqi” (Filipianëve 2:8). Dhe ai i cili i bën bindje në gjithçka atit të tij shpirtëror, bëhet imitues i Krishtit. Imiton bindjen e Abraamit, që la gjithçka kur Perëndia e urdhëroi.
Atin shpirtëror duhet ta pyesim për gjithçka. Edhe për gjërat e mira, dhe të zbatojmë porositë e tij, deri në fund. Kujtojmë këtu rastin e Shën Kozmait të Kolkondasit nga Etolia, i cili kur i lindi dëshira për përhapjen e Ungjillit, edhe pse ishte diçka e mirë dhe e virtytshme, nuk e bëri pa marrë së pari bekimin e jerondëve, udhëheqësve të tij shpirtërorë.
Por pse edhe për të mirat? Sepse djalli shfrytëzon edhe dëshirën e mirë për ta kthyer atë kundër nesh. Ai përdor edhe veprat e mira për të njëjtin qëllim. Nëse dikush kreshmon, djalli ia mbush mendjen që të mbajë kreshmë edhe më të rreptë, që ta rrëzojë atë në mëkatin e krenarisë dhe vetëpëlqimit.
Por nëse ati shpirtëror është i papërsosur dhe nuk jep këshilla të mira? Përsëri i krishteri duhet t’i bindet atij, dhe Perëndia që shikon bindjen dhe përpjekjen e tij, do ta mbushë atë me bekime dhe virtyte.
Shën Joan Damaskinoi nuk kishte jerond të mirë, por shenjtori iu bind në gjithçka dhe Zoti e vlerësoi për në jetën e përjetshme.
Mosbindja na privoi gëzimin e Parajsës. Vetëm me anë të bindjes do të bëhemi të denjë për atdheun qiellor.
Amin!