/Udhëtimi i Ismail Qemalit përmes Myzeqesë dhe ngritja e flamurit në Fier Nga Ilirjan Gjika

Udhëtimi i Ismail Qemalit përmes Myzeqesë dhe ngritja e flamurit në Fier Nga Ilirjan Gjika

Në vitin 1912, Fieri, do të shndërrohej në një nga qëndrat e Kryengritjes së Përgjithshme për Shqipërisë e Jugut. Gjatë kësaj kohe, në këtë qytet dhe rrethinat e tij do të zhvillonte një veprimtari të gjerë politike edhe Ismail Qemali, nën drejtimin e të cilit u realizua shpallja e pavarësisë. Në 12 gusht 1912, ai, do të drejtonte Mbledhjen e Fierit e cila do ta ngarkonte me mision drejt Stambollit për të ndikuar pranë Portës së Lartë për autonominë e Shqipërisë (1). Ndërkohë fillimi i Luftës së Parë Ballkanike dhe thyerja e Perandorisë Osmane në të gjitha frontet, do të bënin që Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të vlerësonin situatën ushtarake dhe politike që u krijua dhe të ktheheheshin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë udhëtimit historik për realizimin e kësaj sipërmarrjeje, duke ndjekur itinerarin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste, ata do të mbërrinin në Durrës, në 21 nëntor 1912 (2). Nga njoftimi i konsullit austro-hungarez, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, mësojmë se prej këtu grupi i tyre u nis drejt Vlorës në 23 nëntor (3). Udhëtimi u bë në një mot të ftohtë, të rënduar nga reshjet e shumta, ku lumenjtë kishin dalë nga shtrati dhe kishin përmbytur fushën e Myzeqesë.
Pasi do të linte Durrësin, grupi do të mbërrinte në qytetin e Kavajës të shoqëruar nga patrioti Qazim Merhori, i cili i vuri në shërbim edhe kuajt e vet. Ndërsa në Rrogozhinë, njerëzit e Ismail Qemalit, do të kalonin Shkumbinin në lundrën e vaut të kishës së fshatit Çermë-Biçak. Këtu, ata do të strehoheshin gjatë natës në shtëpinë e Dervish bej Biçakut (4). Për këtë na informon edhe telegrami që Qemal Karaosmani i dërgon nga Durrësi në 23 nëntor 1912, të vëllait Behxhet Beut. ‘’Sot po nisemi dhe po vijmë aty, jemi më tepër se njizet vetë, Pra, pregatituni dhe na bani vend ke Dervish beu ose në shpië tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty’’ (5).
Ndërkohë të nesërmen gjatë udhëtimit, grupi i patriotëve shqiptarë, do të njoftohej se në Lushnje, xhandarmëria kishte marrë urdhër nga komandanti i ushtrise turke me qëndër në Janinë, që të kapte Ismail Qemalin me çdo kusht. Për këtë qëllim u dërgua edhe një repart xhandarësh në fshatin Gramsh përgjate rrugës Rrogozhinë-Lushnje (6). Në pamundesi për të vazhduar këtë rrugë drejt qytetit të Lushnjes, grupi u kthye përsëri ne Çermë dhe vazhdoi në një rrugë të veshtirë përgjatë bregdetit. Pasi përshkoi itinerarin Çermë-Biçak, Çermë-Proshek, Çermë-Pasha, Çerme-Çiflik, Sulzotaj, Divjakë, Xeng, Mizë, Kryekuq dhe Babunjë, Ismail Qemali dhe patriotët që e shoqëronin do të mbërrinin në mbëmjen e datës 24 nëntor në Libofshë (7). Në shënimin që i bën telegramit të mësipërm të Qemal Karaosmanit, Lef Nosi, botuesi i dokumentave të pavarësisë kombëtare dhe ish ministër i Post-Telegrafit të qeverisë së Ismail Qemalit, shkruan se: ‘’Më 10 Ismail Beu me gjithë shokë, fjeti në Çermë e më 11 në Libofshë’’. Sqarojmë se me kalendarin e vjetërqë përdirej atëherë në Shqipëri, datat 10 dhe 11 nëntor, korrespondojnë me datat 23 dhe 24 nëntor të kalendarit e ri, atij që përdorim sot, kalendarit Gregorian. Këtë gjë e pohon edhe historiani Kristo Frashëri në veprën e tij: ‘’Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë’’, kur thekson ‘’Nga Çerma kuvendarët u nisën me rrugë të gjarpëruar për në Fier. Por, ngaqë rruga zgjati, ata në mbrëmjene 24 nëntorit fjetën, sipas një shënimi të Lef Nosit, në fshatin Libofshë, larg, vëzhgimit të xhandarmërisë’’
Ndërsa në kujtimet e botuara prej tij, Qemal Karaosmani, shkruan: ‘’U nisëm në rrugën e Karatoprakut dhe mbërritëm në rremën e Sulzotajt, që ishte e mbushur me ujë. Kaluam, po me vështirësi të madhe, duke u lagur, por mjaft që nuk kishte rrymë. Si kaluam prej andej, vajtëm në Libofshë atë natë, në konak të vaktit që kishte gatitur i ndjeri Nedin Bej Leskoviku kur ishte si drejtor i vakëfeve ’Valide Sulltane’. Të nesërmen u nisëm herët për të ngrënë drekën në Fier dhe darkën në Vlorë. Posa arritëm te lundra e Petovës, u takuam me delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës, zotin Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mitat Frashëri, Sali Gjuka e Bedri Pejani’’ (9).
Ndërsa, Ferit Vokopola, në shkrimin e tij ‘’Atë unë e njoha’’, botuar në gazetën ‘’Njeriu’’, dt. 8 shkurt 1944, midis të tjerave thekson: ‘’Njeriu i madh me apostujt e vetë arriti në Durrës duke kapërcyer një mijë pengime. Ai kur do të kalonte Shkumbinin fuqitë ushtarake osmane u orvatën ta zënë: Shqiptarët që e prisnin si shpëtimtar të Atdheut iu përveshën masave të luftimit kundra tyre. Kalorija tomane detyrohet të ndalet pjesërisht në katundin Zhamë e tjetra në Gramsh të N/Prefekturës të Lushnjes. Ismail Qemali me shokë në bazë të planit të vendosur prej Çermës të zotni Dervish Bej Biçakut, i cili vuni të gjithë fuqitë e tij në dispozicion u nis për në Fier në rrugën Karatoprak-Libofshë, drejt të cilës ishin marrë tërë masat e sigurimit nga Lushnja’’ (10). Në hyrje të Libofshës grupi u prit nga çeta e priftit dhe mësuesit patriot, Ikonom Kozma Dhimës. Ndërkohë atë natë, Ismail Qemali, u strehua në konakët e Nedin Bej Leskovikut, ish kujdestarit të çifligjeve shtetërore turke të Myzeqesë. Të nesërmen, udhetimi do të niste përsëri drejt qytetit të Fierit. Te lundra e Petovës në breg të lumit Seman, grupit do ti bashkoheshin edhe delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës. Ndërsa në Fier, patriotët do të priteshin në shtëpinë e Omer Pashë Vrionit, në prani të krerëve të vendit (11). Po atë pasdite përpara nisjes drejt Vlorës, Ismail Qemali, do të ndalej në zyrën e post-telegrafës, si dhe do të fliste përpara popullit në një miting spontan (12). Ndërsa në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, delegatë të Fierit do të ishin edhe Hajredin Cakrani, firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe Sami Vrioni, i cili do të zgjidhej anëtar i Pleqësisë. Këtë kontekst do ta mbyllte akti i Tonç Kilicës, i cili si kryetar i bashkisë, së bashku popullin dhe patriotët vendas do të zhvillonin në 29 nëntor 1912, ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit. Kështu edhe Fieri iu bashkua shtetit të ri shqiptar dhe qeverisë së Ismail Qemalit të dalë nga vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës.
‘’Ju bëjmë të ditur me gëzim se, të mbështetur në vendimet e Kuvendit që na u komunikua nga ana kryesisë së Beratit, me hir të Zotit, e ngritëm edhe këtu flamurin kombëtar me nderime. Zoti na e pruftë mbarë!’’, thuhet në telegramin që kryetari i Bashkisë së Fierit, Tonç Kilica, i dërgon kryesisë së Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë (13). Telegrami së bashku me dokumente të tjera të periudhës së viteve 1912-1918, u publikuan nga nënshkruesi i Aktit të Pavarësisë dhe Ministri i Post-Telegrafit në Qeverinë e Vlorës, Lef Nosi. Ato u botuan në Elbasan gjatë viteve 1924-1925 në vëllimin me disa numra të titulluar: ‘’Dokumente historike për t’i shërbyer historisë tonë kombëtare” (14). Telegrami i Fierit sipas origjinalit në turqisht u përkthye në shqip nga Lef Nosi sipas variantit gjuhësor të kohës. Ndërsa në gjuhën letrare tekstin e tij e gjejmë në vëllimin e botuar në vitin 1963 nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, të titulluar: ‘’Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtarija e saj’’ (15). Më pas ai do të përfshihej edhe në botime të ndryshme së bashku me dokumente të tjera të qeverisë së Ismail Qemalit (16).
* Foto: Itinerari i udhëtimi të Ismail Qemalit për në Vlorë. © Muzeu Historik Fier
Literatura
1-Pirro Tako, Luigj Gurakuqi, Tiranë 1980, f. 171-172
2- Historia e Shqipërisë, ASH-IH, Tiranë 1984, f. 496
3-Teuta Hoxha, Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Tiranë 1982, f. 220
4-Kol Nika, Një fshat i lashtë, Tiranë 1995, f. 43
5-Lef Nosi, Dokumente Historike, Instituti i Historisë, Tiranë 2007, f. 76; Kristo Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 134
6-Koli Xoxi, Ismail Qemali, Tiranë 1983, f. 245
7-Kol Nika, Një fshat i lashtë, Tiranë 1995, f. 43
8-Lef Nosi, Dokumente Historike, Instituti i Historisë, Tiranë 2007, f. 76; Kristo Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 87
9-Qemal Karaosmani, Një udhëtim Historik në nëntor 1912, Kujtime
10-Ferit Vokopola, ‘’Atë’’ unë e njoha, Gazeta Njeriu, 8 fruer 1944, f. 2
11-Po aty, f. 3
12-Lef Nosi, Dokumente Historike, Instituti i Historisë, Tiranë 2007, f. 78
13-Po aty, f. 116
14-Po aty, f. 5
15-Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtarija e saj’’, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë 1963
16-Teuta Hoxha, Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Tiranë 1982; Teuta Hoxha, Ismail Qemali: përmbledhje dokumentesh 1888-1919, Mësonjtorja e parë, Tiranë 2002; Lef Nosi, Dokumente Historike, Instituti i Historisë, Tiranë 2007