Udhëtime shpirtërore për të rinj
Ati Shpirtëror apo Psikologu?
Tema që do të trajtohet sot është një tjetër çështje që shqetëson shumë të rinjtë ortodoksë; çështja e atin shpirtëror. Ajo ç’ka do të trajtohet konkretisht, nuk është thjesht qëndrimi i Kishës mbi Atin Shpirtëror ose Misterin e Rrëfimit, gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme dhe ndaj flitet shumë shpesh për to, por një krahasim ndërmejt figurës së atit shpirtëror dhe figurës së psikologut.
Çfarë është Psikologu?
Psikologu është personi që thuhet se vlerëson dhe adreson çrregullimet emocionale, problemet e sjelljes dhe vështirësitë ndërpersonale, me anë të seancave dëgjimore që ai zhvillon me personin që ndodhet në një situatë shqetësuese. Nga pikëpamja tradicionale shqiptare, psikologu shikohet si specialisti në të cilin shkojnë njerëzit që kanë probleme të rënda psikike. Theksoj këtu se ky mendim mbizotëron kryesisht në moshat e rritura. Personi që shkon për seanca në një psikolog, shikohet dhe trajtohet si njeri i rrezikshëm, pasi nga momenti që shkon tek psikologu, do të thotë se me siguri ky njeri ka probleme serioze, të cilat kanë nevojë për trajtim mjekësor, mendojnë moshat e rritura. Ajo që shikojmë, pra, është se populli i thjeshtë dhe i painformuar ngatërron kontekstin e psikologut me atë të psikiatrit.
Përsa i përket brezit të ri, me të cilin dhe do të merremi sot, ai mendon ndryshe. E shikon psikologun dhe rolin e tij ashtu siç realisht është, pa patur paqartësi dhe keqkuptime. Rinia sot njeh vlerën e psikologut. Rinia sot njeh shumë mirë problematikat që ka shoqëria jonë dhe krizën shpirtërore që kalon njeriu bashkëkohor, ndaj dhe ai ka njohje objektive të gjërave që e rrethojnë dhe që kanë lidhje me jetën dhe përditshmërinë e tij. Kjo e bën që të kërkojë vlerën e vërtetë të psikologut. Por ekziston dhe ajo pjesë e të rinjve që kalon në ekstremin tjetër. Shumë të rinj, të ndikuar dhe nga trendet e kohës, e shikojnë dhe e konsiderojnë vajtjen te psikologu “modë” që duhet ndjekur njësojë si moda në rroba, në brands, në trendet teknologjike, etj. Ajo që mbetet për t’u sqaruar është marrëdhënia që ngre njeriu me psikologun dhe rolin që ai ka në jetën e tij.
Si e shikon Kisha Ortodokse rolin psikologut dhe si e shikon ajo atë në raport me rolin e Atit Shpirtëror?
Është e arsyeshme dhe shumë e rëndësishme që në këtë pikë të kuptojmë termin psikologji. Fjala psikologji është e përbërë dhe e ka prejardhjen e saj nga dy fjalët greke ψυχή (shpirti) dhe fjala λόγος (shkencë, arsye). Literalisht ky term do të thotë shkencë, studim mbi shpirtin. Megjithatë, fjala shpirt në fushën e psikologjisë ka një kuptim komplet ndryshe nga ai fetari. Kur psikologët përdorin fjalën shpirt, më tepër i referohen intelektit, mendimit, pasi ky është objekti kryesor i studimit të tyre. Psikologu është një shkenctar i cili është mësuar si të përdorë teknika të ndryshme për zgjidhjen e problemeve. Në bazë të formimit teorik dhe trajnimeve që ka marrë, psikologu mund të jetë eksperimentues, gnostik, skolastik etj. dhe në vartësi të kësaj përdor dhe metodat përkatëse me personin që shkon tek ai.
Kisha Ortodokse i pranon këto dhe shikon dobinë që ekziston në rolin e psikologut, por nuk pranohet në asnjë mënyrë mendimi se kur dikush është në terapi psikologjike ose psikiatrike, ku nomralisht diskutohen edhe çështje personale të personit, misteri i rrëfimit është i tepërt. Por metoda që Kisha Ortodokse përdor për shërimin shpirtëror madje dhe trupor të njerëzve, është misteri i rrëfimit tek Ati shpirtëror. Ekstremi tjetër krejtësisht i gabur i këtij mendimi është se Rrëfimi është një lloj terapie psikologjike, pra ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje psikike nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe mund të mjaftohen në ndihmën e atit shpërtëror.
Terapitë e ndryshme që njeriu ka shpikur (gjithmonë me lejen e Perëndisë njeridashës), duke përfshirë këtu dhe metodat psikiatrike dhe psikologjike, nuk ofrojnë shpëtim ontologjik, domethënë nuk e shpëton njeriun si qenie në tërësi. Ato i japin atij një lehtësim ose shërim të disa komplikacioneve të natyrës së rënë, por nuk ofrojnë mundësinë e kapërcimit të nënshtrimit të natyrës së njeriut në rrjedhën natyrale të tij, shfaqje e fundme e së cilës është vdekja. Asnjë terapi e krijuar, biologjike ose teknologjike nuk mund të fitojë armikun më të madh të njeriut, vdekjen.
Kapërcimi i vdekjes, që është qëllimi i të gjitha shkencave të zhvilluara nga njeriu, mund të ndodhë vetëm me anë të Perëndisë, i Cili jo vetëm që është Burimi i Jetës, por dhe e mundi personalisht vdekjen me anë të Ngjalljes së Tij të triditëshme. Por si ndodh ky kapërcim nga njeriu i rënë? Kapërcimi ndodh vetëm duke ia parashtruar pikërisht Atij të gjitha dobësitë, sëmundjet, rënien dhe mëkatet. Dhe ky parashtrim ndodh vetëm me anë të rrëfimit tek Ati Shpërtëror.
Ati shpirtëror është kleriku i cili ka lejen nga Kisha për të kryer misterin e rrëfimit. Është personi në të cilin i krishteri i penduar rrëfen mëkatet e tij dhe ai që e udhëheq atë në jetën e tij shpirtërore, me qëllim shpëtimin e tij. Ndaj dhe quhet atë. Ashtu siç çdo njeri ka atin e e tij biologjik, atë prej të cilit ka ardhur trupërisht në jetë, kështu edhe i krishteri, përveç atit biologjik ka dhe atin e tij shpirtëror, atë që e rilindi shpirtërisht, që e futi në jetën shpirtërore dhe e drejton atë në rrugën e shpëtimit, në luftën kundër e tij kundër vdekjes shpirtërore.
Lindja natyrale na sjell në jetë. Na fut në shoqërinë njerëzore. Ndërsa rilindja në Krishtin –një lloj tjetër lindjeje- na fut në Kishë dhe na jep mundësinë të jetojmë një jetë me Krishtin.
Apostull Pavli është një shembull konkret sesi duhet të jetë ati shpirtëror. Ai digjej nga dashuria për bijtë e tij shpirtërorë dhe kjo dashuri më Krishtin përbënte forcën motivuese për punën e tij apostolike. Nuk ndaloi së këshilluari secilin prej tyre me lotë. Jeta shpirtërore e besimtarit krahasohet shpesh me ngjitjen e një mali të lartë dhe ati shpirtëror shikohet si alpinisti me përvojë i cili i është ngjitur këtij mali edhe më parë dhe njeh sfidat e shumta që do të dalin gjatë rrugës. Bariu, kleriku pra, që do të marrë këtë përgjegjësi të udhëheqjes shpirtërore duhet të jetë njeri më përvojë në jetën e Kishës.
Cilësia kryeosre që duhet të ketë ati shpirtëror është dashuria. Ai duhet të bashkëvuajë me bijtë e tij shpirtërorë dhe të marrë mbi vete hidhërimet, fajet, pasionet dhe mëkatet e tyre. Prandaj dhe ati shpirtëror që do të zgjedhim, siç e përmendëm edhe më lartë, duhet të jetë dikush me përvojë. Ne na takon të zgjedhim drejtuesin e duhur, një zgjedhje që duhet bërë me shumë kujdes. Vetëm, pa një kujdestar shpirtëror nuk mund të ecim, sepse do të biem viktima në duart e djallit njerivrasës dhe nuk do të kemi asnjë për të na ndihmuar në ngritjen tonë. Por gjithashtu nuk mund të besojmë jetën tonë shpirtërore në duart e një “mjeku” pa eksperiencë, i cili mund të na shjkaktojë dëme shpirtërore. Shën Simeoni, Teologu i Ri, këshillon që gjetja e një udhëqesi të mirë shpirtëror të bëhet çështje lutje drejtuar Perëndisë.
Etërit e Kishës na thonë se dhe biri ose bija shpirtërore duhet të karakterizohet nga dashuria për atin shpërtëror, pasi vetëm një marrëdhënie e mbështetur mbi dashurinë mund të jetë e dobishme dhe e pëlqyeshme përpara Perëndisë. Dashuria për atin tonë shpirtëror është origjinale vetëm kur shprehet me anë të besimit të plotë dhe bindjes. Dëshira e Perëndisë tek ne shfaqet me anë të tij. Me anë të bindjes që i bëjmë atij, ne realisht i bindeimi Perëndisë dhe kjo bindje na ruan nga shumë gabime, në të cilat do të binim nëse do të ecnim sipas dëshirave tona. Bindja gjithashtu na fal liri të brendshme dhe ne tërheqim mbi veten hirin e Perëndisë. Ajo që kërkohet nga biri shpirtëror është rrëfimi i gjithçkaje: i mendimeve, i veprave, i planeve etj. Vetëm në këtë mënyrë do të falen mëkatet tona nga Perëndia dhe çlirohemi nga barra e fajit.
Me anë të paraqitjes dhe shpjegimit të mësipërm të rolit të psikologut dhe të rolit të atit shpirtëror, shikojmë se ata nuk kanë ndonjë lidhje esenciale mes tyre.
Kuptojmë pra që ati shpirtëror e kryen punën e tij në bazë të Traditës Ortodokse dhe ndryshon nga psikologu, i cili punon në bazë të pikëpamjes antropocentrike të njeriut dhe jetës së tij. Psikologu kërkon të ekuilibrojë psikologjikisht njeriun, ndërsa ati shpirtëror ka si qëllim shpëtimin e tij. Psikologu përdor pikëpamjet e Shkollës që përfaqëson, ndërsa ati shpirtëror përdor fjalën e përjetshme të Perëndisë që iu shfaq profetëve, Apostujve dhe shenjtorëve. Psikologu mendon se sëmundja është pasojë e vetëm disa përvojave traumatike të së kaluarës. Ati shpirtëror e di mirë se çekuilibrimi shpirtëror nuk vjen vetëm nga përjetimet e së kaluarës që ruhen në subkoshiencën e njeriut, por edhe nga një energji e caktuar e shpirtit për shkak të pasioneve. Psikologu me anë të pyetjeve e bën pacientin të kuptojë problemin e tij dhe të kërkojë zgjidhje nga vetja, ndërsa atij shpirtëror me anë të Hirit të Perëndisë e drejton njeriun drejt pendimit dhe transformimit të tij ontologjik.
Së fundmi, psikologu ofron shërim të përkohshëm të gjëndjes, ndërsa ati shpirtëtor, siç thamë e dhe mës ipër dhe gjithënjë e përsërisim, me anë të udhëheqjes së drejtë dhe të duhur, mund ta ndihmojë njeriun, gjithmonë me hirin e Perëndisë, të kapërcejë armikun më të madh të njeriut, vdekjen.