/U kremtua kujtimi i Shën Kozmait në Kolkondas dhe në të gjithë vendin

U kremtua kujtimi i Shën Kozmait në Kolkondas dhe në të gjithë vendin

Në datë 24 gusht Kisha Orthodhokse kremton kujtimin e Hierodëshmorit Kozma të Kolkondasit (të Etolisë). Shën Kozmai braktisi qetësinë e jetës në Manastir, për të ofruar dritë në kandilin e besimit Orthodhoks që po fikej në këto treva nën hijen e errësirës otomane. Kjo datë e shënuar u kremtua me shërbesat përkatëse në kishat e Kryepiskopatës së Hirshme dhe në të gjitha Mitropolitë.

Vigjilja e së kremtes, të enjten, 23 gusht 2018, ishte mjaft e veçantë. Mbrëmësorja u krye në bregun e lumit Seman, afër fshatit Mujalli, aty ku më 24 gusht 1779 u martirizua me varje Shën Kozmai. Ajo u parapri nga ngritja e një kryqi të madh prej druri për të përkujtuar këtë martirizim. Bashkë me dhjetëra besimtarë, kryesisht të rinj, në shërbesë dhe në ngritjen e kryqit mori pjesë edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla, dhe klerikë të kësaj mitropolie. Në fund, Kryepiskopi iu foli të pranishmëve për rëndësinë e veprës së shenjtorit dhe mesazhet që ajo na përcjell.

Mjediset e Manastirit të Shën Kozmait ishin mbushur plot e përplot me besimtarë që në mbrëmjen e datës 23. Ata vinin nga zona e Myzeqesë, ku nderimi për këtë martir është shumë i ndier, por edhe nga zona të tjera të vendit tonë, si edhe nga jashtë.

https://www.youtube.com/watch?v=6j22JkJqh2A&feature=player_embedded

Të premten, Liturgjia Hyjnore panegjirike u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shipërisë, Anastasi, bashkë me Mitropolitin e Beratit, Ignatin; të Fierit dhe Apollonisë, Nikollën; të Elbasanit, Andonin, dhe të Amantias, Nathanailin. Për të kremten dhe jetën e shenjtorit foli arkimandriti Kozma Prifti.

Pas Liturgjisë Hyjnore vijoi Litania e lipsanit të hirshëm të Shën Kozmait dhe ikonës së tij të nderuar, ndërsa besimtarët patën përsëri mundësinë t’i faleshin lipsanit të nderuar.

Në nderim të kujtimit të Shenjtorit Kozma nga Etolia, aq të njohur dhe të dashur për popullin besimtar, Kryepiskopi Anastas ka realizuar që herët veprën e rindërtimit të plotë të këtij Manastiri dhe restaurimin e kishës.