Trinia e Shenjtë
Perëndia është triadik. Është plotësisht e qartë se Perëndia, duke qenë i pafund dhe i gjithë-përsosur dhe i pandryshueshëm është një, unik dhe i vetëm; sepse është e pamundur të ekzistojnë dy ose më tepër qenie të pafundme dhe të përsosura, sepse sikur të ekzistonte një tjetër i barabartë me Atë, atëherë Ai nuk do të ishte i pakufishëm, por i kufizuar, relativ, jo absolut domethënë nuk do të ishte Perëndi. Tertuliani na thotë: “Nëse Perëndia nuk është Unik, atëherë Ai nuk është”. Perëndia është i pakufizuar, i përjetshëm, i përsosur, absolut, i gjithëfuqishëm, dhe në të gjitha është njëherësh një dhe unik, krijues i botës dhe mbajtës i saj. Këtë të vërtetë dogmatike të Zbulesës Hyjnore Kisha Universale e shpreh në fjalët e para të Simbolit të Besimit “Besoj në një Perëndi”. Vetë koncepti i Absolutit ka në vetvete konceptin e unicitetit. Dy absolutë nuk mund të ekzistojnë pa pushuar së qenuri absolut, domethënë nuk mund të kemi dy Perëndi ose më shumë. Sipas mësimit të Shkrimit të Shenjtë dhe të Besimit të Kishës sonë Orthodhokse, Perëndia i vërtetë është triadik, Trini e shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Kjo nuk do të thotë se ekzistojnë tre Perëndi. Ekziston vetëm një Perëndi. Perëndia është Një në esencë dhe tre Persona. Një Perëndi në tre Persona ose hipostaza ku Ati është tërësisht Perëndi, ku Biri është tërësisht Perëndi dhe ku Shpirti i Shenjtë është tërësisht Perëndi. Të Tre Hipostazat kanë atribute personale ose hipostatike. Perëndia At është i palindur, Biri i lindur nga Ati dhe Shpirti i Shenjtë buron prej Atit. Ne e adhurojmë Trininë me një adhurim të vetëm dhe të pandarë. Etërit e Kishës dhe në Shërbesat Hyjnore, Shën Trinia është quajtur Një në Tre, një unitet hipostatik. Ati është i tërëfuqishëm, Biri është i tërëfuqishëm, Shpirti i Shenjtë është i tërëfuqishëm. Ati është i Shenjtë, Biri është i Shenjtë, Shpirti i Shenjtë është i Shenjtë. Prandaj ne rregullisht recitojmë lutjen e shkurtër dhe gjithëpërfshirëse “Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm mëshirona”. Edhe ne adhurojmë “Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, Trininë e njëqënëshme dhe të pandarë”. Dogma e Trinisë së Shenjtë është ”burimi (origjina) i Besimit tonë”, sipas Shën Grigor Theologut. Dhe të Tre Personat posedojnë të njëjtat atribute dhe të gjitha thesaret e pafundme të Hyjnisë. Dogma e Shën Trinisë tregon plotësinë e jetës së brendshme mistike në Perëndinë. Ndonëse është më e larta dhe më e pakuptueshmja për mendjen njerëzore nuk e largon Perëndinë nga ne, por përkundrazi, e tregon madje më qartë afërsinë e Tij me ne dhe me botën. “Një Perëndi edhe Atë i të gjithëve, i Cili është përmbi të gjithë, dhe në mes të të gjithëve, edhe në të gjithë ju” na thotë Shën Pavli në letrën e tij dërguar Efesianëve (4:6). Pra Perëndia është mbi ne – që s’mund të kuptohet dhe të kapet nga asnjë qenie e krijuar – Perëndia At; Perëndia është me ne – që u shfaq dhe banoi me ne – Perëndia Bir; Perëndia në ne dhe në gjithë krijimin – që jep dhe mban jetën e çdo krijese – Perëndia Shpirti i Shenjtë. Kjo dogmë në lidhje me Perëndinë Triadik përbën themelin dhe burimin e të vërtetave mistike të Besimit tonë të Shenjtë. Sigurisht e vërteta për sa i përket Perëndisë triadik është përfshirë në Dhiatën e Vjetër dhe veçanërisht në ato pasazhe që kanë lidhje me krijimin e njeriut, rënien e tij, dhe në ngatërrimin e gjuhëve në kullën e Babelit. Perëndia paraqitet duke folur në shumës dhe duke dialoguar me Persona të tjerë. Dhiata e Vjetër thotë për shembull: “Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë….” “le të zbresim dhe të ngatërrojmë gjuhët e tyre”. Këto pasazhe edhe të tjera si Trishenjti – Himni i Profetit Isaia ku përsëritet tre herë “Shenjt, Shenjt, Shenjt Zoti Sabaoth” natyrisht tregojnë karakterin triadik të Hyjnisë. Megjithatë do të ishte e pamundur për mendjen e njeriut të konceptonte këtë të vërtetë në qoftë se drita e madhërishme e Zbulesës Hyjnore e Dhiatës së Re nuk do ta kishte ndriçuar dhe nuk do ta prekte qartazi temën rreth Trinisë së Shenjtë. Kështu, Zoti ynë, pas Ngjalljes së Tij, kur i dërgoi Apostujt e Tij të predikonin, i urdhëroi ata të pagëzonin ata që besonin në “emrin e Atit, Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” (Mateu 28:19). Shën Pavli lutet që: “Hiri i Zotit Jisu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë” (II Kor 13:13) qofshin me të Krishterët. Ungjillori Shën Joan konfirmon se: “Sepse Tre janë Ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Shpirti i Shenjtë; dhe këta të tre janë një” (I Joanit 5:7). Ekzistojnë dëshmi të tjera rreth Perëndisë triadik, Trinisë së Shenjtë, në librat e shenjtë dhe të frymëzuara hyjnishmërisht të Dhiatës së Re të cilat një lexues i devotshëm do t’i zbulojë kur ai të studiojë Dhiatën e Re me kujdes dhe të cilat do t’i kuptojë nëpërmjet ndriçimit të Shpirtit të Shenjtë kur ai e kërkon me besim.