/Trashëgimi i Mëkatit Fillestar

Trashëgimi i Mëkatit Fillestar

Trashëgimi i mëkatit fillestar

Aspekti më i shëmtuar dhe më i trishtuar i Mëkatit fillestar (stërgjyshor), është transmetimi i tij nga njeriu i parë tek pasardhësit e tij dhe nga brezi në brez tek e gjithë raca njerëzore: një transmetim i trashëgueshëm si një gjendje dhe si një sëmundje e natyrës njerëzore dhe si një veprim fajtor personal i çdo njeriu. Që do të thotë, nuk mëkatoi vetëm Adami por në personin e tij të gjithë pasardhësit e tij, të gjithë njerëzit që e kanë prejardhjen prej tij. Kjo do të thotë se Adami nuk mëkatoi vetëm si individ por si paraardhësi dhe përfaqësuesi i racës njerëzore. Prandaj Perëndia ua ngarkoi për faj të gjithë njerëzve mëkatin e Adamit. Dhe për ta verifikuar këtë le të citojmë Shkrimin e Shenjtë: “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Këto fjalë të Apostullit të shenjtë padyshim nuk na tregojnë se nga buron kjo trashëgimi universale e pakëndshme. Këtë Apostulli na e shpjegon qartazi kur ai na thotë  se kjo buron nga rënia e paraetërve.  “Prandaj” na thotë Apostulli i hyj-frymëzuar “ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 5:12); që do të thotë, në personin e Adamit u përfshinë të gjithë pasardhësit e tij dhe të gjithë trashëguan mëkatin e Adamit dhe pasojat e atij mëkati që janë faji, prishja dhe shtrembërimi i natyrës sonë, tendenca dhe prirja drejt së keqes dhe së fundi vdekja. Kështu, siç e kemi thënë tashmë “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”. Tek Libri i Psalmeve ne gjejmë vargun që thotë: “Se ja tek u zura në paudhësi dhe në mëkate më lindi nëna ime” (Psalmi 50:5). Jobi, i vetëdijshëm për peshën e mëkatit pyet, “Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër”? Dhe na i jep vet përgjigjen: “Askush. Sepse ditët e tij janë të caktuara” (Jobi 14:4-5). Gjithashtu, Ungjillori Shën Joan thekson se të gjithë ne kemi nevojë të rilindemi nëpërmjet ujit dhe nëpërmjet Frymës, sepse nëpërmjet lindjes transmetohet ndotja prej mëkatit tek të gjithë ne, sepse “çka lindur nga mishi është mish” (Joani 3:6), dhe çdo njeri mëkatar prej natyre  është i nënshtruar ndaj zemërimit hyjnor sipas thënies: “ ishim prej natyre bij të zemërimit” (Efesianëve 2:3). Sigurish që ky është një mister i pashprehshëm. Si mund që të jem fajtor për mëkatin e një tjetri, për një mëkat për të cilin nuk kam pse të paguaj? Ky është me të vërtetë një mister i pashpjegueshëm.

Shënim: Kjo temë, ashtu si dhe vargu nga Letra e Shën Pavlit dërguar Romakëve 5:12 “ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” është një prej çështjeve më të vështira. Ka shumë interpretime rreth kësaj teme: por më i besueshëm duket interpretimi i Shën Qirilit të Aleksandrisë, i cili thotë: “Natyra njerëzore u sëmur nga mëkati nëpërmjet mosbindjes të një njeriu, që ishte Adami; në këtë mënyrë (e gjithë raca njerëzore) u bë e mëkatshme jo sepse ata ishin bashkëpunëtorë në shkeljen e Urdhëresës së Perëndisë bashkë me Adamin, duke qenë se ata nuk ekzistonin atëherë, por duke qenë prej së njëjtës natyrë me Adamin; të asaj natyre që ra nën ligjin e mëkatit.

Sidoqoftë është fakt se Perëndia ia ngjiti fajin e Adamit gjithë racës njerëzore, dhe kjo është e mistershme; gjithsesi transmetimi i saj është tërësisht natyral. Ne kemi sjellë tashmë shembuj të ngjashëm dhe kemi thënë se një përrua i turbullt vjen nga një burim i turbullt dhe nga një rrënjë e kalbur do dalin degë dhe fruta të kalbura dhe nga prindër të sëmurë fëmijë të sëmurë do të lindin. Pra e njëjta gjë është edhe në këtë rast. Që do të thotë, nga majaja e infektuar do të infektohet i gjithë brumi; kështu duke qenë se stërgjyshërit dhe paraardhësit tanë ishin të mëkatshëm dhe të korruptuar kështu do të ishin dhe të gjithë pasardhësit e tyre.

Por le të mos mbetemi vetëm tek pasoja negative që ne trashëguam dhe që sigurisht e ndiejmë brenda nesh peshën e saj. Le të shohim gjithashtu trashëgiminë e bekuar që ne shijojmë si të Krishterë – shpëtimin  dhe jetën e përjetshme. E para është për ne një mallkim, e dyta është një bekim. Shkaku i së parës, stërgjyshi ynë trupor, Adami i parë. Shkaku i së dytës, bekimit dhe hirit, është Adami i dytë dhe paraardhësi ynë, Zoti Jisu Krisht. Ne mbartim mallkimin për shkak të prejardhjes ndërsa bekimet nëpërmjet besimit dhe bindjes te Zoti ynë Jisu Krisht dhe tek Kisha e Tij.