Tempulli i kohërave biblike i gjendur pranë Jerusalemit mendohet të ketë lidhje me Arkën e Dhiatës.
Duke gërmuar në vendbanimin antik të Beth Shemesh-it, pranë Jerusalemit, arkeologët zbuluan një tempull 3.100 vjeçar. Brenda tij u gjend një tryezë shumë e veçantë prej guri që, sipas përshkrimeve biblike, ka ruajtur rol në kohën e Arkës së Dhiatës, në të cilën gjendeshin edhe pllakat ku ishin shkruar 10 Urdhërimet që iu dhanë Moisiut në Malin Sina.
Nëse hipoteza e lartpërmendur vërtetohet, kjo do të dëshmonte se Bibla përmban të vërteta të provuara historikisht shumë më të hershme nga sa kanë gjetur hulumtuesit.
Tempulli cilësohet si një i tillë pasi struktura e tij, me drejtim për nga lindja, ndryshon nga ajo e banesave të asaj kohe. Brenda në të u gjendën enë e kupa balte të zbukuruara, si dhe kocka kafshësh, dëshmi e ritualeve fetare që kryheshin asokohe. Tempulli në fjalë ishte shkatërruar diku nga mesi i shek. 12 p.K, dhe enët e përmendura më lart ishin të thyera. Meqenëse Beth Shemesh-i ishte një qytet kufitar ndërmjet Izraelitëve dhe Filistinëve, ishte një vend ku kryheshin përplasje të shumta mes tyre, prandaj shkatërrimin e këtij tempulli arkeologët ia atribuojnë Filistinëve.
Tempulli ishte zbuluar që në vitin 2012, por vetëm së fundmi u gjend tryeza e gurtë të cilën përmendëm më lart, e formuar nga një gur të madh horizontal të mbështetur mbi dy gurë të tjerë më të vegjël. Ajo i korrespondon përshkrimit dhe kohës së “gurit të madh” të përmendur në librin e parë të Samuelit, mbi të cilin u vendos Arka e Dhiatës pasi u mor nga filistinët dhe u pru në Beth-Shemesh (1 Sam. 6:13-15).