/Të Rinjtë Dhe Të Vërtetat E Besimit

Të Rinjtë Dhe Të Vërtetat E Besimit

Udhëzime shpirtërore për të rinjtë

Të Rinjtë Dhe Të Vërtetat E Besimit

Të nderuar dëgjues të Radios Ngjallja unë jam Urania Mandro dhe sot do të jem përsëri bashkë me ju për pak minuta, ku do të përpiqem të prek një tjetër çështje të rëndësishme për jetën e të rinjve dhe kryesisht atyre të rinjve që janë pjesë e komunitetit të krishterë.

Javën e kaluar folëm pak rreth Kishës dhe kishërimit të të rinjve, ndërsa sot do të përmendim disa nga të vërtetat që çdo besimtari, të riu apo të moshuar, do të duhet t’i thuhen.

Në një periudhë çorientimi shpirtëror, siç është pa dydhim kjo e jona, që më së tepërmi ky çorientim bie mbi të rinjtë, çfarë qëndrimi mbajmë ne si Kishë dhe çfarë mund t’u themi të rinjve?

          Shpesh herë përfundojmë dhe ne, teologë, katekistë, ose priftërinjë, duke u bërë si vipat e shou bizit; këngëtarë, prezantues, aktorë e të tjerë, të cilët përpiqen të ngrenë klube fansash. Qëllimi në këtë rast, është që t’i sjellim të rinjtë në Kishë, domethënë të mbushim kishat me një numër të madh njerëzish ose të kemi shumë ndjekës. Por ajo që kërkohet në realitet është që të rinjtë t’i afrohen Krishtit, jo personave të caktuar. Na e thotë në mënyrë karakteristike, Apostulli i kombeve Pavël: “Edhe këtë e them se secili prej jush, duke dashur të tregojë veten më të rëndësishëm, thotë: Unë jam i Pavlit, edhe: Unë i Apolloit, edhe: Unë i Kefait, edhe: Unë i Krishtit” (1 Kor 1:12).

          Të rinjtë nuk janë të marrë dhe sigurisht kuptojnë shumë më tepër nga sa mendojmë ne! Ata janë të etur dhe brohorasin për të vërtetën. Dhe këtë të vërtetë kemi për detyrë t’ua japim. As lajka, as dashuri të gënjeshtërta, as mashtrime moraliste. Thjesht të vërtetën e vetme. Të vërtetën e cila është Person. Ky Person i Cili i fton të vijnë pranë Tij, dhe kjo ftesë bëhet në liri të plotë dhe me dëshirën e tyre. Ftesa është është e qartë dhe vendimi mbetet i tyre: “Edhe si thirri pranë turmën bashkë me nxënësit e tij, u tha atyre: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas” (Mk. 8:34).

          Citova më sipër fjalët e Zotit, i cili pa shumë sqarime teologjike dhe komplekse, por me fjalë të thjeshta e shumë të kuptueshme, u foli njerëzve të vërtetën. Të vërtetën, të cilën jemi të thirrur t’ja përcjellim kaq thjesht dhe kaq të kuptueshme edhe të rinjve.

          Nuk do u themi të rinjve që nuk ekziston mëkati, por do t’i drejtojmë në jetën e vërtetë dhe në shërim. Do t’u shpjegojmë cili është qëllimi dhe përse mosqëllimi, ose ndryshe mëkati, i kushton dhe i shkakton dhimbje qenies njerëzore.

          Nuk do t’u themi si të luftojnë në errësirë, por t’u tregojmë si të ndezin dritën për të zbuluar realitetitn.

          Nuk do t’u themi të rinjve që jeta është e bukur vetëm me shakara dhe qyfyre, por do t’u mësojmë të marrin përgjegjësitë e tyre me urtësi, butësi dhe guxim, dhe t’u tregojmë se jeta është një udhëtim për të cilin anija ka nevojë për një kapiten të mirë, dhe kapiten më i mirë se Krishti nuk ekziston.

          Nuk do u themi të rinjve se “s’ka problem, mos u mërzit”, sepse kjo mund t’u kushtojë jetën. Mund t’u themi se mbas një “s’ka problem”, mund të fshihet vdekja.

          Nuk do t’u themi të rinjve se e liga nuk është person ose që djalli nuk ekziston. Përkundrazi, duhet t’u themi se djalli është person dhe ne duhet të dimë si lëviz armiku që të mund të mbrohemi. Ai qëndron gati në çdo kohë, i pafjetur, për të na goditur.

          Nuk do t’u themi të rinjve se erosi është një kënaqësi seksuale që nuk shkakton pasoja dhe probleme, por që është një vendim me destinacion jete me një person, të cilit, unë do t’i jepem plotësisht dhe brenda kësaj marrëdhënieje do të vendos Krishtin. Do t’u themi se erosi ka vlerë vetëm kur ai realizon destinacionin e tij dhe lulëzon si dashuri brenda vreshtit të Zotit dhe ky kultivim bëhet vetëm me Krishtin në Misterin e martesës. Jashtë saj gjithçka e merr era. Nuk është i keq erosi, por i keq mund të jetë drejtimi që po i japim. Erosi pa një qëllim dhe një destinacion është si një lule me rrënjë në gurishte, e cila menjëherë do të thahet. Destinacioni i erosit është Dashuria në përsosmërinë e saj, në Mbretërinë e Qiejve, ku do të mbijë rrënja e lules në vreshtin e Zotit dhe do të ushqehet nga frytet e hirit të Perëndisë. Ky është Misteri i Madh i Martesës në Kishë.

          Nuk do t’u themi të rinjve se Misteret janë bekime magjike dhe se duhet të bëjnë në thonjëza sakrifica të tjera që kështu të shkruajnë mirë në provime. Duhet t’u themi se bekimimi ka nevojë për pranim të brendshëm, që të vijë e të banojë brenda shpirtit, gjë e cila arrihet me mpërpjekje dhe jo me magji. Gëzimet dhe sukseset e kësaj bote janë mjetet për t’u shfaqur virtytet e hirit dhe jo një qëllim arrogant personal.

          Nuk do t’u themi që tatuazhet nuk kanë asgjë të keqe, por do t’u mësojmë se trupi i secilit prej nesh është tempulli i Shpirtit të Shenjtë dhe se do të ngjallet i plotë në Ardhjen e Dytë të Perëndinjeriut Krisht. Është diamanti ynë, guri i çmuar i qiellit. Le të bëjmë Krishtin tatuazh në zemrën tonë, tatuazh i cili, sigurisht, nuk do të shuhet kurrë.

          Nu do t’u themi se Perëndia është një Gjykatës i mbinatyrshëm por një Perëndi dashurie dhe drejtësie që mori trup dhe u shfaq në botë për të na shpëtuar, duke pritur njerëzimin krahapur, për ta falur dhe shëruar atë.

          Do t’u themi se Misteri i Rrëfimit nuk është të vendosë dënime për të këqijtë, por është një dialog dashurie mes mjekut dhe pacientit, siç është ai i babait me të birin me qëllim terapinë dhe shërimin e neriut të sëmurur nga mëkati.

          Nuk do t’u themi se Perëndia përmbush çdo dëshirë tonën, as që është si xhindi i famshëm i përrallave, por se Ai është një atë i dashur dhe i dhembshur, i cili shqetësohet jashtë mase për ne dhe çdo dëshirë tonën e realizon në dobi të shpirtit dhe trupit tonë ose nuk e realizon përsëri për të njëjtin qëllim. Duhet t’u themi se lutja është një dialog mes dy personash, mua dhe Perëndisë, dhe jo disa fjalë që mendojmë ose shqiptojmë, për të kënaqur atë qenien abstrakte dhe transhendente, sepse ajo qenie realisht, e cila është Person, nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për të.

          Nuk do t’u themi të rinjve se Liturgjia Hyjnore është një thjesht përkujtim i Darkës Mistike të Krishtit me nxënësit e Tij, por është sakrifikimi i Krishtit çdo herë që bëhet Liturgji Hyjnore, ku ne marrim Trupin dhe Gjakun e Tij.

          Nuk do t’u themi të rinjve se shenjtorët janë qenie jashtëtokësore me aftësi magjike, poq që shenjtorët kanë jetuar në tokë si të gjithë ne dhe se kanë patur një jetë të mbushur me praninë e Perëndisë. Dhe mbi të gjitha: Se të gjithë ne jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë.

          Nuk do t’u themi të rinjve se Ortodoksia është një fe, por ajo është një Zbulesë e Perëndisë tek njerëzit për njerëzit. Se ajo është rruga terapeutike përmes së cilës ne jemi të thirrur të bëhemi perëndi sipas hirit, me anë të Mistereve të Shenjta të Kishës.

          Nuk do t’u themi se shkojmë në Kishë që kështu të kemi një jetë më të qetë, me të rrehatshme dhe më të shëndetshme, por duhet t’u themi se si gjymtyrë të trupit të Krishtit, luftojmë për të dashur madje dhe armikun tonë, por diçka e tillë kërkon mund dhe përpjekje të madhe. Brenda Kishës unë përballem me veten time të ligë, që dëshiron të më tërheqë poshtë dhe që ma prezanton mëkatin si virtyt. Por brenda Kishës, që është limani i shpëtimit, kapem dhe sigurohem me spirancën e Hirit të Perëndisë, dhe gjithçka do të ndryshojë dhe do të transformohet.

          Nuk i sjellim të rinjtë pranë Krishti për t’u thënë se eja kungohu dhe se të pret Parajsa me portat e çelura dhe se çdo gjë është në rregull. Në këtë mënyrë ne e fyejmë misterin e Falenderimit Hyjnor dhe nuk e shërojmë njeriun; përkundrazi i krijojmë problem. Do të duhet t’i drejtojmë ata drejt Krishtit me seriozitet, përgjegjësi të madhe dhe dallueshmëri, gjithmonë sipas personit që do të kemi përballë.

          T’i drejtojmë të rinjtë drejt marrëdhënies me Perëndinë, jo me fjalë, por me shembullin tonë dhe të tjerat ia lëmë Perëndisë në dorë, sepse Atij i përkasin. Ne le të mbjellim thjesht farën. Perëndia është Ai që e rrit.

          Të rijntë duan të vërteta dhe ato kërkojnë. Dhe ne jemi të thirrur tua japim me dallueshmëri dhe dashuri, por gjithmonë të jenë të vërteta. Ngjallje pa Kryq nuk ka.

          “Edhe do të njihni të vërtetën, edhe e vërteta do t’ju çlirojë ju” (Jn. 8:32).