/Talantat dhe Përgjegjësia

Talantat dhe Përgjegjësia

“Njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; gjithësecilit sipas fuqisë së tij” v. 15.

Një interes, tepër të madh shoqëror, ka shëmbëlltyra shumë e bukur e talantave, që dëgjuam në Ungjillin e sotëm.

* * *

Një njeri, që kishte shumë shërbëtorë dhe pasuri, po bëhej gati të udhëtonte. Që të mos mbeteshin të ngrira pasuritë e tij, thirri shërbëtorët e tij dhe u dorëzoi administrimin e tyre, që t’u kërkojë llogari, në kohën e duhur. Ata do duhej të punonin dhe të vraponin, të djersitnin, që të shtonin talantat, t’i shumëfishonin. Secilit i dha sipas fuqisë së tij. Megjithatë, nuk la asnjërin pa i dhënë diçka.

Të dy shërbëtorët e parë, thotë shëmbëlltyra, e ndjenë, menjëherë, qëllimin e ofresës së talantave. Dhe nuk mbetën pa punë. I vunë në lëvizje kapitalet dhe morën fitime: E dyfishuan kapitalin. I pari, pesë talantat i bëri dhjetë dhe i dyti, dy i bëri katër. Ndërsa i treti, e futi në dhé talantën e tij, dhe mbeti i papunë, dembel dhe duke u ankuar.

Por, erdhi dhe dita për të dhënë llogari. Zoti u kthye dhe kërkoi llogari. Me gëzim, dy të parët i përmendën fitimet e tyre. Dhe secili prej tyre dëgjoi lëvdatën e zotit: “Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e zotit tënd.” v. 21.

Por, i rëndë ishte dënimi për shërbëtorin dembel. Ai, për të justifikuar dembelizmin e tij, guxoi ta karakterizojë zotin e shtëpisë, të padrejtë dhe tiran. Por, dëgjoi vendimin të tmerrshëm: “Shërbëtorin e pavlefshëm hidheni në errësirën e jashtme, atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.” v. 30.

* * *

Qëllimi i kësaj shëmbëlltyre është të kuptojmë, të gjithë dhe secilido në veçanti, në mënyrë të plotë, se na përket dhe neve; ta zbatojmë në jetën tonë, që të fitojmë shpëtimin tonë të përjetshëm, Mbretërinë e Perëndisë. Në këtë shëmbëlltyrë, njeriu i pasur, është Zoti ynë Jisu Krisht. Shërbëtorë, jemi të gjithë ne, njerëzit. Dhe talanta, janë të mirat e shumëllojshme materiale dhe shpirtërore, që Zoti ua dhuron të gjithë njerëzve.

· Talantë, është pasuria. Si ekonomistë të mirë, të bëjmë administrim të mirë, në mënyrë, që teprica e njërit të plotësojë mungesën e tjetrit, siç na këshillon apostull Pavli, që të kemi barazi. 2 Korinthianëve 8, 14.

· Talantë, është detyra dhe përgjegjësia, që ka njeriu brenda shoqërisë së organizuar.

· Talantë, është zgjuarsia dhe memoria e fortë, me të cilën Perëndia pasuron njeriun.

· Talantë, është dhe zotërimi i shumë dijeve dhe i edukimit të pasur shkencor dhe enciklopedik.

· Talantë, është aftësia e shkëlqyer retorike dhe mundësia e të shprehurit të dikujt me lehtësi.

· Talantë, është aftësia gazetareske, të shkruaj, të njoftojë popullin, me lajme dhe ngjarje të vërteta.

Çdo bekim nga Perëndia është talantë.

Të gjithë marrin talanta. Ndoshta, mund të mendoj dikush duke thënë, se s’ka asnjë nga këto. As i pasur nuk është, as pozita nuk ka, as nuk disponon dhunti të privilegjuara. Domethënë ai nuk ka talanta… Dhe megjithatë, asnjëri nuk mund të thotë se nuk ka talanta. Dhe ti ke talanta, dhe ti shijon nga bekimet hyjnore.

Beson te Krishti? Ja, talanta jote. Përse e fsheh? Përse ke turp të dëshmosh besën tënde, që të ndriçohen dhe shpirtra të tjerë, dhe kështu të shumohen talantat? Ke dhe ti një zemër, që është krijuar për të dashuruar. Pse e fsheh talantën e dashurisë, në varrin e errët të urrejtjes dhe të ligësisë, dhe nuk lejon të ndriçojë rrezatimi i Tij, që të ngrohë zemrat e akulluara?

Nëse je i ri apo e re, rinia është talanta jote. Përse nuk kujdesesh për edukatën, për përparimin tënd? Përse vitet e jetës sate të humbasin dhe rinia jote të kalbet në pellgun e ndotur të mëkatit? Nëse je mësues, e shkëlqyeshme është talanta jote. Por, përse e mbulon me pluhurin e indiferentizmit? Atdheu të beson fëmijët e tij. Nuk të do gramafon, pa jetë dhe pa ritëm, por mësues të gjallë, frymëzues dhe shndërrues, i cili do të farkëtojë karaktere dhe do të formojë qytetarë të mirë.

Nëse je klerik, përse e fsheh talantën tënde? Përse mbulon me mendime të dheshme, zjarrin e Shpirtit të Tërëshenjtë, që fsheh në zemrën tënde, madje në momentin, kur përkrah teje humbasin shpirtra të pavdekshëm, për të cilët mban dhe ti përgjegjësi?

* * *

Të gjithëve ne, shpërblimi i shërbëtorëve, që i shfrytëzuan talentat, të cilat ua besoi zoti i shtëpisë, dhe dënimi i shërbëtorit të pavlefshëm, që groposi dhe shpërdoroi talantën e tij, duhet të na vënë në mendime ndërtuese: Gëzim për punimin e talantave tona, por edhe frikë për mos përdorimin e dhuntive, që na dha Perëndia dhe dënimin, që na pret nëse nuk do t’i shfrytëzojmë.

I njëjti dënim mund të dëgjohet dhe për njerëz të kohës sonë dhe ndoshta edhe për disa nga ne, besimtarët. Nuk punojmë gjithmonë, nuk përpiqemi aq sa duhet, që të shumëfishojmë “talantat”, që Zoti na i besoi. Shpesh, për shembull, edukimin, shkencën, të mirat materiale, nuk i përdorim për nevojat e të afërmëve tanë. Dhe, për më tepër, “talantat” shpirtërore nuk i shfrytëzojmë, siç duhet.

Kemi thesarin e besës sonë dhe nuk i përhapim të vërtetat e Krishtit, në momentin, kur heretikët bëjnë orgji. I krishteri, që nuk e depoziton çdo talantë shpirtërore në bankën e shpirtrave të të tjerëve, është “shërbëtor i pavlefshëm”. Shumimi i talantave, është një detyrë parësore e çdo besimtari. Le t’i shumojmë ato, që dimë për besën tonë. Le të thellohemi vazhdimisht në studimin e fjalës së Perëndisë dhe le të “mos e fshehim fjalën e Perëndisë”, siç thotë himnografi i hirshëm në troparin e të Martës së Madhe.

Shumë njerëz, të pajisur me një sërë kualifikimesh, i lini të pashfrytëzuara, dhe ngushëlloheni, se nuk i përdorni për keq, si disa të tjerë. Por, pikërisht, ky është krimi, shërbëtorë të pavlefshëm, se i lini të tjerët të shkatërrojnë të shenjtat dhe të hirshmet dhe mbeteni me duart të kryqëzuara, me sytë të përgjumur.

Talanta i quan. Dhe talantat janë të hyjshme. Nuk jepen për mburrje, por për punë. Jo për t’u dukur dhe për t’u kënaqur, por për të vepruar dhe për t’u shfrytëzuar. Janë kapitale, që na sjellin fitime. Kualifikime, për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Rrjedhimisht, caktojnë detyra dhe borxhe, që duan mundime, vrapime, luftëra, privime, shumë sakrifica të përditshme.

Të gjithë mund të kenë të drejtën e pushimit në punë. Vetëm njëri nuk e ka këtë të drejtë. I krishteri. I krishteri në dëshminë e besës dhe të jetës shpirtërore nuk mund të bëj pushim. Nuk do të dënohet vetëm ai, që vjedh, por edhe ai që nuk ofron. Jo vetëm ai, që nuk bën keq, por edhe ai, që nuk bën mirë. Fjala e Perëndisë është kategorike, nëpërmjet gojës së apostull Jakovit, vëllait të Krishtit: “Ai që di të bëjë të mirën dhe nuk e bën, bën mëkat” Jakovit 4, 17. Dhe përsëri, le të dëgjojmë shën Joan Gojartin, çfarë na këshillon në lidhje me këtë rast: “Ti e di se, jo vetëm lakmitari dhe grabitësi, gjithashtu dhe ai që bën të ligën, do të dënohet, por edhe ai që nuk bën të mirën, ndëshkohet me dënimin e fundit” E.P.E. 12, 92.

Sa kemi kohë, le të punojmë. Mjaft kohë ndenjëm pa punuar dhe pa u aktivizuar. Le të punojmë për shpëtimin tonë, por edhe për shpëtimin e të tjerëve. Dhe shton përsëri i njëjti atë i shenjtë: “Prandaj Perëndia na dha dhuntinë e fjalës, dhe duar, dhe këmbë, dhe fuqi trupore, që t’i përdorim për shpëtimin tonë dhe për dobi të të tjerëve.” E.P.E. 12, 94.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le t’i përvishemi punës, para se të jetë vonë, para se të vijë ora e vdekjes. Atëherë, kur do të thirremi të japim llogari. Asnjë nuk do të mund të na japë orë pune, kur libri i jetës sonë do të ketë zero orë pune për të mirën, për dashurinë, për besën, për Perëndinë. Le të kemi frikë dhe le të marrim përsipër, më në fund, punën, dhe le të kultivojmë secili talantat tona, që të dëgjojmë atë ditë të madhe: “Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e Zotit tënd.” v. 21. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 03.02.2019