U zhvillua ditën e Shtunë datë 18 Maj 2024 ora 10:00 – 12:00 në ambientet e Hotel “Mondial” pranë 21 Dhjetorit në Tiranë aktiviteti me temë: “Festojmë Familjen” organizuar nga Radio “Ngjallja” e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe World Vision Albania në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë. Ky takim është rezultat i bashkëpunimit prej vitesh ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe World Vision Albania bazuar në modulin “Festojmë Familjen”. Duke marrë në konsideratë gjëndjen e familjes në shoqërinë tonë e cila po shfaq kriza dhe probleme të mëdha dhe nisur nga kjo del një detyrë e të gjithë ne të Krishterëve të shtrijmë bashkëpunimin dhe së bashku të shpallim qëllimin edhe të këtij aktiviteti në mbrojtjen, forcimin dhe ruajtjen e vlerave të familjes. Së bashku si komunitete të Krishtera të krijojmë këtë bashkëpunim me ngritjen e një strukture bërthamë ku urat tona të bashkëpunimit të kthehen edhe në nisma, projekte dhe angazhim të përbashkët për të mbrojtur familjen, promovuar vlerat e krishtera dhe për të shërbyer së bashku në të mirën e shoqërisë shqiptare. Tronditja e vlerave dhe problemet që ka shfaqur familja dhe gjithë shoqëria, janë një sfidë e madhe, ku ne të Krishterët duhet të angazhohemi së bashku edhe me grupe të tjera interesi që kanë në themel të punës së tyre mbrojtjen e familjes. Aktiviteti nisi me shfaqjen e dokumentarit “Festojmë Familjen” dhe më pas Krerët e lartë fetarë të Krishterë nga Kisha Katolike Kryeipeshkvi i Kryedioqezës Tiranë – Durrës Imzot Arjan Dodaj, nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani dhe nga Vëllazëria Ungjillore Presidenti i saj Pastor Ergest Biti përçuan mesazhet e tyre në mbrojtjen dhe në ruajtjen e institucionit më të hershëm të themeluar nga Perëndia atë të familjes. Takimi më pas u zhvillua me temat që u mbajtën nga të ftuarit përfaqësues nga të tre komunitetet nga Kisha Katolike Motër Rita Deda, nga Kisha Ungjillore z. Sevin Serjani, nga Kisha Orthodhokse Atë Grigor Pelushi si edhe përshëndetën pjesëmarrësit Episkopi i Bylit Hirësi Asti dhe Pastor Alesio Sema. Ky aktivitet u moderua nga znj Valbona Duri koordinatore e përfshirë në këtë projekt. Ky aktivitet u zhvillua me bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas dhe u përshëndet nga krerët e lartë të komuniteteve të Krishtera të cilët vlerësuan dhe përgëzuan organizimin e këtij aktiviteti. I gjithë aktiviteti u transmetua live nga TV CNA.al dhe Radio Ngjallja.