/Skampini qyteti i bazilikave – Ilirjan Gjika

Skampini qyteti i bazilikave – Ilirjan Gjika

I shtrirë në fushën me të njëjtin emër përgjatë rrjedhës së mesme të lumit Shkumbin, Elbasani, është një prej qyteteve më të njohur dhe të rëndësishëm të Shqipërisë. I ngritur në vitin 1466, ai u rindërtua mbi rrënojat e mureve të qytetit antik dhe mesjetar të Skampinit1. Ky i fundit mendohet se u ndërtua në fund të shek. III si vendqëndrim ushtarak i tipit castrum2. Ai kishte formë katërkëndëshi me gjatësi 348 m, gjerësi 308 m dhe një sipërfaqe prej 10 ha. Skampini shtrihej përgjatë aksit të rrugës Egnatia të cilin e kontrollonte nëpërmjet portave të perëndimit dhe lindjes, që mbylleshin për rrugëtarët gjatë mbrëmjes3.
Me emrin Scampis dhe Hiscampis, qyteti, përmendet në itineraret romake të udhëtimit përgjatë shekujve III dhe IV. Të tillë ishin Tabula e Peutingerit, Itinerari i Antoninit, apo Itinerari i Burdigalës4. Ndërkohë në vitin 476, do të ishte historiani bizantin Malkusi, i cili e cilëson Skampinin si një qendër të rëndësishme midis Durrësit dhe Ohrit, kur ai do të sulmohej nga gotët e Teodorikut5. Pikërisht gjatë kësaj periudhe kemi dy dëshmi historike rreth zhvillimeve të krishtërimit në këtë qytet, që konsiderohej një nga më të rëndësishmit e provincës së Epirit të Ri. Kështu ai përmendet me emrin Escampenus së bashku me peshkopin Artemius në letrën e perandorit Leon të vitit 458. Ndërsa në vitin 519 kemi dy letrat të dërgatës së papës Hormisdas e cila nëpërmjet Skampinit udhëtoi përgjatë vijës Egnatia. Në to përmendet peshkopin Trojus, bazilika e Shën Pjetrit, kleri, besimtarët dhe forcat ushtarake të qytetit6. Duhet theksuar se gjatë kësaj kohe brenda mureve të Skampinit dhe jashtë tij ishin ndërtuar disa bazilika të periudhës paleokristiane. Prova të ekzistencës së tyre na vijnë prej gërmimeve arkeologjike gjatë të cilave janë gjetur rrënojat e tre objektesh kulti7. Le ti shohim me radhë ato.
Bazilika e parë e zbuluar në mënyrë rastësore gjatë punimeve bujqësore është ajo në kodrën e Tepes, në pjesën perëndimore të Elbasanit. Gërmimet e saj u zhvilluan në vitet 1968-1969 nga Neritan Ceka dhe Aleksandër Meksi8. E ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. IV ajo është një bazilikë trenefëshe që përbëhej nga naosi, absida gjysëmërrethore, narteksi, dhe disa ambiente ndihmëse në dy krahët e aksit gjatësor të saj9. Naosi ndahej në tre nefe nëpërmjet harkadave të mbështetura mbi pilastra të ndërtuara me gurë dhe breza tullash, ku nefi qëndror ishte më i gjerë dhe më i lartë se dy të tjerët. Bazilika mbulohej me çati tjegullash ndërsa dyshemeja ishte e shtruar me dhe10. Në një fazë tjetër në mesin e shek. V, objekti, i nënshtrohet ndryshimeve të shumta, ku shtohet ekzonarteksi dhe kapelë një varrimi pjesën verilindore. Nefet ndahen midis tyre me mure, ku ai qëndror shtrohet me mozaikë ndërsa dy të tjerët përdoren për varrim. Po kështu ndërtohet një ikonostas i gurtë dhe në absidë ndërtohen shkallët e sinthronit. Në këtë mënyrë bazilika përshtatet plotësisht si një kishë varreze, rol të cilin e kishte edhe mëparë. Më pas ajo do të rrënohet nga shkaqe natyrore gjatë shek. VI dhe nuk do të rindërtohet dhe funksionojë si dikur11.
Ndërkohë në vitet 1987-1988 gjatë gërmimeve në sektorin A, në pjesën jugperëndimore të kalasë, arkeologu Ylli Cerova zbuloi rrënojat e një monumenti paleokristian. Prej objektit ruheshin mure të ndërtuara me teknikën opus mixtum në lartësinë deri 1 m12. Ndërsa materiali i pasur i skulpturës dekorative bëri që të kristalizohej ideja për ekzistencën e një bazilike të madhe por pa aluduar me tej13.
Ndërkohë që në vitin 2007 në qëndër të qytetit të Elbasanit, pranë portës jugore të kalasë u gjetën gjatë punimeve publike të bashkisë rrënojat e një tjetër bazilike paleokristiane. Pas zbulimit në vitin 2008, nisën gërmimet nga Instituti i Arkeologjisë të drejtuara nga arkeologët Ylli Cerova dhe Elio Hobdari, të cilat u shoqëruan më pas me konservimin e mureve, mozaikëve dhe mbetjeve të pikturës murale nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës14. E konsideruar si bazilika ‘’Extra-muros”, kjo kishë përbëhej nga naosi, kthina e altarit, narteksi, ekzonarteksi dhe dy ambiente ndihmëse në krahë të narteksit15. Naosi përbëhej nga tre nefe, ku ai qëndrori është më i lartë dhe më i gjerë se dy të tjerët. Ata ndaheshin ndërmjet tyre nëpërmjet harkadash të ndërtuara me tulla dhe të mbështetura mbi kolona mermeri të tipeve dhe përmasave të ndryshme16. Nga gërmimet në absidë u gjetën shkallët e sinthronit, dyshemeja e sanktuarit dhe baza e katedrës. Ndërkohë që absida gjysëmrrethore ishte e pajisur me një dritare treshe për të cilën ishin përdorur panele qelqi. Dyshemeja e naosit, narteksit dhe absidës kanë qenë të zbukuruar me mozaikë, midis tyre edhe fragmente mozaiku parietal (mural), në figurat e të cilëve gjejmë e skena nga eukaristia, figura me motive floreale dhe zoomorfe, tipike të periudhës së krishtërimit të hershëm17. Për krijimin e tyre janë përdorur tesera guri gëlqeror, mermeri të bardhë, gurë të zinj, copa qeramike dhe qelqi. Po kështu, bazilika, ka qenë e zbukuruar edhe me elementë të skulpturës paleokristiane, ku janë përdorur disa lloje mermeri me origjinë nga Prokonezi, Pendeli apo Azia e Vogël. Ndërkohë në pjesën e poshtëme të një pjese muresh u gjetën edhe gjurmë të pikturës murale18.
Nga gjetjet arkeologjike rezulton se edhe kjo faltore është përdorur për qëllime sepulkrale qysh në fillimet e saj. Këtë e tregojnë varret me arkitekturë të gjetura në hapësirën brenda dhe jashtë saj, një pjesë e të cilëve janë studjuar ndërsa pjesa tjetër janë në proçes. Në rrënojat e bazilikës u gjetën fragmente skulpture dekorative, monedha, mbetje enësh qelqi, pjesë të pajisjeve ndriçuese, mbishkrime, etj19. Më pas kisha është shkatërruar dhe rindërtuar përsëri, ku një rol kanë luajtur shkaqet natyrore. Të tilla kanë qenë vërshimet e përroit të Zaranikës që dikur kalonte aty pranë. Një gjë të tillë e vërteton shtresa e trashë e aluvioneve e cila e kishte përfshirë nën vete këtë objekt duke e humbur për një kohë të gjatë nga kujtesa kolektive20.
Gjetja e tre bazilikave paleokristiane në intervale të njëjta kohore nga njëra-tjetra, ka treguar se nëntoka e këtij qyteti mund rezervon surpriza të tjera. Sipas gjasave qyteti i Skampinit duhet të ketë patur edhe bazilika të tjera. Gjithsesi ekzistenca e tyre dëshmon për një traditën të vjetër të krishtërimit me rrënjë të forta që nga periudha e antikitetit të vonë.
……………………..
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 232
2-Ylli Cerova, Skulptura dekorative arkitektonike paleokristiane në trevën Elbasanit, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 115
3-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, 276-277; Ylli Cerova, Skulptura dekorative arkitektonike paleokristiane në trevën Elbasanit, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 115
4-Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë 1965, f. 308-319
5-Malchi Fragmenta Byzantiaca, 413
6-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia. Collegerunt et digesserunt, v, 1, Vindobonae 1913, 23, 29, 30
7-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 277; Y. Cerova, Gërmimet arkeologjike të vitit 1988, Iliria, 2, 1988, f. 273-274; Y. Cerova-E. Hobdari-A. Islami, Bazilika paleokristiane extra-muros në Scampis (Elbasan); Rezultatet e gërmimeve 2007-2009, Candavia, 3, Tiranë 2011, f. 105-118
8-A. Meksi-N. Ceka, Bazilika e Tepes, Buletini Arkeologjik, Tiranë 1971, f. 184-190; S. Kosta-U. Çikopano, Mozaiku i Bazilikës paleokristiane në Tepe të Elbasanit. Monumentet, 1, Tiranë 1990, f. 128-137
9-Aleksandër Meksi, Arkitektura paleokristiane në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1985, f. 17
10-Po aty, f. 17
11-Po aty, f. 17; Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 277-178
12-Ylli Cerova, Elbasan-Kala, Gërmimet arkeologjike të vitit 1987, Iliria, 2, 1987, f. 265-266; Ylli Cerova, Elbasan (Kala), Gërmimet arkeologjike të vitit 1988, Iliria, 2, 1988, f. 273-274
13-Ylli Cerova, Skulptura dekorative arkitektonike paleokristiane në trevën Elbasanit, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 115-126
14-E. Hobdari-Y. Cerova, Bazilika paleokristiane extra-muros e Scampis (Elbasan), Iliria, 36, Tiranë 2012, f. 451-456; Y. Cerova-E. Hobdari-A. Islami, Bazilika paleokristiane extra-muros në Scampis (Elbasan); Rezultatet e gërmimeve 2007-2009, Candavia, 3, Tiranë 2011, f. 105-118
15-E. Hobdari-Y. Cerova, Bazilika paleokristiane extra-muros e Scampis (Elbasan), Iliria, 37, Tiranë 2013, f. 409-426
16-Po aty, f. 409-426
17-E. Hobdari-Y. Cerova, Bazilika paleokristiane extra-muros e Scampis (Elbasan), Iliria, 36, Tiranë 2012, f. 451-456
18-E. Hobdari-Y. Cerova, Bazilika paleokristiane extra-muros e Scampis (Elbasan), Iliria, 37, Tiranë 2013, f. 409-426
19-Po aty, f. 409-426
20-Bisedë me arkeologun Elio Hobdari, Elbasan, dt. 1. 4. 2023