Vërejmë se dikush na thotë diçka dhe ne ofendohemi, apo biem në melankoli Një herë më pyeti dikush: “Si mund ta kuptoj nëse jeta ime shpirtërore po ecën në drejtimin e duhur? Shpesh herë shoh persona që shkojnë në kishë, luten, marrin pjesë në shërbesa, marrin Misteret e Shenjta, por ndërkohë nuk shoh ndonjë ndryshim të konsiderueshëm në jetët e tyre, madje duket se nuk ndryshojnë shumë nga njerëzit e botës. Prisja diçka më tepër. Cilat pra, janë shenjat e një jete të denjë shpirtërore?
Nuk mund të them se ka një numër të caktuar shenjash dalluese. Për sa i takon kësaj sfere, “llogaritë” i bën Perëndia, pasi ndryshimet ndodhin në zemrën e gjithsecilit dhe janë të fshehura nga sytë tanë. Nga njëra anë, se çfarë ndodh në thellësi të shpirtit tënd e ti vetëm ti dhe Perëndia, por nga ana tjetër, disa gjëra i përcakton edhe sjellja jote, qoftë me gruan, fëmijët apo këdo tjetër.
Disa i dëgjoj të thonë: “Kam ardhur në kishë qëkur kam qenë fëmijë.” Ҫ’do të thotë kjo? Cili është rezultati, pra çfarë ke arritur gjatë këtyre viteve? Për shembull, nuk mund të thuash se ke pesë vjet që shkon në palestër, dhe nga 80 kg që ke qenë në fillim, tani ke arritur 110. Apo të thuash se zotëron anglishten, por kur shkon në aeroport nuk arrin dot të lidhësh dy fjalë. Në të njëjtën mënyrë, kur themi se jetojmë më Krishtin, kjo gjë do të bëhet e dukshme vetëm nga frytet që shfaqim. Jeta e brendshme shpirtërore do të manifestohet në një mënyrë apo në një tjetër nga sjelljet e jashtme. Kur ndjejmë se jemi pranë Krishtit, gëzimi që provojmë nuk është i jashtëm, por i brendshëm, p.sh. nuk ligështohemi apo zhgënjehemi përballë situatave të caktuara delikate.
sa herë koha bëhet e zymtë. Ndërkohë, ai që përparon në jetën shpirtërore ndjen se e gjithë qenia i përshkohet nga një paqe e brendshme, e cila shfaqet dukshëm në çdo sjellje a veprim. Shën Isaak Siriani e krahason këtë (metaforikisht) me një person të dehur, të cilit edhe po t’i thonë se shtëpia i ka marrë zjarr, ai nuk turbullohet shumë. Gëzimi i brendshëm është pasojë e bekimeve që Perëndia derdh mbi ne. Kur Shpirti i Shenjtë vjen dhe banon ndër ne, asnjë trazirë e jashtme nuk mund ta turbullojë paqen e brendshme që mbizotëron në shpirtrat tanë.
Mbaj mend disa fjalë të Jerondisës Gabriela, që thoshte: “Nuk ka asnjë që të mund të ma lëndojë shpirtin, apo të më largojë gëzimin”, thoshte ajo. Padyshim, ajo nuk ishte privuar nga ofendimet, gjykimet apo shqetësimet. Ama ajo për të cilën ne jemi përgjegjës është pikërisht mënyra se si kundërpërgjigjemi në këto raste. Kjo përcakton edhe ecurinë tonë shpirtërore. Nëse vjen dikush i nervozuar dhe nis e na bërtet, atëherë gjendja e këtij të fundit, sipas shën Porfirit, është si të ishte i vrarë e të kullonte gjak. Sigurisht, përballë një personi të tillë, sjellja jonë duhet të jetë sa më e mirë. Të përpiqemi më tepër të shohim me “lentet” e tjetrit, të kuptojmë më thellë shpirtin tonë, por edhe të vëllait.
Para shumë kohësh më ndodhi që humba durimin ndaj dikujt dhe zura t’i flas shumë ashpër, ndërkohë ky i fundit vetëm më vështronte i qetë. Pasi kaloi njëfarë kohe e pyeta: “Si ia bëje, që më duroje?” Ai ma ktheu: “E kuptoja që ishe i mërzitur dhe nuk doja të të mërzisja akoma më tepër, as të të lëndoja”. Dëgjojeni pra, me kujdes të afërmin tuaj, por mos e përfshini veten në problemet e tij.
Një ditë, teksa jerondi Paisi po udhëtonte mbi një anije nga Dafni për në Ouranopolis, i ofruan një dhomë më vete, që të mos shqetësohej nga njerëzit. “Përse,”, pyeti jerondi, “përse të rri vetëm, sikur të isha duke fshehur diçka? A nuk jemi të gjithë njëlloj?” Kjo ka një rëndësi të veçantë. Duhet të mbajmë ndër mend se të gjithë jemi vëllezër e motra më Krishtin, në rrugëtimin drejt një qëllimi të përbashkët. Sa më shumë përparojmë shpirtërisht, aq më shumë lidhemi dhe afrohemi me të afërmin. Kur të fillojnë të hapen zemrat tona ndaj fjalëve të Krishtit, që tha se jemi shërbëtorë të vëllezërve, atëherë do të fillojmë të kuptojmë se çdo të thotë në të vërtetë të lash këmbët e tjetrit.