/Shpjegimi i Shërbesës së Martesës në Kishën Orthodhokse

Shpjegimi i Shërbesës së Martesës në Kishën Orthodhokse

Shpjegimi i shërbesës së martesës

Martesa e Shenjtë është një Mister në Kishën Orthodhokse në të cilën një grua dhe një burrë betohen solemnisht përpara Krishtit, priftit dhe komunitetit për të qënë besnikë ndaj njëri-tjetrit për tërë jetën. Bashkimi i tyre martesor bekohet nga Krishti nëpërmjet Kishës. Hiri i Perëndisë u jepet atyre për të jetuar së bashku në dashurinë e Tij, duke plotësuar dhe përsosur reciprokisht njëri-tjetrin. Ceremonia e Martesës në Kishën Orthodhokse ka cilësi rituale dhe simbolike. Çdo veprim ka kuptim dhe rëndësi të veçantë.

Unazat

Unazat bekohen nga prifti i cili i merr ato në duart e tij dhe duke bërë shenjën e kryqit mbi kokat e tyre thotë: “Shërbëtori i Perëndisë … fejohet me shërbëtoren e Perëndisë… në emrin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.”

Prifti më pas shkëmben unazat tre herë, duke marrë unazën e nuses dhe duke e vendosur atë në gishtin e dhëndrrit dhe anasjelltas. Sigurisht, unazat janë simboli i fejesës që në kohët e hershme. Shkëmbimi i unazave nënkupton që në jetën martesore dobësitë e një bashkëshorti kompesohen nga fuqia e tjetrit, papërsosmëria e njërit nga përsosmëria e tjetrit. Nga vetvetja, të sapofejuarit nuk janë të plotë, së bashku bëhen të përsosur. Kështu shkëmbimi i unazave i jep shprehi faktit që bashkëshortët në martesë do të plotësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Secili do të përmirësohet nga bashkimi i tyre.

Qirinjtë

Shërbesa e martesës fillon menjëherë pas shërbesës së Fejesës. Dhëndrrit dhe nuses u jepen qirinj të cilët i mbajnë gjatë gjithë shërbesës. Qirinjtë u ngjajnë llambave të 5 virgjëreshave të urta të Biblës, të cilat, ngaqë patën vaj të mjaftueshëm, mundën të presin dhëndërrin, Krisht, kur Ai erdhi në errësirën e natës. Qirinjtë simbolizojnë vullnetin shpirtëror të çiftit për të pritur Krishtin, i cili do t’i bekojë nëpërmjet këtij Misteri.

Bashkimi i duarve të djathta

Dora e djathtë e dhëndërrit dhe nuses bashkohen kur prifti lexon lutjen dhe i kërkon Perëndisë: “bashkoji shërbëtorët e tu në një mendje dhe në një mish”. Duart mbahen të bashkuara gjatë gjithë shërbesës për të simbolizuar ‘unitetin’ e çiftit.

Kurorëzimi

Shërbesa e kurorëzimit, e cila vjen më pas është pika kulmore e shërbesës së Martesës. Kurorat janë shenjat e lavdisë dhe nderimit me të cilat Perëndia i kurorëzon ata gjatë Misterit. Dhëndrri dhe nusja kurorëzohen si mbreti dhe mbretëresha e mbretërisë së tyre të vogël, familjes, të cilën ata do ta sundojnë me urtësi, drejtësi dhe ndershmëri. Kur fillon kurorëzimi prifti merr kurorat dhe i mban ato mbi kokat e çiftit duke thënë: “Kurorëzohen shërbëtorët e Perëndisë në emrin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amin.” Disa interpretojnë kurorat që përdoren në ceremoninë e Martesës Orthodhokse si kurorat e martirëve, duke qenë se çdo martesë reale përfshin vetsakrifikim të pamasë nga të dyja anët.

Kupa e përbashkët

Mbasi mbaron kurorëzimi lexohet Apostulli dhe Ungjilli. Leximi i Ungjillit përshkruan martesën në Kanë në të cilën mori pjesë edhe Krishti dhe e bekoi, ku edhe kreu mrekullinë e Tij të parë. Atje ai shndërroi ujin në verë dhe iu dha të ftuarve. Në kujtim të këtij bekimi, vera i ofrohet çiftit. Kjo është ‘kupa e përbashkët’ e jetës, që tregon ndarjen reciproke të gëzimit dhe hidhërimit, si shenjë të një jete me harmoni. Pija e verës nga kupa e përbashkët shërben për të ngulitur në mendjen e çiftit se që nga ky moment e më pas ata do të ndajnë gjithçka në jetë, si gëzimet ashtu edhe hidhërimet; dhe se janë ata që do të mbajnë ‘barrët e njëri – tjetrit’. Gëzimet e tyre do të dyfishohen dhe hidhërimet e do të përgjysmohen, për arsye se do t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin.

Ecja ceremoniale

Më pas prifti prin nusen dhe dhëndrrin përreth tavolinës në të cilën janë vendosur Ungjilli dhe Kryqi,  i pari përmban Fjalën e Perëndisë dhe tjetri simboli i shpërtimit tonë nga Jisui. Burri dhe gruaja po hedhin hapat e parë si një çift i martuar dhe Kisha në personin e priftit i drejton ata në rrugën që duhet të ecin. Rruga simbolizohet nga rrethi në qendër të së cilës janë Ungjilli dhe Kryqi i Zotit tonë. Kjo shpreh faktin se rruga e jetës së krishterë është një orbitë e përsosur përreth qendrës së jetës, e cila është Jisu Krishti, Zoti ynë. Gjatë kësaj ecje ceremoniale përreth tavolinës këndohet një himn për martirët e shenjtë, duke i kujtuar çiftit të sapomartuar dashurinë sakrifikuese që ata duhet të kenë për njëri-tjetrin në martesë – një dashuri që nuk kërkon të sajat, por është e gatshme për të sakrifikuar gjithçka për atë që do.

Bekimi

Çifti kthehet në vendin e tij dhe prifti duke bekuar dhëndrrin thotë: “Madhërohu, o dhëndërr si Abrahami, bekohu si Isaku dhe shumohu si Jakobi duke ecur në paqe dhe duke zbatuar me drejtësi porositë e Perëndisë”. Dhe duke bekuar nusen prifti thotë: “Dhe ti, o nuse, madhërohu si Sara, ngazëllohu si Rebeka dhe shumohu si Rakela, e gëzuar me burrin tënd duke ruajtur ligjin, se kjo është e pëlqyeshme tek Perëndia.”