Shkolla “Frymë Dashurie” në Gjirokastër nderohet me çmimin prestigjioz europian “eTwinning School 2024-2025”. Në një ceremoni të mbajtur më 11 dhjetor 2024, në prani të Ministres së Arsimit znj. Ogerta Manastirliu, Shkolla “Frymë Dashurie”, Gjirokastër, pjesë e Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, u nderua me çmimin prestigjioz eTwinning School 2024-2025 nga Komisioni Evropian. Ky çmim vlerëson përkushtimin e shkollës për arsim cilësor, inovacion digjital dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Në këtë ngjarje të veçantë, shkolla u përfaqësua nga drejtori z. Thodhori Qesko, mësueset znj. Flutura Sinani dhe znj. Anxhela Semanjaku, si dhe nxënësja Anxhelina Mahmutaj. I pranishëm ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, z. Andi Rembeci. Shkolla “Frymë Dashurie”, Gjirokastër, ishte një nga vetëm katër shkollat në Shqipëri që arriti këtë nderim, duke dëshmuar nivelin e lartë të punës që kryhet sipas standardeve evropiane. Siç thekson Kryepiskopi Anastas: “Të rinjtë janë jo vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e gjallë e shoqërisë.” Urime të gjithë stafit, nxënësve dhe komunitetit për këtë arritje që na bën krenarë!