/SHFAQJA E SHENJTË E PERËNDISË (THEOFANIA) MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT Përse u Pagëzua? “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq…” Përlëshorja e së kremtes.

SHFAQJA E SHENJTË E PERËNDISË (THEOFANIA) MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT Përse u Pagëzua? “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq…” Përlëshorja e së kremtes.

SHFAQJA E SHENJTË E PERËNDISË (THEOFANIA)

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT

Përse u Pagëzua?

“Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot, falja e Trinisë u shfaq…”

Përlëshorja e së kremtes.

Kur Zoti ynë u bë 30 vjeç, që nga lindja e Tij trupore, filloi të predikojë dhe të realizojë punën e Tij shpëtimtare. Ai vetë e shënon këtë fillim me pagëzimin e Tij në lumin Jordan.

* * *

Shën Kirilli i Jerusalemit, në mënyrë karakteristike, thotë: “Bota fillon me ujin, Ungjilli fillon me Jordanin.” Gjatë kohës së pagëzimit të Zotit në ujë, botës iu predikua misteri i Trinisë së Shenjtë.

Perëndia Atë, u zbulua me shqisën e dëgjimit, Shpirti i Shenjtë u zbulua me shqisën e të parit dhe Biri u zbulua me shqisën e të prekurit. Ati shprehu dëshminë e Tij për Birin, “ky është Biri im i dashur, që e kam pëlqyer” Mattheu 3, 17; Biri u pagëzua brenda në ujë dhe Shpirti i Shenjtë, në formë pëllumbi, fluturoi mbi ujin.

Kur shën Joan Pagëzori dha dëshminë për Krishtin, duke thirrur, “ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës.” Joani 1, 29, dhe kur pagëzoi Zotin në lumin Jordan, u shfaq misioni i Krishti brenda në botë, por edhe rruga e shpëtimit tonë. Me fjalë të tjera, ashtu si Zoti mori mbi vete mëkatet e gjinisë njerëzore, vdiq nën ato -me zhytjen në pagëzim- dhe u ngjall -me daljen nga uji-, shënoi rrugën, se duhet edhe ne të vdesim duke u pagëzuar, për sa i përket njeriut të vjetër, dhe të ngjallemi, si njerëz të pastruar dhe të ripërtëritur. Ky është Shpëtimtari ynë dhe kjo është rruga e shpëtimit tonë.

E kremtja e Shfaqjes së Perëndisë (Theofanisë), quhet gjithashtu dhe e kremtja e Dritave. Ngjarja, që ndodhi në lumin Jordan, na ndriçon duke na zbuluar Perëndinë si Trini, e njëqënëshme dhe të pandarë. Kjo është njëra mënyrë e ndriçimit tonë. E dyta është, që secili prej nesh gjatë pagëzimit të tij në ujë, ndriçohet, kështu na birëson Ati i Dritave me Hirin e Birit dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë.

“Ja tek iu hapën qiejt”. Mattheu 3, 16.

Shën Joan Gojarti, duke iu referuar ngjarjes së Theofanisë dhe, në veçanti, shfaqjes së personit të tretë të Trinisë së Shenjtë; përse u shfaq Shpirti i Shenjtë dhe përse në formë pëllumbi? Vëren saktë se: Përse u hapën qiejt? Që të mësosh se, dhe kur pagëzohesh ti, ndodh e njëjta gjë. Perëndia të fton në atdheun qiellor. Nëse nuk shikon, mos e humb besimin. Gjithmonë, si parathënie të gjërave paradoksale, bëhen gjëra të dukshme, shfaqje të dukshme dhe shenja të ngjashme, për ata, që janë më poshtë nga ana shpirtërore dhe kanë nevojë për gjëra të dukshme.

Dhe pëllumbi, prandaj u shfaq atëherë. Që t’u tregojë të pranishmëve dhe Joanit -si gishti tregues i dorës- Birin e Perëndisë. Dhe, sigurisht, jo vetëm për këtë. Por, që të mësosh edhe ti, se edhe mbi ty vjen Shpirti i Shenjtë, gjatë kohës së pagëzimit.

Dhe përse në formë pëllumbi? Pëllumbi është një shpend i butë dhe i pastër. Ngaqë, pra, dhe Shpirti i Shenjtë është frymë butësie, prandaj shfaqet kështu. Për më tepër, na shfaq dhe një histori të vjetër. Domethënë, kur e tërë bota u përball me një përmbytje të përgjithshme -përmbytjen në kohën e Noes- dhe gjinia jonë rrezikoi të shfaroset, u shfaq ky shpend dhe dega e ullirit, që mbante në sqepin e tij, bëri të dukshme mbarimin e katastrofës.

Që të mos arrish, pra, në dëshpërim, të kujton atë histori. Sepse, edhe atëherë, kur nuk kishte shpresë për atë situatë, u gjend zgjidhja. Por, atëherë, me anë të ndëshkimit, ndërsa tani me Hirin dhe me dhuratën e pashprehur. Prandaj dhe shfaqet Shpirti i Shenjtë si pëllumb. Nuk mban degë ulliri, por na tregon Çlirimtarin nga të gjitha të këqijat, dhe na jep shpresa të mira. Sepse, nuk nxjerr nga Arka një njeri, Noen dhe familjen e tij, por me shfaqjen e Tij e drejton të gjithë botën drejt qiellit. Dhe nuk sjell një degë ulliri, por birësimin për gjithë njerëzit.

Dhe mos kujto, se ulet vlera e Shpirtit të Shenjtë, ngaqë u shfaqë në formë të tillë, ndërsa Krishti u shfaq me natyrën tonë. Biri i Perëndisë, mori natyrën e njeriut, ndërsa Shpirti i Shenjtë nuk mori natyrën e pëllumbit. Prandaj dhe Ungjillori, nuk tha “me natyrën e pëllumbit”, por “në formën e pëllumbit”. Dhe pas kësaj ngjarje, nuk u shfaq përsëri në atë formë, por vetëm atëherë.

* * *

Kuptimi i misterit të Pagëzimit tonë të shenjtë është shumë i madh dhe shërbesa shumë didaktike. Kisha, nëpërmjet priftit, kërkon hirin hyjnor, që ta rilindë njeriun, ta pastrojë nga mëkati stërgjyshëror dhe nga çdo faj; ta bëjë bir të Perëndisë dhe trashëgimtar të jetës së përjetshme. Çdo fjalë, që dëgjohet në pagëzim dhe çdo veprim, që bëhet atje, ka kuptim të thellë dhe prandaj duhet, para së gjithash, prifti, që kryen misterin, të lexojë qartë, me ndjenjë dhe me kuptim, pa anashkaluar asgjë dhe, në përgjithësi, të ruajë dhe të frymëzojë shprestarinë e duhur, në mënyrë që, ato sa thotë dhe sa kryen, të bëhen me hijeshi dhe të shfaqin besën dhe ndjenjën.

Gjithashtu, dhe populli, që ndjek misterin, duhet të marrë pjesë dhe ai dhe ta ndjekë me respekt, pa biseda dhe pa parregullsi, pa indiferentizëm dhe shumë herë pa mosbesim. Të krishterët e parë, kur bëhej fjalë të kryhej misteri, mbanin kreshmë dhe afroheshin me shumë shprestari dhe frikë Perëndie, kërkonin hirin dhe ndriçimin hyjnor. Pagëzimi është misteri i parë dhe i madh në besën tonë, që e bën njeriun anëtar të Kishës së Krishtit, punëtor të Ungjillit, luftëtar të virtytit, pjesëtar të shenjtërisë.

Është e vërtetë se, edhe pas pagëzimit, në shpirtin e njeriut mbetet një prirje drejt mëkatit -si i sëmuri, që kaloi një sëmundje të dhimbshme dhe torturuese- të cilën njeriu mund ta zhdukë me besën dhe përpjekjen e vazhdueshme, të jetojë virtytin.

Pagëzimi ngjan me “shartimin”, që bëjnë bujqit tek pemët e egra. Nëse nuk do të kujdesen për sythët, nëse nuk do t’i shkulin ato degët e egra që dalin, do të shkojë kot shartimi. Shpirti u pastrua me pagëzimin dhe u stolis me këmishën e bardhë të qashtërsisë, por mund të ndotet përsëri.

Nuk ka gëzim dhe lavdi më të madhe për njeriun, sesa të arrijë të ruajë qashtërsinë, që ka kur del nga pagëzimorja e shenjtë. Fatkeqësisht, shumë gjëra kontribuojnë, që të ndotet rroba shumë e pastër e pagëzimit të shenjtë. Prindërit, shumë herë, nuk “i rritin fëmijët e tyre me mësime dhe këshilla më Zotin”, por, përkundrazi, madje, fëmijët e tyre, qoftë me vetëdije ose pa vetëdije, i shtyjnë në rrugën e keqe, me shembullin e tyre të kundërt dhe me sjelljen e tyre mëkatare.

Shoqëria, kjo shkollë e madhe e shthurjes dhe imoralitetit, herë pas here, huazon çdo gjë të keqe, dinake dhe mëkatare, me justifikimin se këto përbëjnë kulturë dhe zhvillim dhe përparim. Shkolla u mëson germat fëmijëve, por nuk u mëson gjithmonë se si do të bëhen të krishterë besnik dhe të vërtetë. Megjithatë, kurrë nuk munguan prindërit e mirë dhe mësuesit e mirë dhe punonjësit socialë dhe reformatorët. Kisha, me mësimdhënien dhe mjetet e saja shenjtëruese, është mësuesi i rregullt i njerëzve dhe, veçanërisht, i rinisë. Dashuria dhe njeridashja e Perëndisë, ka gjetur dhe një mënyrë të dytë të pastrimit të mëkateve. Është pagëzimi i pendimit. Pendimi është i barabartë me pagëzimin, kur është i sinqertë, kur është i vërtetë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Të gjithë sa e ndotëm rrobën e shpirtit, le të mos dëshpërohemi. Le të rendim me pendim në misterin njeridashës të rrëfimit, që do të na japë fuqinë të korrigjojmë dhe të rindërtojmë rrënojat, që kotësia e botës i grumbulloi në thellësitë e shpirtit tonë, që të veshim rrobën e re të shenjtërisë, të cilën na e dhuroi Perëndia me pagëzimin e shenjtë.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 06.01.2020