Në fund të 30 viteve të një jete të fshehur, gjatë të cilave, duke kaluar nëpër të gjitha stadet e jetës së një njeriu të zakonshëm, Zoti ynë Jisu Krisht tregoi me sjelljen e Tij shembullin e përulësisë, të bindjes ndaj prindërve dhe të nënshtrimit ndaj Ligjit. Ai e nisi misionin publik dhe marshimin drejt Pësimit të Tij, përmes një zbulimi shndritës të hyjnisë së Tij. Ati dhe Shpirti i Shenjtë dëshmuan se Jisui është vërtet Biri i vetëm i Perëndisë, i bashkëqenshëm me Atin, Personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë, Fjala e mishëruar për shpëtimin tonë, Shpëtimtari që u paratha nga profetët, dhe që në Personin e Tij Hyjnia është bashkuar pa përzierje me natyrën tonë njerëzore dhe e bëri të shkëlqejë nga lavdia e Tij. Prandaj dhe e kremtja e Pagëzimit të Krishtit u quajt Epifani (shfaqje) ose Theofani; d.m.th. dëftim i hyjnisë së Krishtit dhe zbulimi i parë i qartë i Misterit të Trinisë së Shenjtë. Nga Galileja (Nazaret), Jisui u kthye në Jude, në brigjet e Jordanit, atje ku shën Joan Pagëzori, që doli nga shkretëtira pas 30 vjetësh përgatitjeje në asketizëm, vdekësim të mishit dhe me lutje, e kishte zakon të predikonte pendimin dhe të pagëzonte në ujërat e lumit turmën e judenjve, që vinin të tërhequr nga emri i profetit të madh dhe të drejtë të Perëndisë. Më i lartë se pastrimet e përshkruara nga Ligji për njollosjet e trupit (Lev. 15), pagëzimi i Joanit nuk jepte faljen e mëkateve kjo u arrit me Kryqin dhe sakrificën e Krishtit por, duke dënuar sjelljen e tyre të pabesë dhe paudhësitë me afrimin e Gjykimit hyjnor, më i madhi nga të lindurit prej grash (Matth. 11.11), i çonte në njohjen e mëkateve të tyre, që të pendoheshin dhe të përgatitnin zemrat që të kërkonin Atë që kishte pararendur Pagëzori. “Unë ju pagëzoj me ujë, tha ai duke pasur parasysh pagëzimin; por Ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i zoti t’i mbaj këpucët (d.m.th. të shpjegojë misterin e bashkimit të hyjnisë dhe të njerëzisë); Ai do të pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarr” (Matth. 3.11-12; Lluk. 3.16). Nga mesi i turmës së atyre që rrëfenin mëkatet dhe zhyteshin në ujë, doli Jisui dhe eci drejt Joanit e i kërkoi ta pagëzonte. Në dashurinë e Tij të pafundme për njerëzit, Biri i Perëndisë nuk kënaqej, në fakt, me veshjen e mishit të vdekshëm, por Ai, i Pafajshmi, Qengji pa njollë i Perëndisë, mbante vetë gjendjen e mëkatarit. Ai, i cili, që nga barku i së ëmës e kishte njohur si Mesi, duke kërcyer nga gëzimi (Lluk. 1.41), u drodh nga frika para një guximi të tillë: Si do të guxonte shërbëtori të pastronte në ujë Mbretin e universit? Si do të kishte guxim krijesa, kjo argjilë, t’i afrohej Fjalës së mishëruar, pa pasur frikë se mos digjej nga hyjnia si kashta nga zjarri? Moisiu dhe profetët më të mëdhenj e pritën prej së largu (Eks. 33.20-23), ose në formë figurash dhe simbolesh. Si do të guxonte ai të vinte dorën mbi kokën e ulur të Krijuesit për ta zhytur në ujë? Jisui i tha: “Lëre tani, sepse kështu duhet të përmbushim çdo drejtësi.” (Matth. 3.15).