/Shenjtorët, udhëheqës drejt Qiellit – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

Shenjtorët, udhëheqës drejt Qiellit – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E DIELA E I E MATEUT E GJITHË SHENJTORËVE Mateu 10, 32-33, 37-38 – 19, 27-30.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 22 JUNE 2019

Shenjtorët, Udhëheqës drejt Qiellit

“Ja, ne i lamë të gjitha dhe erdhëm pas Teje” kap. 19, v. 27.

Në të kremten e madhe të të Gjithë Shenjtorëve, ditën, në të cilën Kisha jonë kremton “lulet e saja të pafishkura”, “korin e hirshëm” të heronjve të saj, shën Pjetri apostulli protokorife, trumbeton duke thënë: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe ndoqëm pas Krishtin”. Kjo frazë kaq e shkurtër e shën Pjetrit mban brenda saj udhëtimin e gjithë Shenjtorëve. Njerëzit e Perëndisë, ata që mbajtën qiellin brenda shpirtit të tyre, na thonë sekretin e tyre, le t’i dëgjojmë.

* * *

“i lamë të gjitha”. I habitshëm na duket vendimi i tyre. Nuk mund ta konceptojmë kuptimin e mendimit të tyre. Dhe kjo është e natyrshme, sepse epoka jonë, nuk është e mësuar me mësime të tilla heroike. Ne vrapojmë, mundohemi dhe ëndërrojmë, jo që t’i lëmë të gjitha, por që t’i kemi të gjitha. Sa shumë gjëra kanë për të thënë njerëzit e dobët, për rrëmbimin e tmerrshëm të mundimeve të tyre nga të mëdhenjtë dhe të fortët.

Ndërsa Shenjtorët, ndjekim një rrugë tjetër. Të regjistruarit “në librin e jetës”, i lënë të gjitha, që të fitojnë margaritarin e çmuar, Jisu Krishtin. Kështu, për shembull, apostull Pjetri, lë familjen e tij, varkën e peshkimit dhe rrjetat e tija. Jakovi me Joanin, babain e tyre, gjithë pasurinë e tyre. Të njëjtën gjë bënë dhe të gjithë shenjtorët. Pa vështirësi i braktisën të gjitha, që t’i jepen krejtësisht punës së Krishtit.

Çdo sakrificë për hir të Zotit shpërblehet. Por, çfarë do të jepet si shpërblim? “Me të vërtetë po ju them”, u përgjigj Krishti, “se ju që më ndoqët pas, do të lavdëroheni shumë”. Atëherë, kur do të vijë gjendja e re e gjërave, gjatë Ardhjes së Dytë dhe të lavdishme “të Birit të njeriut”, do të uleni dhe ju bashkë me mua, në dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

Lavdi dhe shpërblim do të ketë dhe për secilindo tjetër, që do të braktisë shtëpinë dhe vëllezër a motra, apo atin a nënën, apo gruan a fëmijët, apo arat a tokat, “për hir të emrit tim”. Ai, që i sakrifikon të gjitha, për të qenë bashkë me mua, do të marrë dhe në këtë jetë pakrahasim më shumë nga ato që do të mohojë, por do të trashëgojë dhe jetën e përjetshme. Shumë njerëz, që këtu në tokë ishin të parët dhe të lavdishëm, dhe nuk sakrifikuan asgjë për hirin tim, atje në qiell do të jenë të parëndësishëm dhe të fundit. Ndërsa ata, që këtu konsideroheshin të padenjë dhe u privuan për hirin tim, atëherë do të bëhen të parët dhe të lavdishëm.

Nuk humbet, pra, asnjë sakrificë e jona njerëzore për Zotin. Shpërblehet dhe madje dhe në jetën e tashme dhe në të ardhmen. Shpërblimi është pakrahasim më i madh se ofrimi dhe sakrifica. Për shembull, apostujt braktisën çdo gjë që kishin dhe ndoqën pas Zotin, por, pas kësaj, nuk u mungoi asgjë.

Të krishterët ishin të gatshëm t’ju ofrojnë, madje, edhe sytë e tyre. Gjithashtu ngritën dhe tempuj të bukur dhe madhështor për nderin e tyre. Të cilët zunë vendin e kasolles së varfër që e braktisën. Himne dhe madhështime, gjithashtu, psalen vazhdimisht që atëherë drejt qiellit për ata nga miliona besimtarë. Por, mbi të gjitha, janë bërë trashëgimtarë të mbretërisë së lavdishme dhe të përjetshme të qiejve. Këtë trashëgimi, do të marrë si shpërblim dhe çdo besimtar, që mundohet deri në fund dhe mohon veten e tij për gjërat e botës për hir të Zotit.

Por, ngaqë edhe ne sot u ftuam të bëhemi shenjtorë, duhet të imitojmë paraardhësit tanë heroik, të Gjithë Shenjtorët. Vetëmohimi është i nevojshëm dhe për ne. Përmëtepër, të gjithë, sipas ftesës që kemi nga Perëndia, nuk thirremi të braktisim prindërit dhe punën, apo gruan dhe fëmijët. Ftohemi të mohojmë çdo gjë, që na largon nga Perëndia. Duhet të braktisim “njeriun e vjetër”, veten tonë të keqe. Për shembull, të çlirohemi nga inati ynë, që trazon familjen tonë, dhe nga lakmia jonë, që e helmon shoqërinë tonë. Ta braktisim indiferentizmin tonë, që na bën të ashpër dhe të pandjeshëm kundrejt vëllezërve tanë. Kur të fillojmë të mohojmë veten tonë, atëherë do të gjendemi në rrugën e shenjtërisë.

Ndërsa Shenjtorët na thonë dhe diçka tjetër: “Ndjekim Zotin”. Shkrimi i shenjtë është i mbushur me rrugëtime të tilla heroike. Burra dhe gra, të vegjël dhe të mëdhenj, ndjekin Zotin me vetëmohim. Nuk janë vetëm nxënësit, që “përnjëherë duke lënë rrjetat e ndoqën Atë” Mateu 4, 20.Pranë tyre janë dhe nxënëset: “të cilat i kishin shkuar pas Jisuit”. Mateu 27, 55. Dhe ky zinxhir i artë vazhdon nëpër shekuj. E gjithë “mbledhja” e hirshme “e etërve, patrikëve, profetëve, apostujve, predikuesve, ungjillëzuesve, dëshmorëve, konsfesorëve, të përmbajturve”, që nderohet ditën e Gjithë Shenjtorëve, kishte gjithmonë si ideal në zemër dhe si dëshmi në gojë, parullën: “Do të të ndjekë pas” 3 Mbretërve 19, 20. Dhe shenjtorët e ndoqën Zotin me besnikëri, me ndërgjegje, pa pushime, me të njëjtën dashuri dhe të njëjtin mall, deri në momentin e fundit, që dorëzuan shpirtin e tyre.

Dhe ne e ndjekim Zotin, mund të mendojë dikush. Përderisa jemi të krishterë, përderisa besojmë tek Perëndia, çfarë tjetër tregon kjo? Por çështja është si e ndjekim. Nëse e ndjekim të ngarkuar me pasione, të cilat në asnjë mënyrë nuk duam t’i largojmë nga vetja, megjithëse na e ka urdhëruar Zoti, kështu nuk e ndjekim Jisuin. As nuk mund të konsiderohemi besimtarë të të Kryqëzuarit, kur e ndjekim vetëm disa herë në vit. Zoti nuk u lejon pushime dhe mungesa ushtarëve të Tij.

Një dobësi tjetër, që shfaqim shpesh herë në këtë rrugëtimin tonë, është dhe kjo: Fillojmë mirë, por nuk përparojmë drejt. Në mes të rrugës, e braktisim Atë, që ecën bashkë me ne: Zotin Jisu Krisht. Shkaku i këtij fenomeni të hidhur është ndikimi, që ndjen busulla jonë shpirtërore nga ambienti. Me këtë, nuk nënkuptojmë aq shumë sirena të të ligut, që na tërheqin si magnete. As madje mundimin që ndjejmë. Edhe këto duhet t’i kapërcejë pasuesi besnik i Zotit. Por ajo që është një grackë e tmerrshme është skandalizimi i shpirtit tonë. Sepse kur shikojmë njërin apo tjetrin të krishterë të jetë i parregullt, tundim kokën dhe ndalojmë ose hidhemi në anën tjetër. Shenjtorët u përballën dhe më këtë ngasje, por e mposhtën. Zëri i Zotit, “ti ndiqmë pas”, i frymëzonte. Joanit 21, 22.

* * *

Është e vështirë, sot, të ketë dikush orientim të qëndrueshëm. Nuk di ku të kthehet, çfarë të ndjekë. Madje dhe institucionet më të qëndrueshme, siç është familja, atdheu, feja, duket se tronditen çdo ditë e më tepër. Dhe, megjithatë, ekziston një orientim i palëvizshëm. Ekziston një lundrim i sigurt, që të shpije në hyjnizim. Është Krishti me Kishën e Tij. Është Lindja e Krishtit perëndi-njeri dhe lundrimi i Arkës së vetme të vërtetë. Krishti lindi në tokë, që të orientojë botën. Dhe themeloi Kishën e Tij, që të shenjtërojë botën. Gjërat njerëzore vijnë dhe ikin. Krishti dhe Kisha e Tij mbeten përjetë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Në kohën kur njerëzve të tjerë u merren këmbët brenda kaosit, që mbizotëron, Shenjtorët lundrojnë të orientuar me qëndrueshmëri drejt qëllimit të vërtetë të jetës së njeriut, që nuk është tjetër, veçse, të behet perëndi sipas hirit. Shenjtorët nuk u tërhoqën nga rrymat e pamenda të çdo epoke. Jo vetëm, që duruan ata vetë, por edhe u bënë “yje të shumë-ndritshëm të qiellit mendor” dhe drejtojnë drejt “Yllit të shndritshëm të mëngjesit” Zbulesa 22, 16,drejt Krishtit, kush do të kundërshtojë të drejtohet nga yje të tillë të shumë-shndritshëm? Vetëm ai që dëshiron të mbetet në kaos. Mos u bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 23.06.2019