Sot në dt 22 09 2018 në fshatin Boboshticë të Korçës u mbajt ceremonia e Shenjtërimit të Kishës së Shën (Kollit) Nikollës nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij imzot Joani.Fshati Boboshticë është i njohur gjerësisht. Përmendet shpesh dhe në histori për kulturën dhe nivelin e lartë të ndërgjegjësimit fetar të vetë banorëve.Ky fshat para se diktatura komuniste të shkatërronte gjithçka kishte në total 13 tempuj dhe 3 manastire të rëndësishme. Një prej tempujve që njohu egërsinë dhe ashpërsinë e sitemit ateist ishte dhe Kisha e Shën Nikollës (Shën Kollit) nga i cili shpëtoi vetëm kambanaria që ishte kthyer në stacion elektrik. Rreth kësaj Kishe ndodheshin dhe varrezat e fshatit pas mbylljes së varrezave në Manastirin e Shën Marisë në fillimet e shek të 20-të.Kryepiskopi Anastas ka kryer një prej vizitave të para në Shqipëri pikërisht në këtë fshat. Ndërsa u përball me atë pamje shkatërruese ai i premtoi Sotir Bambullit Kryetarit të parë të Këshillit Kishtar të asaj kohe se këtë Kishë do ta ndërtonte nga themelet.
Kështu dhe ndodhi, nën përkujdesjen e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas dhe të Mitropolitit të Korçës, Hirësis së Tij, imzot Joanit brenda një kohe të shkurtër Kisha u ndërtua nga themelet. Për të realizuar këtë projekt madhor një rol të rëndësishëm pati dhe famulltari i fshatit At Mihail Lara dhe arkitekti Dhimitër Kondakçi.Mundi i të gjithëve u shëprblye me kënaqësinë dhe mirënjohjen e thellë që ndjenë dhe shprehën të gjithë besimtarët dhe në veçanti banorët e fshatit.Gjatë ceremonisë së Shenjtërimit që udhëhoqi Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij imzot +Joani, morën pjesë klerikë të dhioqezës së Korçës dhe nga dhioqeza të tjera të Shqipërisë por dhe të Greqisë, pothuajse të gjithë banorët e fshatit, besimtarë me prejardhje nga Boboshtica nga brenda dhe jashtë vendit, besimtarë nga e gjithë zona dhe qyteti i Korçës.Ceremonia filloi në orën 07:00 dhe besimtarët që herët në mëngjes ndodheshin atje.Imzot Joani në fund të Meshës Hyjnore dhe ceremonisë, në fjalën e tij, foli në lidhje me shenjtërimin dhe rolin e rëndësishëm që ka në jetën tonë si dhe theksoi në fjalën e tij se besimi pa vepra nuk ka kuptim. Ai që me të vërtetë thotë që jam besimtar duhet që veprat e tij të udhëzohen nga përulësia e thellë dhe dashuria për të gjithë. Në fund falenderoi Kryepiskopin Anastas për bujarinë e tij dhe ndihmesën e tij të jashtëzakonshme për ndërtimin e kësaj kishe si dhe të gjithë dhuruesit e njohur dhe të panjohur, gjithashtu përgëzoi At Mihail Larën dhe arkitektin z. Dhimitër Kondakçi për punën e tyre të palodhur dhe të mrekullueshme.Famulltari , At Mihail Lara, në emër të Enorisë i dhuroi Hirësi Joanit një engolp me Shën Nikollën në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje.Në mënyrë simbolike Mitropoliti i Korçës, imzot Joani mbolli në oborrin e Kishës, një pemë, rrap, në hijen e të cilit do të pushojnë brezat e ardhshëm.
Ta gëzojmë dhe këtë Kishë të re të gjithë besimtarët Orthodhoksë.