/Shën Joani i Kronshtadit 31 Tetor 1829 – 20 Dhjetor 1909

Shën Joani i Kronshtadit 31 Tetor 1829 – 20 Dhjetor 1909

Shekulli i 19-të për Rusinë ishte një periudhë e ringjalljes mjaft të madhe fetare, dhe një prej veçorive më të rëndësishme të kësaj ringjalljeje ishte rruga që ndoqën mijëra njerëz, prej shtresave të ndryshme të shoqërisë, për këshilla shpirtërore dhe gjithashtu për këshilla të kësaj bote, tek murgjit ose Starecët, të cilët ushtronin një shërbesë të mrekullueshme. Mirëpo, ndonëse, Starecët – ndër të cilët mund të përmendim më të madhin prej tyre, Shën Serafimin e Sarovit, dhe shumë drejtues të mëdhenj shpirtëror të Manastirit të Optinos – ishin të gjithë murgj, i fundit prej mësuesve të famshëm shpirtëror të Rusisë perandorake ishte një prift i martuar. Në prag të përmbysjes revolucionare, në të cilën kisha Ruse do të provohej në flakët e persekutimit të paparë ndonjëherë deri në atë kohë nuk ishte një murg, por një prift i thjeshtë i një enorie të thjeshtë, të cilin Perëndia e dërgoi si një shenjë tek bijtë e tij, për t’i forcuar ata për tmerrin që do të vinte.

Joan Iliç Sergiev, i biri i një fshatari të varfër, lindi në 19 Tetor të vitit 1829, në fshatin e vogël të Sourës, në provincën e Arkangelskit, në veri të Rusisë. Prindërit e tij, megjithëse ishin të varfër, u kujdesën shumë për edukimin e tij, si shpirtëror dhe atë laik.

Që në fëmijëri ai shfaqi dashuri për shërbesat e Kishës; por kishte shumë vështirësi për të lexuar – ai vet na tregon se kur ai shkoi në shkollë në Arkhangels në moshën 9 vjeçare ai mund të lexonte vetëm shkronjat kapitale.

Duke bërë pak përparim në shkollë, ai u hidhërua së tepërmi, sepse ai e dinte sa e vështirë ishte për prindërit të siguronin para për arsimimin e tij, ai lutej me zjarr për ndriçim hyjnor, dhe një mëngjes, pasi ai ishte zgjuar gjatë natës dhe lutej ndërsa shokët e tij flinin, ai ishte në gjendje të lexonte lehtësisht, dhe të kuptonte çfarë lexonte.

Pasi mbaroi shkollën, ai shkoi në seminar dhe prej andej ai u dërgua në vitin 1851, me shpenzimet e shtetit, në Akademinë Teologjike të Shën Petersburgut. Ndërsa ai vazhdonte studimet, i ati i tij ndërroi jetë, dhe kështu ai pati mundësinë të ndihmonte nënën e tij me disa të holla që ai i merrte si sekretar i shkollës – një  punë që i kishin ofruar për shkak të bukurshkrimit të tij.

Megjithëse dëshironte të bëhej murg, ai nxori konkluzionin se kishte shumë njerëz rreth tij të pandriçuar porsi Paganët, prandaj vendosi të punonte për shpëtimin e tyre, pas një vegimi që ai pati gjatë lutjes ku ai pa veten duke meshuar në një Katedrale të panjohur.

Menjëherë pasi mbaroi studimet, ai u martua me Elisabetën, bijën e Priftit K.P. Nevitzki, dhe u dorëzua prift në 12 dhjetor të vitit 1855.

I caktuar si prift ndihmës, në Katedralen e Shën Andreas në Kronshtad, kur ai hyri për herë të parë ai njohu kishën që kishte parë në vizionin e tij; dhe shërbeu atje si ndihmës Famulltar, dhe më pas si famulltar.

          Duke dashur një ideal të lartë për shërbesën priftërore ai vazhdoi të studioj dhe të lutet natën që të përsoste veten në këtë shërbesë, ndërsa gjatë ditës ai e përkushtoi veten tek të varfrit e famullisë së tij.

Banorët e Kronshtadit, një bazë detare vendosur në një ishull në grykën e Nevas, jo shumë larg nga Shën Petersburgu, në vitin 1855 tërhiqeshin pas elementeve më negativ të botës, dhe shumica e vendit ishte kthyer në një vend të dhimbshëm prej mëkatit dhe ndyrësisë, prej sëmundjes dhe urisë.

At Joani, paraardhësit e të cilit, as nuk kishin marrë mundimin të depërtonin në pjesët më të këqija të qytetit, harxhoi pjesën më të madhe të tij atje, duke  u përpjekur të shëronte si trupat dhe shpirtrat, duke tërhequr pas vetes fillimisht fëmijët, dhe më pas nëpërmjet tyre edhe prindërit. Shpeshherë ai nuk gjente as kohë të hante deri në mbrëmje vonë duke u kujdesur pas grigjës së vet. Ai madje u dhuronte të zbathurve këpucët e veta, ai u jepte paratë që i nevojiteshin për të mbajtur shtëpinë; gruaja e tij gradualisht u mësua me të, dhe u kthye si të thuash në një kujdestare për të.

Ai banonte në një shtëpizë të thjeshtë jashtë qytetit në bregdet, ku ai nuk mund të dilte nga shtëpia pa u ndjekur pas nga turma njerëzish, që e prisnin tek dera e shtëpisë tij, ose në Katedrale, dhe shkonin pas tij gjatë gjithë rrugës. Çdo mëngjes herët, pas një periudhe të lutjes intensive përpara një ikone në shtëpi, ai shkonte në Kishë – si zakonisht, i ndjekur nga turma dhe atje ai kryente liturgjinë me një zë të thellë, të qartë dhe të fuqishëm: sepse ai kremtonte Eukaristinë dhe kungohej pothuajse çdo ditë. Ai gjithashtu shkonte shpeshherë në Shën Petersburg, sepse fama e tij si ndërmjetësues dhe shërues u përhap shumë shpejt në mbarë vendin. Çdo moment ai thirrej për ndihmë materiale dhe shpirtërore, dhe asnjë kërkesë e drejtuar tek ai nuk refuzohej; përditë ai priste shumë vizitorë, dhe merrte qindra letra nga njerëz të ndryshëm, ndërsa turma grumbulloheshin rreth tij kudo që ai shfaqej – në rrugët e Kronshtadit ose në Shën Petersburg, në stacionet hekurudhore, kudo. Gjatë muajve të verës ai fliste me njerëzit në fushat jashtë qytetit, duke u ulur në bar, bashkë me fëmijët që qëndronin me të dhe të rriturit që uleshin rreth tij. Ai ishte i gatshëm t’i ndihmonte të gjithë, të pasur dhe të varfër, dhe i trajtonte njëlloj – shpeshherë ndonjë personalitet i shquar me të cilin At Joani kishte takim, duhet të priste Atin e shenjtë që vonohej për shkak të kërkesave urgjente prej popullit të thjeshtë.

Në vitin 1857 ai u thirr të jepte mësim Shkrimin e Shenjtë në një shkollë fillore në Kronshtad, dhe ai pranoi me gëzim sepse ai i donte fëmijët dhe kujdesej shumë për ta. Edhe fëmijët e donin shumë atë dhe ai kurrë nuk kishte nevojë të përdorte ashpërsinë me ta. “Bibla”, thoshte ai, “nuk duhet të mësohet njësoj, si lëndët e tjera por me besim dhe dashuri me qëllim që të zgjojë tek të tjerët besimin dhe dashurinë”, dhe masa e suksesit të tij mund të llogaritet nga fakti që ndonëse ai kurrë nuk insistoi që nxënësit e tij duhet të shkonin në Kishë, ata vet shkonin kur ai kryente Shërbesat e Shenjta.

Duke qenë se fama e tij ishte përhapur kudo dhe ai vazhdimisht duhej të shkonte në shën Petersburg, ai u detyrua me keqardhje të madhe të linte postin e mësuesit të shkollës.

Objekt tjetër i interesimit dhe shqetësimet të At Joanit ishte përpjekja kundër lypësisë që kishte pllakosur Kronshtadin. Fillimisht ai u afroi këtyre lypsarëve para për ushqim dhe strehim, por ai e kuptoi që kjo gjë nuk ishte e dobishme por e dëmshme. Në vitin 1868 ai konceptoi idenë e ndërtimit të një Godine që të përfshinte punishte, dhoma fjetjeje, sallë ngrënieje, farmaci dhe një shkollë fillore. Ai formoi një këshill dhe bëri thirrje për fonde. Thirrjes së tij iu përgjigjën njerëz të varfër dhe të pasur nga e gjithë Rusia dhe Godina u ndërtua në vitin 1873.

At Joani administronte një total prej më se 15 mijë paundësh në vit në një numër të madh bamirësish, dhe gjysmën e shumës në Kronshtad.

Si mundi ai të menaxhonte gjithë këtë? Ai kishte aftësinë me anë të lutjes dhe durimit. Ai flinte pak, dhe kishte dëshirë të madhe të lutej dhe të meditonte në orët e para të mëngjesit. Në rastet kur ai kalonte gjithë ditën në Kronshtad ai pëlqente të ecte rrugës në mesnatë duke u lutur dhe medituar; në qoftë se shihte ndonjë dritë ndezur, ai trokiste, shpesh për të ngushëlluar dikë që ishte i sëmurë ose që po vdiste por edhe i gatshëm për t’u bashkuar me bisedat e gëzueshme dhe festat që banorët organizonin.

Nuk duhet të habitemi që At Joani pati momente të vështira nga lodhja e madhe por ai arriti t’i kapërcente ato me anë të lutjes dhe mbi të gjitha me anë të marrjes së denjë të Kungimit të Shenjtë.

Ai vet deklaronte se vetëm duke marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit çdo ditë ishte  në gjendje të kryente një detyrë që ishte përtej fuqive njerëzore.

Kur At Joani shkonte të kryente shërbesat ai transformohej – e gjithë lodhja, barra prej shqetësimeve dhe dhimbjeve zhdukej, dhe fytyra e tij reflektonte një gëzim të jashtëzakonshëm shpirtëror, paqe qiellore. Duhet thënë se Kisha ku ai meshonte mbushej plot e përplot jo vetëm të Dielave por edhe ditëve të javës. Katedralja e shën Andreas në Kronshtad mund të mbante 7000 njerëz, dhe kur At Joani kremtonte liturgjinë ishte kaq shumë e mbushur “saqë as një kokërr molle nuk gjente vend të binte poshtë”

Ndonëse shumë njerëz të pasur dhe të varfër, fisnik dhe lypsarë e donin At Joanin kishte edhe nga ata të cilët e shinin veprën e tij me xhelozi dhe ligësi, veçanërisht disa klerikë dhe punonjës civil. Nga ana tjetër, afër fundit të jetës tij, konservatizmi i tij absolut, i  bindur dhe i shprehur mbi çështjet parimore, si teologjike ashtu dhe politike, nxori në dukje armiqësinë e hidhët të “pseudo – intelektualëve” liberal të cilët po përgatisnin rrugën për të përmbysur si kishën edhe monarkinë dhe themelimin e një tiranie çnjerëzore dhe të pa perëndishme.

Ata s’mund të bënin gjë tjetër veç të urrenin atë që u thoshte haptazi për atë çfarë ishin, që predikonte Krishtërimin kap fuqishëm dhe në mënyrë bindëse, dhe jeta e të cilit ishte një shembull akoma më bindës se çdo predikim.

Nga ana e tij, At Joani gjatë viteve të fundit të jetës tij parashikoi afrimin e ngjarjeve të tmerrshme në Rusi, dhe denoncoi haptazi ata njerëz që po e çonin popullin në rrugën e gabuar, mbi të gjitha ata njerëz që kishin pozita të larta. Në gjithë predikimet e tij të vitit 1907 ai fliste për gjyqin e frikshëm të Perëndisë, dhe nxiste domosdoshmërinë e pendimit, duke deklaruar në qoftë se Rusia pushonte së qenuri Rusia e Shenjtë, ajo do kthehej veç në një turmë fisesh të egërsish që përpiqen të shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Shëndeti i At Joanit filloi të përkeqësohet në vitin 1906, dhe në fund të vitit 1908 ai ishte shumë i sëmurë, dhe nuk mund të gjente prehje nga dhimbjet, përveç gjatë liturgjisë hyjnore, të cilën ai vazhdonte ta kremtonte aq gjatë sa të mundej, deri në herën e fundit në 10 Dhjetor. Ai ende vazhdonte të kungohej përditë, por në 18 Dhjetor ai ra në koma, ku u përmend mbrëmjen tjetër. Duke marrë me vështirësi të madhe Kungimin e Shenjtë për herë të fundit, ai fjeti më Zotin në orën 7 pa 20 të mëngjesit  të 20 Dhjetorit.

Trupi i tij u çua në mënyrë solemne në Shën Petersburg dhe atje u varros në Kishën madhështore brenda Manastirit të shën Joan Gojartit, të cilën ai e kishte ndërtuar. Tërë rruga e proçesionit, nga Kronshtadi në Oranien baum, dhe nga stacioni Baltik deri në Manastir ishte mbushur nga turma njerëzish që vajtonin humbjen e Atit dhe Ndërmjetësuesit të tyre; madje edhe kori i rojës perandorake që shoqëronte trupin e tij, nuk mund të mbante lotët. Të paktën rreth 60,000 njerëz morën pjesë në funeral.

Ai që në këtë jetë u kujdes kaq shumë për fëmijët dhe ndërmjetësonte për ta aq fuqishëm, nuk i ka braktisur ata: rrëke shërimi, si trupore dhe shpirtërore, nëpërmjet lutjeve të tij, nuk kanë për të shteruar.