Shën Grigor Pallamai, Kryepiskop i Selanikut
Predikim mbi të kremten e Metamorfozës së Shpëtimtarit (Shpërfytyrimit) – 6 Gusht
Për të arritur një paraqitje dhe kuptim thelbësor të të kremtes së Metamorfozës, nevojitet t’i rikthehemi fragmentit ë sotëm ungjillor: “Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr me vete Petron edhe Jakovin edhe Joanin, vëllanë e tij, edhe i ngjit mbi një mal të lartë veçan” (Mt. 17:1).
Një ndër pyetjet e para që mund të na vijë ndërmend, është se nga e filloi ungjillor Mattheu numërimin e gjashtë ditëve që përmend? Ҫfarë dite është? Cili është kuptimi i fjalëve që Jisui u drejtoi apostujve pak më parë këtij fragmenti, ku u tha: “Sepse ka për të ardhur i Biri i njeriut në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e tij, edhe atëherë do t’ia shpërblejë gjithë secilit sipas punës së tij”. Dhe duke vijuar:” Me të vërtetë po ju them juve se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilët nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij” (Mt. 16:27-28)? Lavdia e Atit dhe Mbretërisë së Tij, do të shfaqej pikërisht Vetë shkëlqimi i Shpërfytyrimit të Tij, që do të pasonte, do të ishte shfaqja e lavdisë së Atit dhe e Mbretërisë Qiellore.
Ungjillor Llukai e thekson këtë veçanërisht, duke thënë: “Edhe ndodhi që rreth tetë ditë pas këtyre fjalëve, ai mori me vete Petron e Joanin e Jakovin, edhe u ngjit në mal të lutej. Edhe tek lutej ndërroi pamja e fytyrës së tij dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe vetëtinte.” (Llk. 9:28-29). Por si ndodh kështu, që, duke iu referuar të njëjtës ngjarje, njëri dëshmon se kanë kaluar 8 ditë nga e thëna deri në ndodhinë aktuale, ndërsa tjetri 6?
Në mal ndodheshin 8 vetë, por vetëm 6 prej tyre ishin të dukshëm. Tre apostujt: Petro, Jakovi dhe Joani, të cilët u ngjitën bashkë me Jisuin, dhe e panë Atë të fliste me Moisiun dhe Ilian. Në total, 6 persona. Megjithatë, dimë se Ati dhe Shpirti i Shenjtë ishin padukurisht të pranishëm: Ati duke dëshmuar me zërin e Tij se Jisui ishte Biri i Tij i dashur, dhe Shpirti i Shenjtë duke ndriçuar me dritë vetëtitëse nga reja. Kështu, plotësohet numri 8 që thamë më lart. Kjo nënkupton se nuk ka asnjë kontradiktë mes shkrimeve të dy Ungjillorëve, ku njëri thotë “pas gjashtë ditësh” dhe tjetri “pas tetë ditësh”.
Nuk duhet të harrojmë se ndryshimi në kohë, i përmendur më lart, është thënë nga dy persona të cilët ishin prezent në ngjarjen në fjalë, gjë që lë të nënkuptojë se të dy Ungjillorët ishin të vetëdijshëm dhe madje kishin rënë dakord me njëri-tjetrin. Llukai dëshmoi për një periudhë 6 ditëshe, pa qenë në kundërshtim me Mattheun që pohoi se kishin kaluar 8 ditë. Pra, kjo kohë nuk dëshmon se ngjarja ka ndodhur 2 ditë më parë ose më pas, dhe as synon të përcaktojë një kohë aktuale të ngjarjes, ashtu siç mund të kuptohet rëndom.
Vërejmë gjithashtu se apostull Llukai nuk shprehet në formën “pas tetë ditësh”, si Mattheu, por thotë: “… rreth tetë ditë pas këtyre fjalëve…”. Aty ku duket sikur apostujt janë kontradiktorë, ata në fakt po përpiqen të venë në dukje një mister të çuditshëm e të mrekullueshëm. Ndërkohë që njëri thotë “ gjashtë ditë” dhe tjetri kalon ditën e shtatë, për të përmendur të tetën. Po kështu edhe Drita e pashtershme e shkëlqimit të Metamorfozës së Shpërtimtarit përbën vizionin e “ditës së tetë” të Mbretërisë Qiellore, që do të gjejë përmbushje pas largimit nga kjo botë e krijuar në gjashtë ditë.
Krishti Perëndi zbuloi se: “Me të vërtetë po ju them juve se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilët nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij” (Mt. 16:28), duke iu referuar fuqisë së Shpirtit të Tërëshenjtë. Në fund të kohërave, prania e Perëndisë dhe Mbretërisë së Tij do t’i përmbushë të gjitha,duke qenë se ardhja e Mbretërisë nuk nënkupton kalimin nga një vend fizik në një tjetër, por zbulesën e plotë të lavdisë së Shpirtit të Shenjtë. Për këtë arsye themi “do të vijë me lavdi”. Kjo lavdi dhe fuqi nuk do t’i manifestohet kujto, por vetëm atyre që qëndrojnë me besë të fortë më Zotin, që e kanë dëshmuar besën e tyre, ashtu si tre apostujt, dhe që janë çliruar nga degradimi shpirtëror i gjendjes sonë të rënë. Pikërisht për këtë arsye, Krishti e shfaqi lavdinë e Tij në mal, nga njëra anë duke zbritur nga lartësitë e Tij qiellore dhe nga ana tjetër duke na ngritur nga rënia jonë, teksa mori dhe Ai vetë formë njerëzore. Një zbulesë e tillë tejkalon kufijtë e çdo mendjeje njerëzore dhe përjetohet vetëm përmes ndriçimit të Shpirtit të Shenjtë.
Drita e shkëlqyer e Metamorfozës së Shpëtimtarit nuk është diçka që duket për disa momente e më pas venitet, as subjekt perceptimi shqisor, megjithëse apostujt e panë me sy për pak çaste. Përkundrazi, gjatë Metamorfozës, apostujt kaluan përtej kufizimit të mishit të tyre në frymë, duke përjetuar transformim të shqisave të tyre në shpirtërore, nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Shenjtë, në mënyrë që të kuptonin dhe të dëshmonin për Dritën e Pakrijuar .
Ata të cilët bien ndesh me pohimin e lartpërmendur, dëshmojnë në një farë mënyre se këta të zgjedhur ndër apostujt patën një perceptim ndjesor dhe njerëzor (“të krijuar”) jo vetëm të Dritës, Mbretërisë dhe lavdisë së Perëndisë, por edhe Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, nëpërmjet të Cilit zbulohen Misteret Hyjnore. Ky argument bie gjithashtu në kundërshtim me fjalët e apostull Pavlit, që thotë: “Por siç është shkruar: “Ato që sy s’i pa, e vesh s’i dëgjoi, e në zemër njeriu nuk u ngritën, këto Perëndia i bëri gati për ata që e duan atë”. Po Perëndia na i zbuloi me anë të Frymës të tij; sepse Fryma i vëzhgon të gjitha, edhe thellësitë e Perëndisë.”. (1 Kor. 2:9-10).
Kështu, në Ditën e Tetë, Jisui mori Petron, Jakovin dhe Joanin dhe shkoi në mal për t’u lutur. Zakonisht ai lutej në vetmi, i tërhequr nga të gjithë, madje dhe vetë apostujt, si p.sh. në rastin e mrekullisë së shumimit të pesë bukëve, ku u ushqyen pesë mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve (Mt. 14:19-233). Ose, kur mori disa apostuj të rrethit të Tij të ngushtë me vete, siç ndodhi përpara Pësimit të Tij, ku u tha atyre: “Rrini këtu, derisa të shkoj e të lutem atje” (Mt. 26:36). Por në këtë rast, përveç se i mori me vete nxënësit e Tij më të afërt, Ai edhe u shndërrua përpara syve të tyre.
Ҫfarë kuptimi ka kur themi “u shndërrua”? – pyet shën Joan Gojarti, dhe përgjigjet: “Nënkupton se Krishti u zbuloi atyre një pjesë të lavdisë së Tij, aq sa ata mund të mbanin e të kuptonin. Gjithashtu, u shfaqi natyrën e Tij Hyjnore. Në Ungjillin e shën Llukait shkruhet: “Edhe tek lutej ndërroi pamja e fytyrës së Tij” (Lk. 9:29), ndërsa tek Mattheu: “… edhe fytyra e tij ndriti porsi dielli” (Mt. 17:2). Citimi i fundit nuk do të thotë se Drita e Pakrijuar mund të perceptohet nëpërmjet shqisave (duke mos përmendur verbërinë shpirtërore të atyre që nuk konceptojnë dot asgjë më të lartë sesa materien që njihet nëpërmjet shqisave). Përkundrazi, fragmenti nënkupton se për ata që jetojnë në Frymë, Krishti është njësoj si dielli për ata të cilët besojnë dhe jetojnë vetëm materien.
E njëjta Dritë e Pakrijuar iu shfaq mistikërisht Apostujve dhe Profetëve që ishin aty, ndërkohë që Krishti lutej. Pra, ajo që e mundësoi këtë vizion të shkëlqyer ishte pikërisht lutja, dhe bashkimi i mendjes me Perëndinë. Një dhuratë e tillë u jepet edhe atyre që vazhdimisht e ushtrojnë veten në lutje dhe përpiqen të mos e shkëpusin mendjen nga qielloret. Bukuria e vërtetë arrin të perceptohet vetëm me mendje të pastër. Soditja e të mirave të përmbidheshme na bën pjesëmarrës në to, ashtu si një rreze drite e cila prek dhe ngroh fytyrën e njeriut.
Nga Dhiata e Vjetër kujtojmë se fytyra e Moisiut u ndriçua falë komunikimit të tij me Perëndinë, teksa u ngjit në mal dhe pa lavdinë e Tij. Në ndryshim nga Jisui, Moisiu nuk bëri asgjë nga ana e tij, thjesht pësoi një transformim të tillë. Jisui e zotëronte vetë Dritën, dhe nuk i nevojitej të lutej që trupi i tij të shndërriste me Dritën Hyjnore, të njëjtën dritë që ndriti mbi shenjtorët. Është shkruar se të gjithë shenjtorët “do të ndrisin si dielli” (Mt. 13:43), pra do të përfshihen plotësisht në Dritën Hyjnore, teksa soditin lavdinë e Perëndisë, e më pas do ta reflektojnë dritën e Tij.
Metamorfoza e Krishtit në Malin Thavor u manifestua edhe në trupin e Tij, për shkak të unitetit të natyrës së Tij hyjnore me atë njerëzore. Ky unitet i dy natyrave të Krishtit u dëshmua në Sinodin e Katërrt Ekumenik në Kalqedoni, si një bashkim i papërzier, i pandarë dhe i pandryshueshëm.
Kisha jonë beson se drita që doli prej Tij nuk ishte asgjë tjetër përveç asaj që ruhej e fshehur brenda trupit të Tij njerëzor. Ishte Drita pakrijuar e natyrës hyjnore të Krishtit. Prandaj Etërit thonë se gjatë Metamorfozës, Jisui nuk mori ndonjë tipar të ri që nuk e kishte pasur apo të pësonte ndonjë ndryshim. Përkundrazi, nëpërmjet kësaj ngjarjeje ai u shfaqi dishepujve natyrën e Tij të vërtetë, duke hapur sytë e tyre. A nuk mendoni se sytë njerëzorë që perceptojnë vetëm gjërat e kësaj bote, do të verboheshin menjëherë përballë një drite të tillë?
Apostujve iu ndriçuan sytë nëpërmjet hirit dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, kështu edhe ata u transformuan në mënyrë që të arrinin të shikonin atë mister të madh.
Gjithashtu u transformua edhe ajo që ngjizi pa farë dhe lindi mistikërisht Birin e Vetëmlindur të Perëndisë, të Cilin edhe e njohu si Zotin e saj. E njëjta gjë edhe me Simeonin, që u denjësua të mbante në krahë Foshnjën Hyjnore, dhe bashkë me të edhe profetesha Ana (që qëndronte në Tempullin e Jerusalemit). Ashtu si rrezet e diellit që depërtojnë në një xham të tejdukshëm, ashtu edhe ata u prekën prej Shpirtit të Shenjtë, duke iu ndriçuar sytë e zemrës.
Po përse Jisui zgjodhi grupin e ngushtë të nxënësve për t’i marrë me vete në mal kur të shndërrohej? Padyshim, për t’i treguar diçka mistike dhe madhështore. Por ku qëndronte madhështorja dhe mistikja në një ndriçim të tillë të madh të krijuar, të cilin e njihnin jo vetëm të zgjedhurit, por të gjithë apostujt. Përse do të duhej që atyre t’u hapeshin sytë e shpirtit nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Shenjtë, që të mund ta shihnin, nëse drita që doli prej Tij do të ishte e krijuar? Si do të mund të mendohej se lavdia e Atit dhe e Shpirtit të Shenjtë do të shfaqej në formën e një drite të krijuar? Po si do të vinte vallë Krishti në fund të kohërave, kur nuk do të ekzistojë asgjë tjetër e krijuar, madje as ajri, por “Perëndia do të jetë i gjithi në të gjitha” (1 Kor. 15:28)? Nëse besojmë vërtet se prania e Tij do t’i mbushë të gjitha, atëherë nënkuptojmë edhe dritën.
Për të gjitha këto arsye, është e qartë se Drita e Malit Thavor është Hyjnore. Ungjillori Joan, në Zbulesën e Tij thotë në frymë se Qyteti i Shenjtë: “Edhe qyteti s’ka nevojë për diell, as për hënë, që të ndriçojnë në të; sepse lavdia e Perëndisë e ndriti atë, edhe drita i tij është Qengji” (Zb. 21:23). A nuk është e qartë se qengji për të cilin flet, është vetë Krishti, që u shpërfytyrua hyjnisht në Malin Thavor dhe trupi i të Cilit ndriçoi duke iu shfaqur nxënësve lavdinë e Tij të përjetshme?
Shën Joan Theologu, në Zbulesën e tij shkruan gjithashtu se: “Edhe natë nuk do të ketë atje; edhe s’kanë nevojë për kandil e për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçoi ata; edhe do të mbretërojnë në jetë të jetëve” (Zb. 22:5). Mund të lindë pyetja se se çfarë mund të jetë në fakt kjo dritë, e cila nuk ndryshon dhe nuk venitet kurrë, por është e qëndrueshme dhe e përhershme, nëse nuk është Drita e Perëndisë? Për më tepër, si do të ishte e mundur që Moisiu dhe Ilia (sidomos ky i fundit, të cilin apostujt nuk ia njihnin as pamjen, pasi trupi i tij ishte marrë lart në qiell prej Perëndisë) të ndrisnin dhe të ishin të njohur për apostujt? Dimë se për ta është shkruar: “Edhe ja tek po flisnin bashkë me të dy burra, të cilët ishin Moisiu dhe Ilia. Këta u dukën me lavdi e thoshin për vdekjen e tij që kishte për ta përmbushur në Jerusalem” (Llk. 9:30-31).
Por le të mos mbetemi në interpretimet e ndryshme që i bëhen Shkrimit të Shenjtë. Ne besojmë këto, siç na i kanë thënë ata që edhe vetë u ndriçuan nga Drita e Pakrijuar e Perëndisë, për aq sa atyre iu është zbuluar. Misteret e Perëndisë, të shpalosura në fjalët e profetëve njihen vetëm prej vetë Atij, dhe atyre që janë të afërt me Të. Neve që mësuam për Misterin e Metamorfozës së Shpëtimtarit, sipas dëshmisë dhe mësimit të atyre që e përjetuan, le të përpiqemi të ndriçohemi edhe vetë nga drita e Tij, duke e nxitur veten tonë drejt dashurisë, bukurisë dhe lavdisë së Tij të përjetshme, duke i pastruar shpirtrat tanë nga kënaqësitë e përkohshme dhe bukuritë që errësojnë shpirtin dhe e shpien drejt Gjehenës. Të përpihemi në njohjen dhe shkëlqimin e Dritës së përjetshme të Shpëtimtarit tonë, që u shndërrua në Thavor, në lavdinë e Birit, dhe të Atit të Tij pa fillim, dhe të Shpirtit Jetëbërës, që janë një Perëndi, një shkëlqim, një lavdi, një Mbretëri e një fuqi, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.