/Shën Agustini – Rrëfimet

Shën Agustini – Rrëfimet

Shën Agustini

   Rrëfimet

Unë të pranoj, o Zot i qiellit dhe tokës, dhe të lavdëroj për fillimet e mia të para, edhe pse nuk mund t’i mbaj mend. Por Ti i ke lejuar njerëzit që t’i zbulojnë këto gjëra mbi veteveten duke parë foshnja të tjera dhe gjithashtu të mësojnë mjaft nga çfarë gratë kanë për të treguar. E di që isha një person i gjallë edhe në atë moshë dhe gjer sa i afrohesha fundit të foshnjërisë përpiqesha të gjeja shenja për të shprehur ndjenjat e mia tek të tjerët. Që nga mund të vinte një gjallesë e tillë, veçse nga Ty, o Zot? A mund të ndodhë që çdo njeri ka aftësi për të fabrikuar vetveten? Ose a mund të jetë një tunel, nga i cili ne marrim jetën dhe vetë ekzistencën tonë, nga një tjetër burim përveç teje? Sigurisht që ne mund t’i marrim ato nga Krijuesi ynë, nga Ty, o Zot, ku të jetuarit dhe të qenurit nuk janë gjëra të ndryshme, pasi jeta e pasosur dhe ekzistenca e pasosur janë një dhe e vetme. Sepse Ti je i përjetshëm dhe kurrë nuk ndryshon. Në Ty “sot” kurrë nuk ka fund: dhe megjithatë “sot” për ne vjen në një fund tek Ty, sepse koha, ashtu si gjithçka tjetër, ekziston në ty. Nëse nuk është nuk ka as arsye që të kalojë. Dhe meqenëse vitet e tua nuk kanë fund, pasi për Ty ato janë vetëm “sot”, ditët e pasosura të jetës sonë dhe të etërve tanë kanë kaluar për Ty brenda kësaj “sot”. Nga kjo ata kanë kanë marrë masën e kohëzgjatjes dhe të ekzistencës së tyre. Dhe kështu do të jetë me të gjitha ditët e tjera që janë për të ardhur. Ndërsa Ti je përjetësisht i njëllojtë. Në këtë “sot” Ti do të bësh të gjithë atë që do të ekzistojë nesër, dhe më pas në këtë “sot” Ti ke bërë gjithçka që jetonte dje dhe më përpara saj.

Më shqetëson fakti nëse disa njerëz nuk e kuptojnë këtë. Le të pyesin se çdo të thotë kjo dhe le të ndihen të lirë të pyesin: por ata mund të kënaqen vetëm me pyetjen. Sepse është më mirë që të të gjejnë Ty dhe të lënë pyetjen të pa përgjigjur, sesa të gjejnë përgjigjen pa të gjetur Ty.

Dëgjomë, o Perëndi! Sa të liga janë mëkatet e njerëzve! Këtë thonë njerëzit dhe Ti ke mëshirë për ta, sepse Ti i gatove ata, por Ti nuk bëre mëkatin tek ai. Kush mund të më kujtojë mëkatet që kam kryer kur isha foshnjë? Sepse përpara teje asnjë nuk është i lirë nga mëkati, as edhe një fëmijë që ka jetuar qoftë edhe një ditë të vetme në botë. Kush mund të më tregojë cilat ishin mëkatet e mia? Çfarë mëkatesh kam kryer, pra, kur isha vetë foshnjë? A ishte mëkat të qaja kur desha të ushqehesha në gji? Jam tepër i rritur tani për t’u ushqyer me qumështin e nënës, por nëse do të qaja për ushqimin që përshtatej me moshën time, të tjerët do të qeshnin me mua me të drejtë e do të më përbuznin e qortonin. Prandaj dhe atëherë meritoja qortim për atë që bëja; por gjersa nuk e kuptoja qortimin, do të ishte e paarsyeshme dhe pavend që të qortohesha. Këto gabime i shkulim dhe i zhvlerësojmë gjersa rritemi dhe kjo provon që ato janë gabime, sepse unë kurrë nuk kam parë një burrë që me qëllim të hedhë të mirën gjersa pastron të keqen. Prandaj, nuk mund të jetë e drejtë për një fëmijë, qoftë edhe në atë moshë, të qajë për gjithçka, madje dhe për gjëra që do t’i bënin dëm atij, duke shpërthyer në një zemërim kundër njerëzve më të rritur se ai dhe të përpiqet me sa të ketë mundësi që t’i godasë dhe lëndojë të tjerët që dinë më shumë nga ai, duke përfshirë dhe prindërit e tij kur nuk i japin dhe nuk ia përkrahin tekat të cilat vetëm do ta dëmtojnë. Kjo tregon se nëse foshnjat janë të pafajshme, kjo nuk vjen për shkak të mungesës së vullnetit për të bërë dëm, por për shkak të mungesës së forcës.

Unë vetë kam parë xhelozi tek foshnja dhe e kam parasysh se çdo të thotë. Ai nuk ishte aq i madh sa të fliste, por sa herë që ai shikonte në gji vëllanë e birësuar, ai do të zbehej nga inati. Kjo është gjë e njohur. Nënat dhe mendëset thonë se janë në gjendje që gjëra të tilla të kapërcehen me një mënyrë apo me një tjetër, por sigurisht që një gjë e tillë nuk mund të quhet pafajshmëri, gjersa qumështi rrjedh me kaq bollëk nga burimi i tij për të plotësuar nevojat e domosdoshme për jetën sipas kësaj forme ushqimi. Gabime të tilla nuk janë të vogla ose të parëndësishme, por ne jemi zemëbutë dhe i durojmë gjëra të tilla, pasi e dimë që fëmija do të rritet me anë të tyre. Është e qartë se ato nuk janë thjesht mëkate të vogla, pasi gabime të tilla janë të pa tolerueshme tek personat e rritur.

Ti, o Zot Perëndia im, më dhe jetën dhe trupin kur u linda. I dhe trupit tim të pesë shqisat; e pajse me gjymtyrë dhe i dhe masën që duhet; dhe mbolle në të të gjitha instiktet e nevojshme për jetën dhe mirëqenien e një krijese të gjallë. Për këto dhurata më urdhëro që të të njoh Ty dhe të të lavdëroj dhe të këndoj për lavdi të emrit tënd, sepse Ti je Perëndi i Fuqishëm, sepse Ti je i mirë dhe sepse unë të kam borxh Ty lavdërimin për këto gjëra, edhe sikur të mos kishe bërë gjë tjetër. Askush tjetër përveç teje nuk mund të bëjë gjëra të tilla, sepse vetëm Ti je kallëpi dhe të gjitha gjërat janë  hedhur në të, je forma e përsosur që formon të gjitha gjërat dhe gjithçka zë vendin e saj sipas ligjit tënd.

Nuk mbaj mend atë pjesë të hershme të jetës sime, o Zot, por u besoj atyre që njerëzit e tjerë më kanë treguar dhe duke parë foshnje të tjera mund të arrij në përfundimin se edhe unë kam jetuar si këta. Por, edhe pse i vërtetë përfundimi im, nuk më pëlqen ta mendoj atë periudhë si pjesë e së njëjtës jetë që jetoj tani, pasi është e zbehtë dhe e harruar, dhe në këtë kuptim nuk ka shumë ndryshim nga pjesa e jetës që jetova në barkun e nënës. Por nëse u linda në mëkat dhe faji ishte me mua që nga koha që nëna më mbarti, ku, të pyes, o Zot, ku ose kur isha unë, shërbëtori yt, përherë i pafaj? Por nuk do të vazhdoj më për atë kohë, pasi asnjë gjurmë nga ajo nuk gjendet në kujtesën time, nuk ka përse të më shqetësojë më.

Faza tjetër në jetën time, gjersa rritesha, ishte fëmijëria. Ose më mirë të themi që fëmijëria më mori mua dhe pasoi foshnjërinë time – jo se foshnjëria ime më la, sepse, nëse po, atëherë ku shkoi? Por gjithsesi, nuk ishte më aty, pasi unë pushova së qenuri një bebe që s’mund të flasë dhe tashmë isha një fëmijë në gjendje për të folur. Mund të sjell ndër mend atë kohë dhe më vonë arrita të kuptoj se si fillova të flisja. Nuk ishin të rriturit që më dëftyen fjalët në bazë të një sistemi të caktuar, siç vepruan pak më vonë kur më treguan se si të lexoja; por, në të kundërt, unë mësova vetveten duke përdorur inteligjencën që Ti, Perëndia im, më dhe. Sepse kur unë përpiqesha të shprehja mendimin tim duke qarë e duke bërë zhurma e lëvizje të ndryshme, në mënyrë që dëshira ime të përmbushej, vura re se nuk mundja të transmetoja të gjithën atë që kisha ndërmend ose të bëhesha i kuptueshëm nga të gjithë ata që do të doja të më kuptonin. Kështu që kujtesa ime më erdhi në ndihmë. Vura re se njerëzit emëronin disa objekte dhe më pas ktheheshin drejt asaj që ata kishin përmendur. Unë i vështroja dhe kuptova që tingulli që ata bënin kur deshën të vinin në dukje atë gjë të veçantë ishte emri që ata i vendosnin asaj dhe veprimet e tyre e bënin të qartë atë që ata kishin ndër mend, sepse ekziston një lloj gjuhe universale, e cila mbështet në shprehjen e fytyrës dhe të syve, lëvizjesh dhe intonacionit të zërit, e cila mund të tegojë nëse një person kërkon të kërkojë diçka për ta marrë, ose e refuzon atë dhe as që do të dijë për të. Kështu, duke dëgjuar fjalë të rregulluara në shprehje të ndryshme dhe vazhdimisht të përsëritura, gradualisht fillova t’i perceptoj përse bëhej fjalë, dhe kur gjuha ime ishte stërvitur aq sa për të shqiptuar, unë fillova të shpreh dëshirat e mia me anë të tyre. Në këtë mënyrë i bëra të njohura dëshirat e mia dhe ndërmora një hap më tepër në jetën e furishme të shoqërisë njerëzore, edhe pse akoma isha subjekt i autoritetit të prindërve të mi dhe vullnetit të më të rriturve.

Por, o Perëndi, Perëndia im, tani kalova një periudhë vuajtjesh e nënshtrimi. Më kishin thënë që ishte e drejtë dhe me vend për mua si fëmijë që ti kushtoja vëmendje mësuesve të mi, kështu që të mund të shkoja mirë me mësimet e gramatikës dhe në këtë mënyrë të hyja në botë. Kjo ishte mënyra për të fituar respektin e të tjerëve dhe të mund të fitoja gjithçka të dobishme që mund të më ofronte kjo botë. Kështu më çuan në shkollë që të mësoja të lexoja. Isha shumë i vogël për të kuptuar se përse do të më shërbente dhe megjithatë, nëse tregohesha i shkujdesur me mësimet, për këtë rrihesha – pasi rrahja ishte e pranueshme në atë kohë. Një shumicë e panumërt fëmijësh që nga kohë të harruara kishin ndërtuar për ne këtë shteg të kalldrëmtë për të ecur dhe ne tashmë kishim ardhur për të kaluar në të, duke i shtuar asaj mund e dhimbje si bij të Adamit.

Por gjetëm dhe njerëz që të lusnin Ty, Zot, dhe mësuam prej tyre që të bëjmë të njëjtën gjë, që të mendonim për Ty për aq sa mundnim të të kuptonim, si dikush i cili është i rritur e mund të na dëgjojë dhe ndihmojë, edhe pse nuk mund të të shikonim, dëgjonim ose të të preknim. Isha akoma fëmijë kur për herë të parë fillova të të lutesha Ty, Ndihma ime dhe Streha ime. Fillova të belbëzoja në lutje tek Ty, dhe madje edhe pse i vogël, përkushtimi im ishte i madh kur të lutesha që të mos lejoje që të rrihesha në shkollë. Ndonjëherë, për fatin tim të mirë, Ti nuk iu përgjigje lutjes sime dhe madje prindërit e mi dhe të rriturit, të cilët sigurisht që nuk donin të keqen time, do të qeshnin me të rrahurat që haja – dhe në ato kohë rrahjet ishin tmerri im.

O Zot, në të gjithë botën njerëzit të luten që t’i ruash nga trekëmbëshi dhe sopata e gjëra të ndryshme si këto, të cilat i tmerrojnë. Disa njerëz janë me të vërtetë të pashpirt, por nëse një njeri të qepet me përkushtim të madh, si mund ta frymëzojë mëshira e tij që të gjejë mënyrë për ta bërë më të lehtë torturën, kur atij i pëlqejnë ata që i kanë kaq frikë ato? Dhe megjithatë në këtë mënyrë talleshin prindërit tanë me torturat tona, që ne, si fëmijë, hiqnim nga duart e mësuesve. Sepse ne kishim frikë thuprën aq shumë sa të tjetët kishin frikë trekëmbëshin; dhe ne jo më pak se ata të luteshim që të na ruaje nga ajo. Por ne mëkatonim duke lexuar, shkruar dhe studiuar më pak nga sa pritej prej nesh. Nuk na mungonte as kujtesa dhe as inteligjenca, pasi sipas vullnetit tënd, o Zot, kishim aq shumë nga të dyja saç ishte e nevojshme për moshën tonë. Por ne kënaqeshim me lodra dhe dënoheshim për to nga njerëz që luanin vetë lojra. Megjithatë, lojrat e të rriturve njihen si “punëra”, dhe megjithëse lojrat e fëmijëve janë shumë afër me to, ata dënohen për to nga më të rriturit. Askujt nuk i vjen keq, si për fëmijët ashtu dhe për të rriturit, edhe pse ne me të vërtetë meritonim keqardhje, pasi nuk mendoj se një gjykatës i mirë do t’i aprovonte të rrahurat që kam ngrënë si fëmijë me shkakun se lojrat e mia bëheshin pengesë në studimin e temave të cilat do më bënin të aftë të luaja lojra jo shumë më ndryshe nga këto në vitet e mëvonshme. A ndryshonte shumë nga unë mësuesi që më rrihte? Nëse do të tregohej më i dobët se një koleg i tiji në ndonjë argument të thjeshtë, ai do të shpërthente nga inati, shumë më tepër nga çdo të bëhesha unë ndaj shokut tim të lojës me top.