/Shën Agustini – Rrëfimet

Shën Agustini – Rrëfimet

Shën Agustini

Rrëfimet

Edhe pse fëmijë, më ishte treguar për jetën e përjetëshme që na është premtuar nga Zoti ynë, i cili përuli veten e tij dhe erdhi midis nesh mëkatarëve krenarë. Si një katikumen isha bekuar shpesh me shenjën e Kryqit dhe kisha ndjerë shijen e kripës, pasi nëna ime, o Zot, kishte shpresë të madhe në Ty. Njëherë fëmijë u sëmura papritur nga një çrregullim në stomak dhe arrita gjer në pikën e vdekjes. Ti o Perëndi, ishe ruajtësi im që nga ajo kohë dhe Ti vure re zjarrin dhe fuqinë e besimit tim gjersa i lutesha dhimbshurisë së nënës sime dhe nënës së të gjithëve neve, Kishës tënde, për të më dhënë pagëzimin e Krishtit, Birit tënd, që është Perëndia dhe Mësuesi im. Nëna ime tokësore ishte thellësisht e shqetësuar, pasi në besimin e pastër të zemrës së saj ajo ishte në ankth të madh për sigurimin e shpëtimit tim të përjetshëm më shumë sesa kur ishte në kohën e lindjes sime. Nëse nuk do të isha shëruar aq shpejt, ajo do të bënte të pamundurën që unë të merrja misteret e shpëtimit dhe të isha pastruar me njohjen tënde, Zotit Jesu, për faljen e fajeve të mia. Kështu që larja ime me ujërat e pagëzimit u shty, me mendimin se duke vazhduar së jetuari, do ta ndotja veten time përsëri me mëkat edhe pas pagëzimit, e atëherë faji i ndotjes do të ishte më i madh dhe më i rrezikshëm. Edhe në atë moshë unë besoja në Ty dhe po kështu dhe nëna ime dhe gjithë familja ime, përveç babait tim. Por në zemrën time ai nuk mund të zëvendësonte dhembshurinë e mamasë dhe të më pengonte që të besoja në Krishtin, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ai nuk i besonte as vetvetes. Ajo bëri gjithçka që ishte e mundur që të shikonte që Ti, Zoti im, të bëheshe një atë për mua më shumë se ai. Në këtë Ti e ndihmove atë që të mund ta kthente peshoren kundër burrit, të cilit gjithmonë iu bind, pasi duke iu bindur atij ajo iu bind ligjit tënd dhe në këtë mënyrë tregoi një virtyt më të madh se të tijin.

Të lutem, Perëndia im – nëse është vullneti yt, kam etje të di – për çfarë arsye u shty pagëzimi im në atë kohë? Ishte për të mirën time që frerët që më mbanin nga mëkati të liroheshin? Apo nuk është e vërtetë që ato u liruan? Nëse jo, përse vazhdimisht dëgjojmë njerëzit që të thonë, madje dhe në kohët tona: “Lëre rehat atë, le ta bëjë. Ai nuk është pagëzuar ende”? Megjithatë, kur shëndeti i trupit është në rrezik, askush nuk thotë: “Le të bëhet më keq. Ai nuk është i kuruar”. Do të ishte shumë më mirë nëse do të isha shëruar menjëherë dhe nëse, falë kujdesit të dhembshur të familjes sime dhe vendimeve të mia, të kisha vepruar dhe të kisha marrë shëndetin e shpirtit, dhe të isha i suhurt nën mbrojtjen që Ti do të më jepje mua. Kjo sigurisht që do të kishte qenë dhe drejtimi më i mirë. Por nëna ime e dinte shumë mirë sa shumë valë tundimesh më kërcënonin përpara se të rritesha, dhe ajo zgjodhi që ato të rrihnin mbi poçen ende të pa gatuar, sesa mbi imazhin e përfunduar që kishte marrë vulën e pagëzimit.

12.  Këto tundime mendoheshin të kishin rrezik më të vogël në fëmijëri sesa në adoleshencë. Por edhe si fëmijë, unë nuk kujdesesha për mësimet dhe nuk më pëlqente që të detyrohesha që të studjoja. Gjithashtu isha i shtrënguar të mësoja dhe si rezultat erdhi diçka e mirë, edhe pse nuk ishte diçka që vinte nga unë. Pasi unë nuk do të kisha studjuar fare nëse nuk do të isha i detyruar që të veproja kështu dhe çfarë bën njeriu kundër dëshirës së tij nuk i kushtohet atij, edhe nëse ajo që bën është e mirë në vetvete. As nuk ishte kjo e mirë meritë e atyre që më detyruan të studioja, por e jotja, Perëndia im. Pasi atyre u mungonte kuptimi që të shikonin se unë mund t’i përdorja mësimet që ata më detyronin që t’i mësoja për të kënaqur dëshirën e pangopur të njeriut që varfërinë e quan mirqenie dhe poshtërsinë e quan famë. Por Ti, që edhe qimet e kokës sonë i ke të numëruara, përdore për të mirën time idetë e gabuara të gjithë atyre që më detyronin të studioja, si një dënim që duhet të paguaja, pasi unë isha mëkatar shumë i madh për një moshë aq të vogël. Në këtë mënyrë, Ti i ktheve gabimet e tyre në favorin tim dhe drejtësisht më dënove mua për të miat. Sepse këtë ke urdhëruar dhe kështu është me ne, që çdo shpirt që mëkaton sjell dënimin e tij mbi vetvete.

13.  Edhe tani nuk mund të kuptoj plotësisht përse gjuha greke, të cilën mësoja si fëmijë, ishte aq e bezdisshme për mua. Më pëlqente latinishtja, jo mësimet fillestare por ato që mësova më vonë nën mësues të letërsisë. Mësimet e para në latinisht ishin lexime, shkrime dhe numërime, dhe ato ishin detyrime po aq të mudimshme sa çdo lloj studimi në geqisht. Por dhe kjo gjithashtu ishte për shkak të mëkatshmërisë dhe kotësisë së jetës, pasi unë isha mish edhe gjak, aspak më ndryshe se një erë që shkon e nuk kthehet. Sepse këto mësime fillestare ishin shumë më të vlefshme se ato që pasuan, pasi subjekti i tyre ishte praktik. Ato më dhanë fuqinë, të cilën akoma e kam, për të lexuar gjithçka që del përpara meje dhe të shkruaj gjithçka që kam dëshirë të shkruaj. Por në mësimet e mëvonshme isha i shtrënguar të mësoja përmendësh shtegtimet e një heroi të quajtur Enea, ndërkohë që harroja të kujtoja rrugët e mia të çoroditura. Mësova të vajtoja për vdekjen e Didosë, e cila vrau veten e saj për hir të dashurisë, gjersa gjatë gjithë kohës, në mes të këtyre gjërave, unë isha duke vdekur, i ndarë prej teje, Perëndia im, Jeta ime, dhe nuk derdhja lotë për plagët e mia.

Çfarë mund të ketë më të mjerë se sa një të shkretë që s’është në vetëdije për gjendjen e tij të vajtueshme, duke vajtuar vdekjen e Didosë, që qante për vdekjen e Eneas, ndërkohë që nuk derdhte lot për vetveten gjersa vdes nga nevoja e dashurisë për Ty? O Perëndi, Ti je Drita e zemrës sime, Buka e shpirtit tim të brendshëm dhe Fuqia që i bashkohesh mendjes sime dhe mendimeve të zemrës sime. Por unë nuk të desha ty. Unë theva besën me ty dhe lidha një tjetër gjersa duartrokitjet dëgjoheshin për mua. Sepse të duash këtë botë është të thyesh besën me Ty, megjithatë njerëzit duartrokasin dhe u vjen turp të jenë ndryshe. Unë nuk vajtoja për këtë, por në vend të saj vajtoja për Didonë që ia dorëzon jetën e saj shpatës, ndërkohë që unë të harrova Ty dhe dorëzova veten tek më të ultat e krijesave të tua. Dhe kur më ndalonin të lexoja këta libra, unë isha i mërzitur që nuk lexoja pikërisht ato që më bënin të mërzitur. Kjo marrëzi mbahet si më me vlerë dhe më e frytshmja formë studimi sesa mësimi i të lexuarit dhe të shkruarit.

Por tani, Perëndia im, le të tingëllojë zëri yt në veshët e mi dhe le të shpallë e vërteta jote tek unë që është gabim të mendosh një gjë të tillë. Tregomë që të lexuarit dhe të shkruarit janë shumë më të mira si studime. Kjo duhet të jetë e vërtetë, sepse do të isha i gatshëm të harroja endjet e Eneas dhe gjithçka bashkë me të, sesa të lexoja dhe të shkruaja. Është e vërtetë se perdet janë të varura përpara hyrjeve për në shkolla ku mësohet letërsi, por nuk kanë për qëllim të nënkuptojnë prestigjin e të mësuarit të elitës, por të mbulojnë gabimet. Nuk është e nevojshme që kritikët të flasin lidhur me fjalët e mia, pasi unë nuk eci më me frikën e tyre gjersa shpreh dëshirat e shpirtit tim tek Ty, Perëndia im, dhe me gëzim fajësoj veten për rrugët e mia të liga në mënyrë që të gëzoj rrugët e mira që Ti më ke shfaqur. Nuk ka nevojë që të flasin kundër meje as ata që shesin literaturë as ata që blejnë mallrat e tyre. Sepse nëse do të shtroja përpara tyre pyetjen se a është e vërtetë, ashtu siç thotë dhe poeti, se Enea erdhi njëherë në Kartagjenë, i pa shkolluari do të përgjigjet me padituri dhe i mirëdituri do të përgjigjej se nuk është e vërtetë. Por nëse do të pyesja se si shqiptohet emri Enea, çdokush që ka mësuar të lexojë do të më përgjigjet drejt, bazuar në marrëveshjen në të cilën është mbështetur alfabeti për të gjithë ne. Dhe nëse më pas do t’i pyesja ata se a do të humbiste më shumë njeriu nëse harronte të shkurante dhe lexonte, apo të harronte fantazitë e ëndërruara nga poeti, sigurisht që çdokush që është në rregull nga trutë mund të shohë përgjigjen që ata do të jepnin. Kështu që ishte gabim për mua si fëmijë që të parapëlqeja romanca boshe nga studime më të vlefshme. Në fakt do të ishte e vërtetë të thosha se unë e desha njërën dhe urreja tjetrën. Por në ato ditë “një edhe një bëjnë dy dhe dy edhe dy bëjnë katër” ishte një lëmsh i urryer, ndërkohë që kali prej druri dhe skuadra e ushtarëve, djegia e Trojës dhe madje dhe fantazma e Kreusës krijonin një ëndërr magjepsëse, edhe pse një kotësi.

Shën Agustini