/Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë – Refleksione

Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë – Refleksione

Teritori që shtrihet në shtetin e sotëm të Shqipërisë e pranoi mesazhin e Ungjillit në shekullin e parë pas Krishtit (Rom. 15:19) dhe u zhvillua nga ana kulturore kryesisht nën frymën jetëeprurëse të Krishtërimit. I shtrirë në perëndim të ballkanit, përgjatë pjesës veriore të detit Jon dhe asaj jugore të detit Adriatik dhe në lindje rreth aksit të rrugës së lashtë “Egnatia” u përfshi drejtpërdrejt në brumosjet shpirtërore dhe politike të tri perandorive që pasuan njëra tjetrën: të Perandorisë Romake, të Perandorisë Bi-zantine dhe asaj Osmane.
Duke u nisur nga varësite kishtare të episkopatave të rajonit dallojmë këto periudha:
– Periudha e parë fillon me epokën apostolike deri në vitin 731. Gjatë kësaj shtrirje kohore, ky teritor ka qenë pjesë e Ilirikut Lindor dhe Kisha e atyshme ishte nën juridiksionin e Vikariatit romak të Selanikut.
– Periudha e dytë, nga viti 731 deri në fillimet e shek 11, kisha lokale u zhvillua nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Patrikanës së Konstandinopojës.
– Gjatë periudhës së tretë ( nga shek 11 deri në vitin 1767) shumë nga episkopatat e Shqipërise së sotme vareshin nga Kryepiskopata e Ohrit (1018), kurse Mitropolia e Durrësit në shek 11 deri shek 13 qëndroi nën juridiksionin e Patrikanës së Konstandinopojës.
– Periudha e katërt: nga shfuqizimi i Autoqefalisë së Kryepiskopatës së Ohrit deri në krijimin e shtetit shqiptar (1912), episkopatat që ndodheshin në truallin e Shqipërise së sotme u rikthyen nën juridiksionin kanonik të Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopjës.
– Periudha e pestë shtrihet nga themelimi i shtetit shqiptar(1912) deri në shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse gjatë persekutimit të pareshtur komunist (1967 – 1990).
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë gjatë shekullit të 20-të ka kaluar një sërë sprovash të mëdha.Kulmi i këtyre sprovave ka qënë persekutimi mizor ateist gjatë periudhës së regjimit komunist.Gjatë 23 viteve të para pas përfundimit të Luftës së dytë botërore (viti 1944), trysnitë ishin të ngjashme me ato të Rusise dhe Ballkanit. Përpjekja ateiste për ta tallur fenë dhe përfaqësuesit e saj intensifikohej edhe me anë të dënimeve, burgimeve, internimeve si edhe me ekzekutimet e besimtarëve, klerikë edhe laikë, duke krijuar kështu një atmosferë deliri për shumicën që luftonte e punonte për krijimin e “njeriut te ri”.
Që nga viti 1967, regjimi i Hoxhës kërkoi të bëhej origjinal në historinë mbarëbotërore dhe e shpalli me kushtetutë Shqipërinë më 22. 11. 1967 si të parin dhe të vetmin shtet ateist në botë. Persekutimi që pasoi këtë vendim arrogant ishte nga më të ashprit që njohu në shekuj një kishë lokale. Kishat u mbyllën, shumica u shkatërruan, të tjera u shndërruan në magazina, kinoteatër, oficina, stalla. Klerikët u zhveshën, pasuria kishtare (tokat, enët e shenjta, arkivat) u konfiskua.
Roberto Moro della Rocca, historian i Evropës Lindore, i cili ka botuar disa libra për Shqipërinë e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1988 si pjesë e një delegacioni të vogël të Universit të Barit.Ja cila ishte përshtypja e tij për Shqipërinë e vitit 1988:
“… ishte një gjëndje e pabesueshme burgosjeje, ku gjithshka ishte e ndaluar dhe gjithshka zhvillohej nën kontrollin e rreptë të policisë dhe sigurimit”.
Ja cfarë kujton Kryepiskopi +A kur mbërriti për herë të parë në Shqipëri si Ekzark Patriarkal i Patrikanës Ekumenike për të hulumtuar se cfarë kishte mbetur prej Kishës Orthodhokse nga përndjekja e egër dhe e zgjatur kundër Kishës:
“…u përballa me një pamje tragjike. Në më të shumtën e rasteve ishim të detyruar të kryenim Liturgjinë Hyjnore ose shërbesat e tjera në mjedise të hapura, – aty ku më parë ekzistonin manastire ose kisha, – në kisha gjysëm të rrënuara ose nën pemë të mëdha…. ” Kur regjimi komunist shqiptar, nën trysninë e zhvillimeve ndërkombëtare (viti 1991) u mbraps, KOASH ishte krejtësisht e rrënuar, pa mundësi të brendshme rimëkëmbjeje. Për këtë situatë Kryepiskopi +Anastas ka shkruar: “Ndryshimet e njëpasnjëshme politike, kontradiktat e brendshme kishtare, mungesa e veprimtarive shpirtërore që ishte ushqim për besimtarët e kishin rralluar, si zjarret djegin bimësinë dhe e kishin kthyer Kishën Lokale në një tokë të shkretuar. Megjithatë, farërat e shprëstarisë orthodhokse kishin rezistuar të fshehura në qindra shpirtra duke pritur kushtet e përshtatshme për tu zhvilluar përsëri. Shpërberja e plotë e strukturës administrative të Kishës Orthodhokse nuk linte shpresa për një rimëkëmbje të brendshme. As në ndonjë vend tjetër të rruzullit nuk ekzistonte ndonje episkop shqiptar i cili do të merte përsipër barrën e ringritjes së Kishës lokale; as ndonjë shqiptar tjetër klerik apo laik, që ti përgjigjej këtij misioni tepër kompleks dhe të vështirë.”
Iniciativën për ringritjen e Kishës së Shqipërisë e mori Patriarkana Ekumenike. Në janar 1991, Patriarku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë zgjodhën Anastasin, profesor i Universitetit të Athinës, Episkop i Andrusës (Drejtor i Pergjithshem i Diakonisë Apostolike të Kishës së Greqisë dhe Mëkëmbës i Mitropolisë së Hirshme të Irinupolit, Afrika Lindore) si Eksark Patriarkal. Njëkohësisht ishte prof i Historisë së Feve në Universitetin Kapodistrian të Athinës (me studime pasuniversitare në Fetarologji në Hamburg dhe Marburg të Gjermanisë). Po ashtu ishte zgjedhur në poste të rëndësishme të organizmave fetare mbarëbotërore. Pas një kundërshtimi prej shumë muajsh nga ana e shtetit shqiptar, ai mberriti më 17 korrik 1991.
Sipas besimtarëve, dëshmitarë okularë:”… më 12 korrik u njoftuam se Eksarku Anastas do të vinte në Shqipëri në dt 16 korrik në drekë, me linjen ajrore “Olimpik”. Në këtë datë u nisëm të gjithë besimtarët në orën 10 për në Rinas.I morëm leje drejtorit të Rinasit që të dilnim në pistë të prisnim Ekzarkun patriarkal. Përvec besimtarëve kishin ardhur për ta pritur nga komunitetet fetare At Zef Pllumi, Hafez Sabri Koci, Baba Reshat Bardhi dhe Sheh Muhamer Pazari”.
Që në takimin e parë me teologun Dhimitër Beduli, të nesërmen në dt 17 korrik, Ezarku i Patrikanës Anastasi premtoi rindërtimin dhe kompletimin sa më shpejt të Katedrales së “Ungjillzimit” dhe u angazhua për përkthimin dhe botimin e shumë librave liturgjike në gjuhën shqipe, për sigurimin e një ndërtese ku do të vendosesh Kryepiskopata e kishës sonë, për planin për të vizituar kishat edhe manastiret e vendit edhe shumë programe të tjera.
Nuk kishte ndonjë ndonjë fron kryepiskopal për tu ngjitur. Ishte vetëm një stol i thyer plot me gozhda, që kishte lënë persekutimi ateist. Në këto kushte, hapi i parë ishte krijimi i një strukture kishtare elementare për të përfaqësuar Kishën lokale. Në dt 1 – 2 gusht 1991 u thirr Asamblea e Përgjithshme kleriko-laike, me pjesmarrjen e 15 klerikëve dhe 30 laikëve nga zëvendësit e kishtave të Shqipërisë, ku u shqyrtua gjendja postkomuniste dhe u zgjodhën 4 epitrope arkihieratike, si dhe Këshilli i Përgjithshëm Kishtar me 13 anëtarë.
Sapo mbërriti në Shqipëri, Ekzarku Patriarkal u përpoq të rigjallëronte besimin orthodhoks nëpërmjet vizitave në qytete e fshatra, predikimeve dhe kryerjes së Liturgjisë Hyjnore. Përpjekja kryesore e Ekzarkut Patriarkal ishte kërkimi i personave të përshtatshëm me shtetësi shqiptare për tu dorëzuar episkop dhe kryesisht gjetja e një kandidati për kryepiskop qofte edhe nga rradhët e laikëve të pamartuar intelektualë.Të gjithë dhe gjithshka ishin të mendimit se rimëkembja e Kishës lokale duke u bazuar vetëm në forcat e veta ishte e pamundur.
Në maj të vitit 1992 ishte gati të kthehej në detyrat e tij universitare. Atëhere, kleri dhe populli i Shqipërisë, pavarësisht nga prejardhja iu lutën që të qëndronte dhe të merrte përsipër punën për ringritjen e Kishës së gjakosur. Kështu që një përfaqësi e kishës së Shqipërisë vizitoi Patriarkanën Ekumenike, për herë të parë pas persekutimit, me 5 -8 qershor 1992 dhe kërkoi zgjedhjen e Ezarkut Patriarkal si primat i kësaj kishe.
Më 24 qershor 1992, më propozim të Patriarkut Ekumenik, Vartholomeut, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike zgjodhi unanimisht, sipas rregullave të Orthodhoksise, Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë mitropolitin e at’hershëm të Andrusës, +Anastasin. Kryepiskopi i ri pasi dha Mesazhin e Madh ndaj Fanarit më 12 korrik 1992 u fronëzua në Katedralen e Tiranës më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë klerikëve dhe përfaqësuesve laikë të dioqezave të Shqipërisë. Ky akt iu bë i ditur me Letra zyrtare patriarkale të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale, për ti përfshirë në diptiket e tyre, pas 40 vjetësh mungesë, emrin e Kishës së Shqipërisë dhe emrin e primatit të saj.
Fronëzimi i Kryepiskopit u krye pas një sërë negociatash me autoritetet shqiptare kompetente, në kishën e “Ungjillezimit”, në Tiranë më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë klerikëve dhe laikë nga të gjitha dioqezat e vendit.
Z. Andrea Rikardi, i cili ka shkruar parathënien e librit “Kryepiskopi Anastas Shërbëtor i Perendisë në shumë vende”, për Fortlumturinë e Tij +Anastas ka shkruar: “… me Kryepiskopin Anastas lind vërtet një Kishë Orthodhokse Shqiptare e pavarur, me rrënjë në vendin dhe në kulturën e tij, e hapur ndaj botës, në kungim me kishat e tjera Orthodhokse, ekumenike dhe me veprimtari të pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Fillon kështu një tjetër periudhë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për primatin e saj. Udha e kryepiskopit do të ishte e përpjetë e pasigurtë dhe e mundimshme. Në një intervistë dhënë për gazetën “Koha Jonë”, në tetor 1994, fortlumturia e Tij +Anastasi ndër të tjera thotë: ‘’ … që prej fillimit të misionit si kryepiskop, KOASH u rikrijua dhe u riorganizua me ritëm shumë të shpejtë. Kështu u zhvilluan 2 Asamble Kleriko-Laike, u zgjodhën Këshilli i Përgjithshëm Kishtar, Këshillat e Mitropolive dhe Epitropitë kishtare të Enorive, në qytete dhe fshatra me donacionet që u grumbulluan nga miq dhe të njohurit tanë në Evropë dhe Amerikë, u ndërtuan nga themelet 30 kisha, etj….”
Është me vlerë të cilësojmë që: nga viti 1992 filloi funfsionimin shkolla Teologjike Hieratike për përgatitjen e kuadrove të rinj vendas. Në vazhdim filloi botimi i gazetës “Ngjallja”, i librave në gjuhën shqipe, janë bërë vepra bamirësie në ndihmë të popullit me ushqime e veshmbathje, filloi në Tiranë ngritja e qendrës shëndetësore “Ungjillëzimi në Tiranë, me iniciativën e Kryepiskopit, KOASH-i, për herë të parë në historinë e saj u bë anëtare e Konferencës së Kishave Evropiane dhe e këshillit Botëror të Kishave. Ky zhvillim solli kërkesën e krijimit të Sinodit të Shenjtë të KOASH-it. Dhe në korrik 1998 u formua Sinodi i shenjtë me fronëzimin e Mitropolitit të Beratit Hirësisë së tij Ignat, fronëzimin të Episkopit të Korcës Hirësisë së Tij Joan dhe Episkopit të Apollonisë Hirësisë së Tij Kozma Qirjo. Në vitet e para, qershor 1992 si kryepiskop, Fortlumturia e Tij mbajti i vetëm përgjegjësinë dhe përkujdesjen për riformimin dhe administrimin e të gjitha Mitropolive të Shqipërisë.Në tetë vitet e mëvonshme vazhdoi të baritojë, përvec Kryepiskopatës edhe Mitropolinë e Girokastrës si Mëkëmbës. Për vitet 2003-2006 në punimet e Sinodit të Shenjtë me statusin e klerikut të transferuar ishte pjesë dhe Hirësia e Tij, Episkopi i Filomelisë, Ilia (Katre), të cilit iu ngarkua edhe drejtimi i Akademisë Teologjike. Përbërja e Sinodit të Shenjtë u plotësua në nëntor 2006 me zgjedhjen e arkimandritit Dhimitër (Sinaiti) më 11.11 2006 Mitropolit i Gjirokastrës dhe dy episkopëve shqiptarë, atij të Apollonisë , Nikolla (Hyka) dhe të Krujës, Andon (Merdani). Më 12 .01 2012 u zgjodhën edhe dy episkop titullarë: Nathanaili (Stergio) i Amantias dhe Asti (Bakallbashi) i Bylisit, sot është Mitropolit i Mitropolisë së Hirshme të Beratit.
Në dhjetevjecarët e parë të shek të 20, KOASH ka vuajtur dhe është kërcënuar nga armiqësitë dhe kontradiktat e brendshme.Gjatë gjysmës së dytë të shekullit arriti deri në dyert e Adhit. Në fund të këtij shekulli jetoi intensivisht përvojën dhe sigurinë se “portat e Adhit nuk do ta mundin atë” (Mt 16:18) – ka thënë Kryepiskopi +Anastas.
Ndërsa, me fillimin e shek 21, KOASH gëzon në të gjitha shprehjet e saj …KOASH me praninë dhe veprimtarinë e saj gjatë këtyre viteve ka kontribuar thelbësisht në rindërtimin dhe zhvillimin e përgjithshëm shpirtëror dhe shoqëror të Shqipërisë.”
I referohem sërish z. Andrea Riccardi, i cili ndër të tjera, në parathënien e librit “Kryepiskopi Anastas – Shërbëtor i Perëndisë në shumë vende” ka thënë:
“…me Kryepiskopin Anastas lindi vërtet një Kishë Orthodhokse Shqiptare e pavarur, me rrënjë në vendin dhe në kulturën e saj, e hapur ndaj botës, në kungim me kishat e tjera Orthodhokse, ekumenike dhe me veprimtari të pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare…”
Lavdi Perëndisë për të gjitha!

Nga: Julia Pjetri