/Providenca e Perëndisë

Providenca e Perëndisë

Providenca e Perëndisë

Tani do të vijojmë me temën e titulluar “Providenca e Perëndisë” e cila na intereson jashtëzakonisht shumë dhe mallëngjen shpirtin tonë. Kjo Providencë Hyjnore që është e vërtetë nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga dëshmia e historisë së botës, është një eksperiencë e përditshme në jetët tona dhe na bën ne përditë të kthehemi tek Perëndia dhe me mirënjohje të thellë për ta lavdëruar Atë pa pushim.

Providenca Hyjnore.

Çfarë është Providenca Hyjnore? Është shtrirja dhe plotësia e krijimit hyjnor; krijimi dhe providenca (përkujdesja) janë energjitë e Perëndisë që janë të ndërvarura dhe reciprokisht plotësuese. Ne themi që Perëndia krijoi botën dhe që Perëndia kujdeset për botën. “Perëndia është edhe Krijuesi edhe Ai që kujdeset për botën”. Menjëherë pasi Perëndia krijoi botën, pasuan ligjet, ligjet natyrore, me anë të së cilëve qeveriset bota. Megjithatë, nuk e lejoi botën të zhvillohet dhe përparojë vetëm mbi bazën e ligjeve natyrore, por Ai qëndron mbi krijimin si Krijuesi i ditur i saj, dhe e mbikëqyr dhe e drejton atë, dhe sa herë që është e domosdoshme, Ai ndërhyn për ta drejtuar atë drejt përmbushjes së qëllimeve të Tij sublime që Ai paracaktoi. Ky kujdes dhe kjo mbikëqyrje e vazhdueshme dhe e drejtpërdrejtë nga Perëndia për botën për  përmbushjen finale  të misionit dhe paracaktimit të saj quhet Providencë Hyjnore. Pasazhet vijuese nga Shkrimi i Shenjtë konfirmojnë Providencën e Perëndisë, në të vërtetë, të Perëndisë Triadike: Joani 5:17 “Im Atë vepron deri më tash, edhe Unë veproj”. Mateu 6:26 “Vini re zogjtë e qiellit; ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen”. Mateu 10:29 “A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj”, dhe duke vazhduar Ai thotë në lidhje me njerëzit: “Sa për ju, madje të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara” (Mateu 10:30). Dhe më pas vinë vargjet Kolosianëve 1: 13 – “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në Mbretërinë e Birit të Tij të dashur” dhe Hebrenjve 1:3 ku Shën Pavli na thotë se Biri i Perëndisë “duke qënë shkëlqimi i lavdisë së Tij dhe vula e qenies së Tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së Tij, mbasi e bëri Vet pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta”. Me këto fjalë Ai paraqet dashurinë e përsosur dhe Providencën e Birit të Perëndisë për faljen e mëkateve tona dhe për shpëtimin tonë të përjetshëm. Kjo Providencë Hyjnore është e dyfishtë në karakteristikë, e dyfishtë në natyrë dhe në formë: Providencë (Përkujdesje) për mirëmbajtjen e botës, dhe Providencë për drejtimin dhe ndihmesën e qenieve të botës dhe veçanërisht për njeriun drejt realizimit të qëllimit ekzistencës së Tij dhe jetës. Kështu që kemi mirëmbajtjen e botës dhe qeverisjen e botës.