/Provat që Perëndia ekziston

Provat që Perëndia ekziston

 Provat që Perëndia ekziston

Për njeriun objektiv, logjik, dhe pa paragjykime, ka prova që konfirmojnë ekzistencën e Perëndisë. Këto prova e bindin atë plotësisht për ekzistencën e Perëndisë. Një provë e tillë është e ashtuquajtura prova ose argumenti kozmologjik. Provë tjetër është prova telologjike. Tjetër është prova psikologjike dhe etike. Një tjetër është prova historike.

A) Prova ose argumenti kozmologjik shpjegohet kështu:

 Perëndia ekziston sepse ekziston bota. Ekzistenca e botës është provë dhe dëshmi që konfirmon dhe shpall ekzistencën e Perëndisë. Meqenëse është fakt, siç thotë Shën Pavli,“sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt’ prandaj, ‘Ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia”. Pra ekzistenca e botës presupozon ekzistencën e Perëndisë. Ashtu si  ndërtesa tregon me gisht ndërtuesin e saj, ashtu si vegla e punës tregon me gisht punëtorin, ashtu si anija tregon me gisht ndërtuesin e anijes, po kështu krijimi – çdo krijesë, e madhe ose e vogël, tregon me gisht Mjeshtrin, Krijuesin e tij. Njeriut të arsyeshëm, logjik çdo ditë përvoja ja tregon këtë. Kjo nuk është një dërdëllitje prej fantazisë apo prej zellit të tepruar. Shih veprat e mrekullueshme të krijimit; hidh vështrimin tek ato; dëgjoi ato, o njeri! Ato të gjitha shpallin ekzistencën e Perëndisë. “Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmi 18:1) – thotë Psalmisti, dhe Apostull Shën Pavli citon: “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm” (Romakëve1:20). Edhe me të vërtetë, cili është ai sy që sheh qartë dhe cili është ai shpirt i arsyeshëm dhe cila është ajo qenie shpirtërore teksa vështron ngultas tek natyra dhe tek  gjithçka e  krijuar, këtë vepër të mrekullueshme të Krijuesit, që të mos rrëfej që Perëndia ekziston, dhe të mos e lavdërojë Atë duke shpallur: “Sa madhështore janë veprat e tua o Zot, të gjithë i ke bërë me urtësi” (Psalmi 103:24). Përse mendohesh dhe përse e vret kaq shumë mendjen, o njeri? Është kaq e thjeshtë dhe kaq e lehtë! Po, ekziston Perëndia, për shkak se bota, që është vepër e Tij, ekziston.

B) Argumenti ose prova telologjike shpall se:

Bota që ekziston dhe duket, është në të vërtetë një kozmos, një zbukurim, një vepër e bukur, madhështore dhe e mrekullueshme, me të cilën njeriu gëzohet kur e këqyr dhe e vështron. Ajo është një vepër e mrekullueshme, me rregull dhe ligje, me bukuri dhe hijeshi; një vepër që fsheh brenda saj një mendje të gjithëditur dhe një fuqi të pafund e cila e krijoi dhe i dha formë. Arti i patejkalueshëm, bukuria dhe hijeshia e pakrahasueshme, dhe qëllimi unik ekzistojnë dhe shfaqen në krijim. Veç kësaj, ligje të patundshëm e mbajnë dhe e qeverisin botën, themele të forta dhe të palëvizshme që asnjë fuqi nuk mund t’i tund ose t’i përmbys. Çfarë nënkuptojnë të gjitha këto gjëra? Ato nënkuptojnë që nëse vepra është kaq e mrekullueshme, kaq e bukur dhe brilante, atëherë Ai që e krijoi atë është pa krahasim më madhështor dhe më i mahnitshëm. Ajo nënkupton se madhësia e botës dëshmon madhështinë e Krijuesit të saj. Ajo nënkupton pikërisht atë që thotë Solomoni i urtë: “Sepse prej madhërisë dhe bukurisë së krijesave mund të njihet me krahasim Krijuesi i tyre” (Urtësia e Solomonit 13:5). Shën Athanasi duke patur në mendje këtë pasazh prej Shkrimit tha: “Perëndia kaq shumë e zbukuroi krijimin saqë megjithëse Ai nuk mund të shihet në natyrë, prapëseprapë Ai bëhet i njohur me anë veprave të Tij”.  O njeri, vështro yjet, diellin, hënën. Ço ndërmend ajrin, retë, shiun, borën. Shiko tokën, malet, fushat, pemët,bimët, ujërat e lumenjve te të liqeneve, mbretërinë e pafund të kafshëve. Mendo për faktin se si secila prej tyre lëviz, se si jeton, çfarë i ofron gjithë krijimit, çfarë i ofron njeriut. Merre në konsideratë që ajo të ofron ushqim, rehati, jetë dhe të mira të tjera të panumërueshme. I mbushur me ngazëllim dhe frikë të përzier me nderim nga harmonia dhe rregulli i gjithësisë do të kuptosh ekzistencën e Tij.

C) Provat psikologjike dhe etike

 Argumentimi i këtyre provave shpjegohet kështu: Prova e ekzistencës së Perëndisë dëshmohet qartë nga fakti që shpirti ynë brenda nesh, ndien praninë e Perëndisë dhe e kërkon Atë. Ai ndjen ekzistencën dhe praninë e Tij. Ai e mendon Atë si Ligjvënës, si mbikqyrës dhe gjykatës të veprimeve të tij. Ai percepton të mirën e moralshme dhe të keqen që ekziston në botë. Dhe më pas çfarë bën shpirti? Ai e konsideron ekzistencën e Perëndisë si të domosdoshme dhe të pashmangshme. Gjithashtu, ai e konsideron ardhjen e Tij të dytë si diçka të pashmangshme, sepse Ai do të vijë për të gjykuar drejtësisht dhe për të shpërblyer cilindo sipas veprave të tij dhe për të vendosur rregullin moral në botë. Ekziston e keqja dhe padrejtësia në botë, dhe ekzistenca e kësaj padrejtësie e bën të domosdoshme ekzistencën e Perëndisë. Ai duhet të ekzistojë për të vënë drejtësi. Kështu që, Perëndia i Cili është Ligjvënësi, Mbikëqyrësi dhe Gjykatësi i njeriut ekziston. Fakti që nga thellësitë e shpirtit njerëzor vjen dëshmia e madhe dhe e qartë ndaj ekzistencës së Perëndisë konfirmohet gjithashtu nga Shën Athanasi i Madh që shprehet: “S’na nevojitet gjë tjetër për njohjen dhe kuptimin e vërtetë të Perëndisë, as kemi nevojë për provat për ekzistencën e Perëndisë që janë larg ose jashtë nesh, sepse duke patur brenda vetes besimin dhe mbretërinë e Perëndisë, ne jemi në gjendje të shohim qartazi dhe të kuptojmë Mbretin e të gjithave”. Me fjalë të tjera: “Mos shko larg, o njeri. Shiko brenda vetes. Vëri veshin rrahjes mistike dhe predikimit të shpirtit tënd, sepse ai të thërret: Ja Perëndia, Perëndia yt, është brenda teje”.

D) Prova historike

Së fundmi vijmë tek ajo provë që buron nga historia. Kjo provë ose argument shpreh se historia e gjithë njerëzimit konfirmon se të gjitha racat dhe gjuhët e tokës, në të gjitha brezat dhe epokat, gjithmonë patën një besim të përbashkët në ekzistencën e Perëndisë Krijuesit, Atit dhe Mbrojtësit të tyre. Atë adhuruan; Atë nderuan. Tek Ai kërkonin ndihmë dhe tek Ai gjetën mbështetje. Njerëz pa fe kurrë nuk kanë ekzistuar, edhe në lashtësi ndonëse ata braktisën monoteizmin dhe shkuan në politeizëm dhe idhujtari. A nuk të tregon ty diçka ky besim i përbotshëm? A nuk të thotë diçka kjo që  Aristoli konfirmon: “përderisa ekziston e vërteta, ekziston Perëndia”? Kjo e vërtetë shpallet nga bindja dhe opinioni mbarë-njerëzor, dhe nga historia. 

Shënim: Kaq e madhe ishte bindja në lashtësi që të gjithë njerëzit pa dallim besonin në Perëndi dhe kishin besimin e tyre saqë  Plutarku, i cili jetoi gjatë shekullit të parë pas Krishtit shkroi pasazhin klasik dhe të famshëm për ekzistencën e Perëndisë dhe Fesë: “Kudo që të shkosh, mund të gjesh qytete të parrethuar me mure, pa shkolla, pa mbretër, pa banorë, pa para, pa teatro, por një qytet pa lutje, pa therore, pa orakuj kurrë nuk do të shohësh, sepse një qytet i tillë nuk ekziston. Mua më duket se është më lehtë të gjesh një qytet pa themel sesa një qytetet pa fe dhe besim te Perëndia”.