Teknologjia ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën tonë, por në të njëjtën kohë ka krijuar edhe probleme që ndikojnë në familjen, shoqërinë dhe Kishën si komunitet fetar. Le të përpiqemi të përmendim shkurtimisht disa prej tyre:
Mënjanimi social: Përdorimi i celularëve, internetit dhe rrjeteve sociale mund të çojë në ftohje, pasi njerëzit largohen nga njëri-tjetri kur komunikojnë më pak ballë për ballë dhe më tepër përmes teknologjisë. Pasojat tashmë janë serioze për familjen, shoqërinë dhe Kishën. Pamja e njerëzve, që rrinë ulur apo ecin së bashku duke parë të heshtur celularin, fillimisht na bënte të qeshnim, por tanimë është bërë zakon dhe askush nuk qesh apo reagon më, sepse pothuajse të gjithë jemi bashkëfajtorë.
Çështje të moralit:Qasja në informacion përmes internetit mund t’i ekspozojë individët ndaj materialeve me përmbajtje të diskutueshme ose të papërshtatshme, gjë që mund të ndikojë negativisht në moralin dhe vlerat e tyre. Shpeshherë, kjo çon në konflikte të brendshme të ndërgjegjes. Një tjetër pasojë e rënies morale në fjalë dhe e konfliktit ndërgjegjësor është ndjenja e vazhdueshme fajit, që e bën karakterin e njeriut të frikësuar dhe të nënshtruar. Megjithëkëtë, ekziston edhe ana tjetër, ku, në vend të ndjenjës së fajit, zhvillohet një ndjenjë e tepruar guximi dhe moskokëçarjejendaj ligjit të moralit. Kjo e bën njeriun të vështirë në komunikim dhe marrëdhënie, duke sjellë probleme në rrethin miqësor dhe familjar. Natyrisht, kur flasim për fëmijët, pasojat janë të pallogaritshme në të gjitha nivelet.
Konsumizmi: Teknologjia ka krijuar një kulturë të konsumit mbi caqet e nevojshme, ku shumica e njerëzve dhe familjeve përqendrohen më së shumti në përfitimin e të mirave materiale, sesa në zhvillimin dhe përparimin shpirtëror. Paraja shndërrohet nëlëndë magjike, që i jep jetë dëshirave, ndërsa lakmia në gjarpër që i ushqen ato. Teknologjia e ka lehtësuar qarkullimine parave dhe e të mirave me shtypjen e një butoni, reklamat janë po ashtu tërheqëse. Përfundimisht, mbushemi me një mori gjërash të pavlefshme, për sigurimin e të cilave kemi shpenzuar kohë të çmuar dhe para të fituara me mund. E, në fund, i flakim tutje, duke kontribuar në konsumimin e vetë vetes sonë.
Ndikimi në pikëpamje dhe mënyrën e të menduarit: Teknologjia, si interneti, televizioni apo rrjetet sociale, me përsëritjen, modën dhe shumëllojshmërinë e pakontrolluar të mendimeve, ndikojnë thellësisht në bindjet, vlerat dhe atë që besojmë, duke na larguar ngadalë nga mënyra e krishterë e të menduarit dhe e jetës dhe duke shformuar aq shumë karakterin tonë, sa që në fund të habitur themi: “si arritëm të bëjmë ato që fillimisht i përbuznim”. Mënyra se si mendojmë ndikon në mënyrë vendimtare zgjedhjet dhe, përfundimisht, gjithë jetën tonë.
Shpenzimi i kohës së lirë:Shtrirja dhe përmasat që ka teknologjia janë të tilla, sa mund të zënë kohë të konsiderueshmenë jetën tonë. Në vitet e fundit, industritë e mediave sociale janë përpjekur të gjejnë forma të ndryshme për të tërhequr dhe marrë vëmendjen për sa më shumë kohë është e mundur, qoftë përmes videove, qoftë përmes artikujve që ndezin kureshtjen me tituj të çuditshëm etj. Shpeshherë, kur hyjmë në internet për të gjetur një recetë gatimi ose për të parë motin, e kapim veten teksa kemi shumë kohë që jemi duke lexuarpër teoritë e konspiracionit për jashtëtokësorët që gjenden midis nesh, por që nuk mund t’i shohim, apose si këngëtarja X është ndarë me futbollistin Y. Kësisoj, humbasim edhe kohën, edhe bukën e përditshme.
Sipas besimit tonë, koha është një pasuri e çmuar që Perëndia na e besoi falas, por jo pa përgjegjësi. Koha është e kufizuar dhe një ditë do të mbarojë. Ne do të japim llogari edhe për çastin më të vogël. Por, jo vetëm kaq. Shpërdorimi i kohës tonë të çmuar, ul cilësinë e jetës, cilësinë e marrëdhënieve familjare, na bën të dëshpëruar dhe, në fund, mund të sjellë pasoja serioze për ekuilibrin tonë mendor e shpirtëror, për marrëdhëniet në familje, punë dhe përgjithësisht për jetën tonë sociale.
Deri tani renditëm disa nga problemet që rrjedhin prej teknologjisë. Për të trajtuar këto probleme, psikologët dhe sociologët e specializuar kanë propozuar masa, të tilla si: rivlerësimi i prioriteteve, inkurajimi i komunikimit personal, krijimi i ndërgjegjes digjitale, kufizimi i kohës së përdorimit të teknologjisë, etj.
Në qoftë se do të shkojmë më thellë në shkaqet shpirtërore, do të shohim se fajin nuk e ka teknologjia, por natyra jonë e dobët njerëzore që shkakton probleme. Përvoja e etërve të Kishës sonë, që mbrohet prej traditës së saj, na mëson se nuk ka faj thika për vrasjen e kryer, por urrejtja e shpirtit të atij që e përdori. Kështu, marrëdhënia midis teknologjisë, familjes dhe besimit rregullohet nga predispozita më të thella dhe nga gjendja jonë shpirtërore. Njeriu e ka të pamundur të ndryshojë zakonet dhe instinktet e tij vetëm përmes urdhrave dhe këshillave. Të gjithë e njohim teorinë dhe çka është e drejtë, por thuajse askush nuk e zbaton atë.
Njeriu vetë duhet të mendojë, të vëzhgojë, të zbulojë gabimet dhe neglizhencat,të dëshirojë të korrigjohet për t’u bërë më i mirë dhe më i çliruar nga dëshirat e pafundme që e mundojnë.Pikërisht, këtu vjen Kisha,si një shëronjëse, e cila e forcon lirinë e vërtetë shpirtërore të anëtarëve të saj me praninë e frymëzuar të Shpirtit të Shenjtë, me përvojën e traditës dymijëvjeçare, me misteret dhe praktikën e saj.
Koha nuk na lejon të zgjatemi më shumë. Ajo që duhet të inkurajojmë si prindër dhe fëmijë është kjo: po, janë kohë të vështira; po, teknologjia ka amplifikuar të keqen te njerëzit; po, jemi peng i dëshirave dhe prirjeve shkatërruese, por nga ana tjetër Perëndia na ka dhënë brenda në Kishën e Tij mjetet për t’i trajtuar këto probleme.Pse, atëherë, nuk përpiqemi ta afrojmë jetën tonë me Kishën? Të bëhemi anëtarë të gjallë dhe aktivë të saj? Ajo çka na mungon është vullneti, të cilin i lutemi Perëndisë së dashurisë dhe faljes të na e dhurojë për shpëtimin e shpirtrave tona dhe shpirtrave të fëmijëve tanë.
Nga: At Harallamb Gjoka
Temë e mbajtur me prindërit e fëmijëve të aktiviteteve të “Udhëtimit Shpirtëror” të shkollës “Protagonistët”