/Presidenti Meta në darkën festive të Krishtlindjeve

Presidenti Meta në darkën festive të Krishtlindjeve

Presidenti Meta në darkën festive të Krishtlindjeve: Shqipëria, Atdheu ynë dhe historia jonë e përbashkët e dëshmon se të gjithë kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë vëllezër të një gjaku, për Fe dhe Atdhe!

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta kremtoi sot festën e shenjtë të Krishtlindjeve me një darkë solemne të shtruar në Pallatin e Brigadave, ku ishin të ftuar udhëheqësit shpirtërorë dhe përfaqësues të bashkësive fetare në vend, veçanërisht të Bashkësisë Ortodokse, asaj Katolike dhe Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, të cilët përshëndetën gjithashtu të pranishmit.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

“Fortlumturia Juaj, Kryepeshkop Anastas!
Imzot Frendo,
Pastor Doçi,
I nderuar Kryetar i Bashkësisë Myslimane Shqiptare,
I nderuar Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve,
Hirësitë Tuaja!
Zonja Ministre e Kulturës,
Të dashur klerikë dhe besimtarë të krishterë të pranishëm!
Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjen!

Krishtlindja është një ditë e shenjtë për besimtarët e krishterë, por mesazhi që ajo përcjell kapërcen kufijtë e një besimi, është një ditë simbol, është ditë e bekuar e lindjes së shpresës dhe mirësisë, por jo vetëm.

Dashuria dhe paqja, drejtësia dhe përulësia, vetëndërgjegjësimi dhe solidariteti janë parime themelore të humanizmit dhe të gjithë njerëzimit.

Në vijim të një tradite të Institucionit të Presidentit të festave të përbashkëta me përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman dhe atij Bektashian në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, sonte ne ndajmë së bashku kremtimin me të krishterët shqiptarë.

Një shenjë kjo e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, harmonisë sonë të shkëlqyer ndërfetare, por mbi të gjitha e respektit reciprok ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare në ditët më kuptimplota festive.

Besimet fetare kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme, një shoqëri të drejtë dhe një harmoni e paqe universale mes etnive, popujve dhe kombeve.

Librat e shenjtë, na mësojnë se: Zoti është paqja e jo dhuna!

Shqipëria, Atdheu ynë dhe historia jonë e përbashkët e dëshmon se të gjithë kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë vëllezër të një gjaku, për Fe dhe Atdhe!

Jo rastësisht ndër themeluesit e Shtetit shqiptar janë edhe përfaqësuesit më të vyer të klerikëve tanë fetarë.

Harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri si dhe thesari më i çmuar i trashëgimisë sonë historike dhe kombëtare, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit, ta përsosim dhe ta pasurojmë çdo ditë.

Veçanërisht sot ne krenohemi me patriotët tanë të shquar ortodoksë, katolikë e ungjillorë, me të gjithë të krishterët tanë të shquar ndër shekuj, të cilët me përkushtim, mund, sakrifica sublime i kanë shërbyer jo vetëm fjalës së Zotit por edhe identitetit tonë kombëtar dhe vetëdijes europiane.

Të gjithë ata, të vendosur në panteonin e ndritur të vlerave tona kombëtare, shërbejnë si shembull dhe burim frymëzimi për brezat e sotëm e të ardhshëm, për vetë besimtarët e udhëheqësit e tyre ortodoksë, katolikë e ungjillorë, për kombin tonë, për Shqipërinë e së nesërmes.

Gjithashtu duhet të kujtojmë dhe t’i nderojmë sonte të gjithë martirët, të krishterë e myslimanë që u përballën me totalitarizmin dhe triumfuan mbi të, vetëm me dashuri edhe besimin në Zot dhe në Atdhe.

Të dashur miq,

Shqipëria përballet sot edhe me disa fenomene të cilat shkaktojnë vështirësi, pasiguri, padrejtësi, pesimizëm ku më trishtuesja është ende largimi i të rinjve, që është edhe shqetësimi juaj.

Pabarazia, lakmia, arroganca, egocentrizmi shkaktojnë ndarje sociale në shoqëri.

Ndaj lufta ndaj varfërisë dhe zgjerimi e konsolidimi i shtresës së mesme të shoqërisë është vendimtar për të ardhmen e vendit dhe për një paqe sociale të qëndrueshme dhe begati ekonomike.

Sot më shumë se asnjëherë tjetër të gjithë bashkë, pa dallime besimi dhe ndasie politike duhet të reflektojnë thellësisht për të shëruar këto plagë të shoqërisë sonë, të familjeve tona duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.

Fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të jetojnë në një vend të sigurt europian, ku të mund të shprehin të gjitha potencialet e tyre të vërteta.

Besimet fetare kanë një rol të jashtëzakonshëm në këtë betejë jetike, të cilën duhet ta fitojmë së bashku duke provuar forcën tonë dhe unitetin e harmoninë tonë sociale.

Në përfundim, më lejoni Hirësitë Tuaja të ngre një dolli për shëndetin Tuaj dhe për të gjithë të ftuarit në këtë darkë solemne, për të gjithë besimtarët e krishterë kudo ku janë dhe për të gjithë popullin shqiptar duke ju uruar begati, paqe, lumturi dhe mirëqenie!

Gëzuar!”