Shën Joan Gojarti
Sot kremtojmë kujtimin e një hierarku të madh e të shenjtë, një ndër etërve më të shquar të Kishës sonë, Joanit, Kryepiskopit të Kosntandinopojës. Në fillim ishte një prift i thjeshtë që shërbente në Antioki, pa synuar ndere e lavdi. Megjithëse i dobët e i thjeshtë për nga fiziku, ishte shumë i fortë në frymë. Askush tjetër në Antioki nuk kishte elokuencën e tij.
Kështu, fama e atë Joanit i tejkaloi kufijtë e Antiokisë, dhe në vitin e 50-të të jetës së tij u thirr të ngrihej në fronin episkopal, si Kryepiskop i Konstandinopojës. Predikimet e tij kishin ndikim të madh në popull, dhe të shumtë ishin mëkatarët që u rikthyen në udhën e drejtë.
Megjithatë, duke ushqyer urrejtje për drejtësinë e tij, disa klerikë dhe njerëz të pushtetshëm të oborrit perandorak u bënë armiq të tij të përbetuar. Me ligësinë e tyre, arritën ta dënonin dhe ta syrgjynosnin shenjtin. Këtij të fundit iu desh të bënte një udhë të gjatë, duke kaluar përmes Azisë së Vogël dhe maleve të Armenisë, ndërkohë që sëmundjet po e sfilitnin fizikisht. Pa marrë parasysh këtë fakt, rojat, të cilët nuk e njihnin kuptimin e fjalës mëshirë, e detyronin të ecte në monopate të vështira. Mbërriti në rajonin e Kauzazit, dhe shkoi deri në të dalë të Sukhum-it të sotëm. Aty kremtoi për herë të fundit Liturgjinë Hyjnore, dhe dha shpirt, duke pasur gjithnjë në gojë lavdërimin e Perëndisë.
Kisha e Perëndisë nuk e harroi kurrë veprën e tij shpirtërore. Pothuajse çdo ditë kremtohet Liturgjia Hyjnore e kompozuar prej tij. Në çdo Pashkë kujtojmë fjalimin e tij, thirrjen për të hyrë në gëzimin e Ngjalljes së Krishtit. Letrat e tij, mësimet, shpjegimet e Shkrimit të Shenjtë dhe modeli i jetës së tij asketike ka shërbyer për shekuj me radhë si shembull, për rritjen shpirtërore dhe shpëtimin e shumë bijve të Kishës.
Para se të jepte shpirt, shenjti lavdëroi Perëndinë për të gjitha. Si mundet që me gjithë ato sëmundje e privime të mos dëshpërohej apo të ankohej? Për ata që vërtet shpresojnë më Zotin, vuajtjet fizike janë gëzim, pasi, duke shkëputur lidhjen e ngushtë me materien, ato sjellin pastrimin e shpirtit dhe e lartësojnë atë në vlerat më të larta. Kur dikush është në dhimbje, nuk shfaq më kurrfarë dëshire për t’u marrë me gjëra të kota, të cilat sjellin korruptimin e shpirtit dhe përbaltjen e ndërgjegjes, rezultati i të cilave është një zemër e mbushur me ambicie e dobësi. Kur sëmundjet dhe privimet përballohen me lutje, shërojnë krenarinë dhe mendjemadhësinë e njeriut. Prandaj Krishti, kur u tregoi dishepujve rrugën që çon në përsosmëri, i quajti të lumur ata që ecin në këtë udhë.
Duke lavdëruar veprën asketike dhe shpirtërore të këtij hierarku të madh, le të mësojmë të mos u trembemi dhimbjeve fizike, fyerjeve apo pikëllimeve. Asnjë vështirësi e jetës nuk duhet të arrijë të errësojë shpirtin e besimtarit, zemra e të cilit duhet të mbetet gjithnjë fole gëzimi.
Le t’i lutemi shën Joanit të na japë edhe ne nga guximi dhe kurajoja e tij, për të ecur në monopatet e jetës. Bashkë me shenjtin e pëlqyer nga Perëndia, le t’i shprehim Zotit falënderime për gjithçka që na ka dhënë, dhe për gjithçka që urtësia e Tij lejon të na ndodhë.
Amin.
Radio Ngjallja