Të dashur motra dhe vëllezër më Krishtin. Ne sot jemi mbledhur për të kujtuar dy ngjarje të rëndësishme të Kishës tonë, Rrethprerjen e Zotit dhe përkujtimin e një ndër shenjtorëve dhe episkopëve më të mëdhenj të Kishës Shën Vasilin e Madh. Sot do të ndaleshim në diçka tjetër. Ndonëse viti i ri nuk është një festë fetare, nuk është një festë e Kishës, megjithatë Kisha gjithmonë gjen rastin dhe mundësinë për të krishterizuar, për t’i bërë njerëzit që të mendojnë dhe të japë disa mesazhe që kanë të bëjnë me jetën kishtare. Të gjithë do të ishte mirë që ta fillonim një vit të ri me një Liturgji Hyjnore, me një takim me Zotin. Le të fillohet që në fillim me një takim me Zotin në një rrugë të gjatë dhe shpeshherë të vështirë. Viti i Ri ndoshta ne do të na kujtojë diçka për jetën tonë, është një moment në të cilin ne kuptojmë dhe ndërgjegjësohemi që një vit nga jeta jonë ka kaluar dhe do të fillojmë një jetë të re. Çdo biznesmen ose çdo tregëtar në fund të vitit bën një lloj raporti, një lloj iventari të gjithçkaje që ka pasur, ka shitur, ka blerë dhe mendon për planet e së ardhmes, ndërsa ne për jetën tonë shpeshherë nuk e bëjmë këtë iventar. Askush nga ne nuk mendon në fund të vitit, se çfarë ka bërë ai gjatë gjithë vitit, çfarë ka blerë, çfarë ka shitur, sa borxhe ka për të larë, për çfarë do t’i duhen paratë për të ardhmen. Viti që kaloi ishte një vit shumë i vështirë, siç ishte edhe ai para këtij, por ne kemi shpresë që Perëndia të na japë një vit më të mbarë dhe për këtë urojmë njëri-tjetrin, “Gëzuar Vitin e Ri.” “Për shumë vjet lumturi, gëzim” të gjithë këto fjalë janë të mbushura me fjalorin e këtyre ditëve. Unë do të ndalem pak në këto fjalë, ndoshta kemi folur edhe herë të tjera në një kuptim tjetër, por sot do të ndalemi pak më gjerë se ç’duan të thonë këto fjalë, ç’kuptim kanë fjalët e urimit që i themi njëri-tjetrit. Lumturia është fjala më e përdorur në këto ditë, por ku mund të gjendet ajo. Kalon një vit, vjen një tjetër dhe askush nuk e gjen lumturinë. Për gjithsecilin këto fjalë duken si të plakura, kemi uruar njëri-tjetrin vazhdimisht për paqe dhe lumturi dhe lumturia nuk gjendet. Ku është kuptimi i vërtetë i lumturisë. Eksperienca e gjatë shekullore e njerëzimit tregon që lumturia e vërtetë nuk mund të gjendet në kënaqësitë e jashtme, sado të grumbullojmë ne pasuri, pasuria sjell në vetvete edhe shqetësimin, sado të kemi shëndet i cili mund të na japë një lloj qetësie megjithatë kjo nuk është kurrë e plotë. S’ka asnjeri që të ketë një shëndet 100%, çdo gjë që grumbullojmë ne nga jashtë përveç të mirave që na sjell, na sjell gjithashtu edhe shqetësimin. Edhe sukseset e mëdha që mund të arrijmë, gjithmonë shoqërohen nga xhelozira, ankthe dhe shqetësime. Kisha është pikërisht ajo që i jep përgjigjen, se ku mund të gjendet lumturia e vërtetë. Lumturia dhe gëzimi i vërtetë mund të gjenden vetem tek Perëndia, është e pamundur të arrihet në lumturi, nëse jemi larg Perëndisë. Njerëzimi ka eksperimentuar shpeshherë, tentativat e ndryshme për të arritur lumturinë pa Perëndinë arritën në fatkeqësira të mëdha kombëtare dhe planetare, i gjithë planeti vuajti nga tentativa të tilla dhe vuan akoma edhe sot. Dëshirat e ndryshme të njerëzimit për të realizuar lumturinë nga vetvetja pa praninë e Perëndisë, gjithmonë kanë dështuar, prandaj viti i ri është ndoshta një moment i cili na bën të mendojmë pak më gjatë për rëndësinë dhe kuptimin e thellë të lumturisë. Kush është ajo gjë që e bën njeriun thellë-thellë të lumtur? Historia e shenjtë na tregon që njeriu në Parajsë ishte i lumtur, jetët e shenjtorëve tregojnë që këta njerëz pikërisht arritën ta gjenin lumturinë, prandaj edhe tek shenjtorët kishte gjithmonë gëzim, aq sa është e famshme shprehja. “Kurrë nuk mund të ketë një shenjtor të trishtuar”. Një njeri që ka arritur të njohë Zotin është e pamundur të mos ketë gëzim në shpirt, sepse Zoti është burimi i vetëm i çdo gëzimi. Ajo lumturi, ai gëzim që i urojmë njëri-tjetrit mund të gjendet vetëm tek Perëndia dhe këtë mundësi Kisha ia u ofron të gjithë anëtarëve të saj edhe ata që janë jashtë Kishës i fton që të vijnë përsëri. Tek Kisha do të gjejnë lumturinë për të cilën njerëzimi ka ëndërruar ndoshta për shekuj dhe ne e urojmë vazhdimisht.
Viti i Ri përsëri është një pikë që të mendojmë pak për kohën. Tregohet një histori që ishte një mëkatar i cili çdo vit të ri mendonte për mëkatet e tij dhe çdo natë të vitit të ri mendonte se çfarë duhet të bënte vitin që vinte. Një natë duke ndenjur dhe duke menduar e zuri gjumi dhe natën pa një vizion, sikur i erdhi një plak i madh me mjekër dhe flokë të bardhë si dëbora dhe i la tek këmbët një qese me flori dhe i tha se kishte vetëm një qese e cila ishte e mjaftueshme për të bërë jetën e tij të mëvonëshme. U zgjua dhe pa tek këmbët që nuk kishte asnjë qese të tillë. Ai gëzim që kishte në ëndërr iu kthye pak në trishtim dhe atë ditë për çudi ndoshta nga vizioni që kishte parë shkoi dhe takoi një prift dhe i tregoi se çfarë kishte parë. Prifti u mendua pak dhe i thotë: “Ai të paska lenë tek këmbët një ar akoma më të çmuar, sesa ari fizik, ajo qese që të erdhi dhe të lajmëroi ty do të thoshte se ke akoma edhe një vit kohë dhe brenda këtij viti Zoti të kishte vendosur 365 monedha flori, ose ditë me të cilat ti do të lash të gjitha borxhet domethënë të gjitha mëkatet dhe mund të programosh edhe jetën tënde që të mos e lesh për më vonë.” Askush nga ne nuk e falenderon Perëndinë për thesarin e madh që na jep, kohën. Koha nuk mund të blihet as me flori, sepse mund të jesh miliarder dhe nuk mund të shtosh asnjë ditë nga jeta jote. Perëndia na fal një kohë të madhe, koha që kemi ne tani nuk është një kohë kronologjike, çdo njeri që e sheh kohën si kohë kronologjike do të thotë se nuk kupton gjë nga misteri i universit. Koha që na ka dhënë Perëndia është një kohë mundësie për të takuar Perëndinë, është kohë e një lloji tjetër, është si koha e Liturgjisë, që nuk është kohë vetëm për minutat që rrjedhin, por është kohë ku ne takojmë Perëndinë. Prandaj gjithsekush nga ne këtë vit të ri që mbërriti le ta fillojë fillimisht duke larë borxhet. Nuk ka njeri që të mos ketë disa borxhe, qoftë fizike, qoftë shpirtërore, nuk ka asnjeri që të mos ketë kryer disa mëkate, mos ketë ofenduar ndonjërin, mos ketë gënjyer ndonjë tjetër, unë nuk po flas këtu për mëkate shumë të rënda, por edhe për mëkatet më të lehta që gjithsekush nga ne i ka. Le ta fillojmë këtë vit duke i falur njëri-tjetrit fajet dhe duke kërkuar ndjesë gjithsekujt që kemi lënduar, gjithsekujt që kemi mashtruar, gjithsekujt ndoshta që i kemi vjedhur diçka. Ndoshta fjala vjedhje mund t’ju duket e rëndë, por realiteti është realitet. Ne nuk mund ta zbutim sëmundjen, vetëm për hir të pacientit. Që të shërohet një pacient i duhet thënë sëmmundja e vërtetë, prandaj ne kemi kohë dhe Perëndia po na jep një vit tjetër, për të larë borxhet tona dhe për të medituar pak për jetën tonë. Unë doja t’ju uroja një vit të mbarë dhe të gëzuar, doja t’ju uroja të gjithë të varfërve që të mos ndiehen të vetmuar, Zoti vetë erdhi si i varfër në këtë botë dhe varfëria mbase mund të kthehet në një bekim, nga ajo mund të bëhet një pasuri shumë e madhe, sepse varfëria e pranuar me gjithë shpirt mund të bëhet një pikë takimi me Perëndinë. Doja gjithashtu të uroja gjiithë fëmijët që ndodhen këtu dhe në qytetin tonë një vit të mbarë dhe le të mundohen që të mësojnë sa më shumë për Perëndinë, le të mundohen të mësojnë sa më shumë për Zotin. Ai mësim që do ta marrin tani do t’iu shërbejë për gjithë jetën e tyre. Doja të uroja dhe gjithë të rinjtë që ndodhen këtu, një vit të mbarë dhe të gëzuar dhe le të kenë parasysh se janë në një moshë dhe kohë kritike, një gabim i bërë mund t’iu kushtojë për gjithë jetën, prandaj le të mundohen të gjithë të ruajnë pastërtinë që Perëndia iu ka dhënë dhe të qëndrojnë me ndershmëri në të vërtetën dhe të mos harrojnë asnjëherë që është Krishti që thotë “Unë jam Udha” le të ecin në rrugën e Tij, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ruajtur pastërtinë. Do t’iu uroja të gjithë familjarëve që të mos e lenë të ftohet dashuria që kanë për njëri-tjetrin, mos e kthejnë shtëpinë e tyre në vatër grindje dhe sherri, por të mundohen që shtëpia e tyre të jetë një vend parajse ku edhe fëmijët të mësojnë diçka. Mbajani barrën njëri-tjetrit, sepse jeta është e vështirë, gjatë rrugës ka vështirësi shumë të mëdha. Le ta ndihmojmë dhe falim njëri-tjetrin, nuk mund të mbahet dot një miqësi po nuk falëm njëri-tjetrin. Nëse do të fillojmë të mbajmë mërira dhe të grindemi për gjëra të vogla, shumë shpejt qoftë jeta familjare, qoftë miqësia do të prishet. Mundohuni të jeni një shembull për fëmijët dhe për gjithë qytetin. Doja t’iu uroja edhe të moshuarve një vit të mbarë dhe ndoshta ata duhet të përgatiten pak më tepër për të njohur dhe takuar Perëndinë dhe për ta takuar Perëndinë, le t’i afrohen Atij me më tepër lutje, meqenëse dhe Perëndia po ju afrohet atyre. Le t’i afrohen Perëndisë, që në momentin kur Ai të vijë t’i gjejë me zemër të pastër, të penduar dhe të devotshme.
Doja t’i uroja gjithë qytetit dhe gjithë vendit tonë, ndoshta dhe botës mbarë, Gëzuar këtë vit, qoftë një vit i mbarë me paqe, pajtim, shpresë dhe gëzim. Ndonëse viti i ri nuk është një festë fetare, prapë askush nuk mund të dalë jashtë nga feja, gjithë universi është i Zotit, i gjithë dheu është i Zotit dhe gjithçka që rri në të, kështu që gjithçka që ne festojmë dhe përkujtojmë, le të marrë ngjyrën e Zotit dhe Perëndia të na bekojë, të na shenjtërojë dhe mbrojë. Amin.