/Predikim mbi egoizmin dhe lakminë. E diela IX e Llukait (i pasuri i pamend) – Ungjilli sipas Llukait kap. 12:16-21

Predikim mbi egoizmin dhe lakminë. E diela IX e Llukait (i pasuri i pamend) – Ungjilli sipas Llukait kap. 12:16-21

Një njeri i pasur kishte shumë toka dhe pati prodhim shumë të bollshëm. Pasi e mblodhi gjithë prodhimin tha: çfarë do të bëj unë me këtë? Pastaj mendoi dhe tha: e di çfarë duhet të bëj unë, do t’i zmadhoj grunarët e mi, do të mbledh drithin tim dhe do t’i them shpirtit tim; “Shpiri im, ha, pi dhe dëfreu”. Mbasi mbaroi këto fjalë Perëndia i tha: “I marrë! Këtë natë do të kërkoj shpirtin tënd dhe ato që ke mbledhur të kujt do të jenë?”
Kjo ishte paravolia që tregoi Zoti Krisht dhe e përfundoi me fjalët e Dhiatës së Vjetër: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë|.
Ishte një herë ishte një mbret që njihej për dhembshurinë dhe bujarinë ndaj shtetasve të tij, që vendosi të vizitonte qytetin më të largët të mbretërisë së tij. Në përgatitje për vizitën e parë të një mbreti, qyteti vendosi të mbushte një fuçi druri të madhe me verë dhe t’ia dorëzonte mbretit sapo të mbërrinte në qytet. Ku do ta gjenin kaq shumë verë për të mbushur një fuçi të tillë? Ata dolën me një ide të shkëlqyer; Çdo familje e qytetit do të sillte një shishe të mbushur me verë dhe ta derdhte në fuçi dhe në këtë mënyrë fuçia do të mbushej me verë.
E vendosën fuçinë në qendër të qytetit me një shkallë që arrinte deri në majë dhe çdo ditë njerëzit shkonin për të derdhur shishen e tyre të verës në fuçi.
Më në fund erdhi dita që qytetin ta vizitonte mbreti. Njerëzit ishin shumë të emocionuar për t’i paraqitur mbretit këtë dhuratë të mrekullueshme. I mbushën gotën e artë me verë dhe ja dhanë për të pirë. Por befas ata u tronditën nga pamja në fytyrën e mbretit teksa pinte verën, mbreti u zhgënjye shumë. Nuk e meritonte një fyerje të tillë. Mbreti u largua nga qyteti pa qëndruar aspak me ta dhe vendosi të mos kthehej më kurrë aty. Kur njëri prej banorëve mori gotën dhe e provoi pa që nuk ishte verë por ujë. Të gjithë e kuptuan se secili prej tyre kishte ofruar ujë në vënd të verës me idenë se një shishe me ujë nuk do të kuptohej në një enë të mbushur me verë të përmasave të tilla.
Shën Pavli na thotë në letrën e 2 dërguar Timotheut: Do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj.
Shoqëria e sotme si kurrë më parë po kthehet në një shoqëri egoiste dhe lakmitare. Njeriu i sotëm po mendon vetëm për veten e vet.
Shqetësimi i tij i vetëm është vetvetja. ‘Si do të ndikojë kjo tek unë? Si do të më lartësojë, promovojë apo si do të përfitojë nga kjo?’ Vini re se njerëzit egoistë nuk janë njerëz të lumtur. Njerëzit egoistë janë njerëz të mjerë. Ata nuk janë të lumtur sepse janë dëfrimdashës më fort se perëndidashës.
Njeriu egoist është krenar, mburravec, mosmirënjohës dhe mendjemadh (v.4)
1. Njeriu egoist është krenar. Ai është krenar për pamjen e tij, krenar për veprat e tij, krenar për jetën e tij ose të mirë ose të keqe, ndjehet krenarë për të! Nëse nuk bën asgjë, atëherë është krenarë që nuk bën asgjë.
Nëse bën keq, ndjehet krenar që e bën këtë. Nëse bën mirë (në sytë e tij) ndjehet krenar që bën mirë. Edhe pse të bësh mirë duket se është gjëja e duhur për të qenë krenar sërish ne mund të mashtrohemi, duke menduar se kjo do të na bëjë fitojmë jetën e përjetshme.Apostull Pavli na mëson në apostullin e sotëm te letra që u dërgon Efesianëve 2:7-9. Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,
9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.
2) Njeriu egoist është mburravec. Sëpata nuk mund të mburret për prerjen e pemëve. Në fund të fundit, nëse nuk do të ishte druvari që e përdor, që e mprehu, e çonte nga pema në pemë, Nëse nuk do ta përdorte do të ishte thjesht një copë hekuri. Një mburravec është dikush që do t’i tregojë kujtdo që do ta dëgjojë se sa të mëdhenj, të ditur dhe të veçantë janë.
3. Njeriu egoist është mosmirënjohës. Ai mund të thotë ‘faleminderit’, por kjo nuk do të thotë se janë mirënjohës. Është e rrallë të dëgjosh dike sot të thotë realisht ‘faleminderit’. Një at i Kishës thotë: “Njeriu mosmirënjohës është si një derr që ha lëndet nën një pemë lisi, por kurrë nuk e ngre kokën për të parë nga kanë ardhur.” Njeriu egoist është mosmirënjohës ndaj të tjerëve dhe mosmirënjohës ndaj Zotit – duke harruar qëllimisht se bekimet e tij vijnë nga lart.
4. Njeriu egoist është mendjemadh. A ka ndonjë gjë që e përshkruan më qartë egoizmin më mirë sesa të qenit mendjemadh? Tek letra e 3 e Shën Joanit kap.1 v.9,10, ne lexojmë për një udhëheqës kishe mendjemadh të quajtur Diotref: “I shkrova kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret.
Prandaj, po të vij, do t’i kujtoj atij veprat që bën, duke folur fjalë të liga kundër nesh; dhe duke mos u mjaftuar me këto, ai vetë nuk i pret vëllezërit dhe i ndalon ata që duan t’i presin e i përjashton nga kisha”.
Të qenit egoist çon në të qenit lakmitar.
Shumë prej situatave dhe zhvillimeve duken të zymta, edhe sot kur shohim prirjen e kësaj bote, na vijnë ndërmend fjalët e Psalmistit” 11:3 : “Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti??”
Lakmia u jep një vlerë të gabuar gjërave të përkohshme. I trajton gjërat e përkohshme sikur janë të përjetshme. Por, në fakt, ne mund të vdesim që sot ose të gjitha gjërat tona mund të na merren menjëherë. Nuk ka asgjë të sigurtë në këtë botë. Lakmia gjithashtu i trajton gjërat e përjetshme sikur të mos jenë të vërteta dhe nuk do të ndodhin kurrë.
Kështu do të jetë ai që mbledh thesare për veten e tij dhe nuk bëhet i pasur në Perëndinë. Një person i tillë i pamend, verbohet nga pasuria duke harruar gjithë porositë e Perëndisë.
Pranë një manastiri kishte kasollen e tij një eremit në dukje shumë i varfër, sepse shëtiste këmbëzmbathurbdhe me rroba të vjetra. Igumeni i Manastirit, i cili ishte shumë i mëshirshëm, i dërgonte shpesh rroba dhe ushqime dhe çdogjë tjetër që kishte nevojë. Njëherë eremiti u sëmur rëndë dhe vëllezërit e manastirit, që e mendonin shumë të varfër, i shërbyen me mirësi të madhe dhe gatishmëri. Por kur ai vdiq, gjetën poshtë dyshekut të tij një trastë të mbushur me monedha floriri. Sapo Igumeni e pa, psherëtiu thellë dhe duke tundur kokën i hidhëruar, iu tha vëllezërve:
Meqënëse, as kur jetoi dhe as në çastet e tij të fundit, nuk tregoi se kishte para të fshehura por i mbështeti tek këto, shpresat e tij dhe jo te Perëndia, unë nuk dëshiroj as t’i shoh. I merrni dhe varrosini bashkë me të.
Kur e vendosën murgun lakmitar me thesarin e tij në varrin e porsahapur, menjëherë zbriti zjarr nga qielli që dogji gjithë atë vënd së bashku me gurët dhe tokën’; kjo gjë mbeti si shenjë e frikshme tek të gjithë ata që e panë.
Vlera e vërtetë e njeriut nuk është në atë që ka (tek pasuria) dhe në atë që ai mendon se ka, por vlera e vërtetë e njeriut është në atë se çfarë Perëndia mendon për të. Të gjithë ata njerëz që me anë të pasurisë të tyre kanë ndihmuar nevojtarët Perëndia i ka quajtur të mençur dhe të ditur sepse pikërisht ata kanë ditur sesi ta bëjnë investimin në rrugën më të drejtë.
Le t’i përdorim ato që kemi për të rritur vlerën tonë dhe t’i lutemi Perëndisë që të na shenjtërojë dhe të na japë hirin e tij për ta pasur atë në qendër të jetës dhe të gjithçkaje që kemi ne në këtë botë. Amin.
PËRGATITI: AT GRIGOR PELUSHI