/“Pranë njerëzve në nevojë” – Intervistë e Radio “Ngjallja” me z. Vasil Marko, mjek fizioterapist në Klinikën Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë

“Pranë njerëzve në nevojë” – Intervistë e Radio “Ngjallja” me z. Vasil Marko, mjek fizioterapist në Klinikën Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë

Intervistë e Radio “Ngjallja” me z. Vasil Marko, mjek fizioterapist në Klinikën Orthodhokse “Ungjillëzimi” në Tiranë, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryepiskopiskopit Anastas në fillimet e viteve 91 e deri më sot.

Është emocionuese dhe shumë prekëse të jesh pjesëtar i nismave vullnetare pranë njerëzve në nevojë, por është edhe më emocionuese të sjellësh eksperiencën e atyre viteve pas ’90-91, pikërisht në ditët e sotme.
Unë në profesionin tim jam fizioterapist dhe vij nga një familje e nderuar dhe e respektuar orthodhokse. Kontributi im në institucionin e Kishës është i hershëm në kohë dhe në përmbajtje qysh në fillimet e saj në klinikën e vogël të “shën Llukait” e deri më sot në Qendrën Diagnostike në Klinikën Orthodhokse “Ungjillëzimi” në të cilën vazhdoj me përkushtim dhe devotshmëri sipas motivit: “Të zbusim sadopak dhimbjen trupore të pacientëve që e frekuentojnë atë duke ofruar më të mirën tonë”.

Dëshiroj të ndaj me ju dhe të gjithë ndjekësit e radios “Ngjallja” eksperiencën time personale dhe bashkëpunimin tim të thellë si dëshmitar i veprave baritore të veprimtarive të ndryshme të shpërndarjes së ndihmave të shumta “falas” pa kursim, për të gjithë shtresat në nevojë pa dallim feje dhe gjinie që ka ofruar Kisha ndër vite.

Me ndryshimin e sistemeve komunizëm-demokraci vendin tonë e kishte perfshirë varfëria, mjerimi, dëshira për t’u larguar nga vendi, boshllëku shpirtëror, sëmundjet e ndryshme si nga ana trupore dhe ajo shpirtërore. Por Zoti nuk e braktis grigjën e Tij dhe dërgoi misionarin, Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas i cili guxoi të vinte në një vend të varfër dhe të braktisur, si dritë në mes të errësirës, në vendin tonë Shqipëri me moton se: “Kisha jonë do të mjekonte jo vetëm plagët e shpirtit por dhe edhe ato të trupit”.
Ai pa me sytë e tij nevojën e madhe që kishte populli ynë në vitet e para të demokracisë; si për jetën shpirtërore në ringritjen e Kishës por edhe për vizita mjekësore si barna dhe ushqime. Ai veproi shpejt në kohë pa ngurrim për të mbështetur dhe mbuluar këto nevoja duke shtrirë dorën e tij për bashkëpunim gjithandej.

Me përpjekjet e shumta të Fortlumturisë dhe me bekimin e tij, u siguruan fonde dhe ndihma që në emër të dashurisë u shpërndanë te njerëzit e pashpresë dhe të zhgënjyer, të atyre njerëzve që sytë e tyre ishin në lot dhe të drejtuar drejt qiellit.

Por si u ngrit infrastruktura për
shpërndarjen e ndihmave?

Fillimisht për disa vite u angazhua zyra e “Diaconia Agapes” me anë të një bordi anëtarësh që shumica prej jush i njihni si p.sh. At Martin Ritsi, Artan Kosti, Nina Gramo dhe Motër Dhominiqi, që me keshillat dhe shembullin e saj më tregoi se së bashku jemi më të fortë për të arritur objektiva të mëdha.

Ndihmat vinin kryesisht nga Greqia me një avion ushtarak dhe vendoseshin në magazinat në Lundër. Shpërndarja bëhej me anë të një mikrobuzi shoqëruar nga bashkëpunëtori Vangjel Gjore. Përbërja e ndihmave në të shumtën e përqindjeve ishin medikamente, karroca invaliditeti, paterica, ushqime për fëmijë e të rritur, elektroshtëpiake, veshmbathje etj.
U sollën dy ambulanca njëra prej të cilave iu bë dhuratë Drejtorisë së Burgjeve.

Shpërndarja e tyre u bë masivisht; në Qendrat Spitalore, në fshatrat dhe qytetet e thella të vendit tonë pa dallim.

Ndihma të shumta janë dërguar dhe në jetimoren “Zyber Hallulli”. Gjithashtu personave me aftësi të kufizuara u janë dhuruar paterica e karroca.
U ofrua në shërbim dhe një njesi dentare lëvizëse.
Në vitin 1998 Njesia Dentare u vu falas në dispozicion të popullsisë në zona të ndryshme të vendit aty ku nevoja ishte dhe më e madhe. Shërbimi kryhej edhe në shkolla, kopshte, institucione të ndryshme publike edhe për banorët e fshatrave apo qyteteve pa dallim.

Që nga fillimi janë shërbyer më shumë se 11.000 pacientë.

Ndihma gjatë viteve 1997-1999 për vëllezërit refugjatë të Kosovës.

Me kërkesën e Kryepiskopit Anastas erdhi një grup i specializuar vajzash nga “Kryqi i Kuq” grek për një periudhë rreth 1-vjeçare duke ofruar falas shërbimin e tyre mjekësor. Pikërisht te kompleksi “Dinamo” u instaluan gabina pér akomodimin e vëllezërve refugjatë të Kosovës. Ofrimi i ndihmave ishte i pa kursyer në ushqime dhe në shërbime mjekësore.

Është për t’u theksuar kontributi i Fortlumturisë Kryespiskopit Anastas dhe në sigurimin e trajtimin mjekësor sipas nevojës së pacientëve edhe jashtë shtetit. Ndihma ka konsistuar në dërgimin në Greqi për trajtim më të detajuar kryesisht të fëmijëve të moshave nga 0-15 vjeç për problemet që nuk trajtoheshin në Shqipëri.

Të gjitha këto hapa mbështetëse sollën në vendin tonë: gëzim në fytyrat e njerëzve, sollën shpresë, sollën jetë, krijuan shoqëri të vërtetë dashurie mes njëri-tjetrit, frymëzuan brezat sidomos të rinjtë, u forcua bindja se nuk jemi vetëm, se Perëndia kurrë nuk e braktisë krijimin e Tij.

I sjell me nostalgji këto eksperienca ndër vite. Kam qënë vet pjesë e shpërndarjes së tyre nga të cilat kam kuptuar se Kisha është vërtet institucioni tokësor dhe qiellor që mjekon plagë dhe përmirëson cilësinë e jetës së njeriut. E ka bërë dhe vazhdon t’a bëjë duke patur në drejtimin e saj personin dhe Kryepriftin e dhembshur Kryepiskopin Anastas, që ka dashuri për njeriun, pranë të cilit kam bashkëpunuar dhe vazhdoj të bashkëpunoj me pëgjegjësi të plotë.

Më lejoni t’a mbyll me thënien e tij se: “Sa më pranë njëri-tjetrit të jemi aq më pranë jemi me Perëndinë dhe sa më pranë jemi me Perëndinë aq më pranë jemi me njëri—tjetrin”.

Udhëtimi i jetës vazhdon dhe i lutem Zotit që t’i dhurojë shëndet të plotë për të përmbushur dhe vazhduar misionin për të cilin na ka thirrur në jetë dhe në shoqëri.

Mars 2024
Klinika Orthodhokse “Ungjillëzimi”, Tiranë.

Intervistoi: Radio Ngjallja