/Përparësi apo Shërbim?

Përparësi apo Shërbim?

Kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj, edhe kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve”.

v. 43-44

Zoti shkon drejt martirizimit dhe Nxënësit ëndërrojnë madhështi.
U parathotë vdekjen në Kryq, dhe ata, pa e kuptuar mirë tragjedinë e kësaj profecie, të ujitur nga fryma e botës për lavdidashje, dëshirojnë ndere dhe dallime. Jakovi dhe Joani vrapojnë tua kalojnë të tjerëve në sigurimin e përparësive. “Mësues, i thonë, duam të na bësh atë që të kërkojmë.” “Ç’doni t’ju bëj?”, pyet Krishti. Dhe ata i përgjigjen: Tani, që do të lavdërohesh, që do të ulesh në fronin mbretëror, jepna dy vendet e para në mbretërinë tënde. Na bëj nderin, që të ulemi njëri në vendin e djathtë dhe tjetri në të majtin. Zoti i shikon i trishtuar: “Nuk dini çfarë kërkoni!”, u përgjigjet me dhimbje. Unë ju flasë për sakrifica dhe ju dëshironi vendin e parë dhe të dytë.

Sa e sa herë Krishti dhe sot detyrohet të përsërisë të njëjtën ankesë ndaj shumë prej ndjekësve të Tij. Sa të ulëta janë shpesh herë dëshirat dhe kërkesat e shumë të krishterëve! Dëshirojnë nderime, dallime, përparësi, fuqi, para, lavdi, ndikim në këtë botë. Dhe më tragjikja është se e kërkojnë nga Ai, që i përbuzi të gjitha këto dhe zbuloi pavlerësinë e tyre. Njëri do nga Zoti t’i sigurojë të ardhura, fitime të shumta.
Ta ndihmojë në mënyrë që biznesi i tij të shkojë më mirë se i të tjerëve. Tjetri nuk resht së dëshiruari pozita dhe vlerësime në shtet apo në Kishë. Zoti thekson sakrificën, dhe ai bën çdo gjë që të përmbushë lavdidashjen e tij të pangopur.

Por, vëllai im, e kupton se çfarë kërkon? E ndjen se kujt i drejtohesh? I lutesh Perëndisë së shenjtë, të tërëmirë dhe të gjithëditur. Shikimi i Tij depërton në thellësi të dëshirave të tua, percepton bërthamën e tyre egoiste, sado që të mundohesh ta mbulosh me forma të ndryshme, si për shembull, kur lufton të dallohesh për të mirën… e të tjerëve. Shqyrtove nëse dëshirat e tua bien dakord me dëshirën e Tij të shenjtë? Apo imagjinon se Perëndia mund të jetë shërbëtor i dëshirave të tua materialiste dhe pretendon të bëhesh bashkëpunëtor i shtysave sipas interesave të tua, si përmbushje të planeve të tua egoiste?

Në sa e sa raste, Zoti është i detyruar të na përgjigjet sot shumicës prej nesh: “Nuk dini çfarë kërkoni!” Më kërkoni të plotësojë ëndrrat tuaja. Por, nëse do mundnit të shihni më pastër, përtej tymit që krijojnë pasionet, lakmitë, lavdidashjet, inatet, armiqësitë tuaja, atëherë do të dallonit me tmerr, sa shkatërruese dhe fajtore janë planet tuaja. Sa të ulëta dhe të përbotshme. Mos t’ju duket keq, pra, që shpesh herë nuk u përgjigjem kërkesave tuaja. Sepse, “nuk dini çfarë kërkoni”.

* * *

Por sëmundja “përparësidashjes” nuk infekton vetëm dy nxënësit. Indinjimi, që shprehën të tjerët ndaj Jakovit dhe Joanit, shfaqte se i njëjti mikrob i tiranizonte. I ngacmonte nëse të tjerët merrnin përparësi. Ky fenomen është i shpeshtë. Ata që komentojnë hidhur lëvizjet dhe përpjekjet lavdidashëse të të tjerëve dhe indinjohen, thelbësisht edhe ata kanë etje për lavdi, kanë zili. “Atëherë Jisui, pasi i thirri, u thotë atyre”:

E dini se ata që mbahen si të parë të kombeve sillen me ashpërsi, si zotërues dhe prijës dhe në përgjithësi i shtypin të tjerët. “Por nuk do të jetë kështu ndër ju, po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj. Edhe kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve.” Dëshironi të dalloheni dhe të bëheni të mëdhenj? Do tua tregojë unë rrugën. Ai që dëshiron të bëhet i madh midis jush, le të bëhet shërbëtori juaj, le të mësojë t’u shërbejë të tjerëve. Dhe ai që dëshiron të bëhet i pari, le të përpiqet të jetë shërbëtori i të gjithëve, të ushtrojë dashurinë me përulësi absolute.

Me të vërtetë, sa kryengritëse është kjo parullë për mentalitetin tonë të botës! Por, edhe sa shpëtuese. Madhështia e vërtetë nuk gjendet tek mendjemadhësia, tek mburrja dhe tek shtypja e të tjerëve. Nuk tregohen me tituj dhe me zhurma. Ekziston vetëm tek dashuria e përulur, tek shërbimi me heroizëm i të afërmve. Kjo është rruga e sigurt për fitimin e saj.

Jeta e përditshme thekson këtë sigurim. Mendoni me të vërtetë nënpunësin, atë që me gatishmëri kujdeset që t’i lehtësojë të tjerët. Sa më paqësor dhe i respektueshëm është. Sa shumë kontribuon në bashkëpunimin harmonik. Mendoni vajzën që në shtëpi u shërben të gjithëve me buzëqeshjen modeste të mirësisë, që nuk kërkon lëvdata.
Sa shumë zbukuron çdo gjë rreth saj, sa e dashur që është. Mendoni
sa shumë kontribuojnë në lartësimin e jetës sonë, këta njerëz modest që pa shumë fjalë dhe reklama i shërbejnë dhe sakrifikohen për të tjerët. Kujtoni Atë, “i cili nuk erdhi t’i shërbejnë, por që të shërbejë”, Krishtin,
i cili u sakrifikua për të gjithë. Kujtoni shenjtorët modestë të Kishës sonë, që me përulësinë dhe dashurinë e tyre gjallëronin shoqëritë njerëzore. Dhe atëherë do të ndieni më thellë sa madhështore është rruga që vijëzojnë këto fjalë të Zotit: “Kush do të jetë më i madh nga ju, le të jetë shërbëtor”.

* * *

Shërbëtori i parë është Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve,
i cili erdhi për të shërbyer. Në Nazaret ku punoi për vite të tëra si një marangoz i thjeshtë. Por edhe gjithë sakatët, të verbërit, lebrozët, të demonizuarit, që morën nga duart e Tij dhuratën e shëndetit, të njëjtën gjë na thonë. Dhe peshqiri, që vuri në Darkën Mistike dhe lau këmbët e nxënësve të Tij, këtë të vërtetë na shfaqë të skalitur para nesh.

E gjithë jeta e Tij ishte një zinxhir shërbimesh ndaj njerëzve. Një zinxhir hallka e fundit e të cilit është e kuqe nga gjaku i Tij i çmuar. Kështu Zoti u bë shërbëtori ynë, shërbëtori i gjithë njerëzimit. Predikonte fjalën e Perëndisë në shtëpi dhe në sinagoga dhe në brigjet e detit të Tiberiadhës. Nga Grazhdi deri tek druri i gjakosur i Kryqit të Tij, fshihet një jetë e paarritshme shërbimi. Madhështi shërbimi që rrezaton tashmë për njëzet e një shekuj dhe do të rrezatojë deri në mbarim të jetës.

Ekziston një madhështi e mrekullueshme në punën e shërbëtorit, në punën e çdo njeriu, që emblema e tij është t’u shërbejë të tjerëve. Sepse, shërbej do të thotë që i dua të tjerët, jo me fjalë por me vepra. Por ngaqë është me të vërtetë e rëndësishme kjo punë paraqet shumë vështirësi, është një rrugë e gjakosur, rruga e shërbimit. Dhe nuk duhet të harrojmë se shembulli ynë i vetëm, Zoti Jisu Krisht, eci i pari në këtë rrugë. Takoi vështirësi nga Shkronjësit dhe Farisenjtë. Vështirësi nga bashkëatdhetarët e tij Nazaretas. Por edhe vështirësi nga vetë nxënësit e Tij. Zoti shërbente dhe gjente kundërshtim, mosmirënjohje, përqeshje dhe përndjekje. Dhe në fund, e gjithë vepra e Tij, kishte si shpërblim tradhtinë e nxënësit të Tij, ekzekutimin e tmerrshëm vdekjeprurës në kryq!

Por nëse Zoti ynë gjeti vështirësi në veprën e Tij shërbyese mbi tokë, a nuk është e natyrshme të gjejmë dhe ne vështirësi kur bëjmë një punë të ngjashme? Sigurisht që po. Dhe së pari nga vetë vetja jonë. Do nevojiten sakrifica. Do nevojitet të ndërpresim një veprim kënaqësie, të anullojmë një bisedë interesante. Një gjumë çlodhës. Madje do të takojmë vështirësi nga një drejtim i tretë, nga ata që u shërbejmë. Nevojitet shumë vetëmohim, heroizëm të vërtetë. Le të mendojmë atë nënë, që natë e ditë u shërben fëmijëve të saj në shtëpi. Mundimet e saja nuk vlerësohen as nga fëmijët e saj, as nga burri i saj, as nga të afërmit e tjerë! Por edhe motra heroinë infermiere, që çdo ditë jepet tërësisht në veprën e shërbimit të dhimbjes.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Të gjithë këta zërat e kundërt le të mos na bëjnë asnjë përshtypje. Shikimi ynë drejtohet atje lartë në majën e Golgothasë. Biri i Perëndisë që u mbërthye në Kryq na dha parrullën e madhe, që e firmosi me Gjakun e Tij: “Nuk erdhi t’i shërbejnë, por për të shërbyer” Mateu 20, 28. Nga ai Kryq i gjakosur, le të marrim fuqi dhe kurajo, që t’i bëjmë me gëzim shërbimet tona të përditshme.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 14.04.2019