/PËR LAVDI TË PERËNDISË – Editorial – Radio “Ngjallja”

PËR LAVDI TË PERËNDISË – Editorial – Radio “Ngjallja”

24 Qershori ka hyrë tashmë në datat historike jo vetëm në shkencën e historisë për vendin tonë, por shkruhet edhe kujtohet në Sinaksaret e Kishës së Shenjtë Orthodhokse.

          24 Qershori është tashmë një e kremte shumë e rëndësishme për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqiperisë.  Është një e kremte në të cilën Kisha e Shenjtë Orthodhokse në të gjithë botën psal njëzëri: “Vërtet u Ngjall Zoti!”

Sot, në këtë 24 Qershor, hija e dyshimit që herë herë ngacmon njeriun zhduket, vdes bashkë me dyshimin e egër ateist: nuk ka Perëndi.

Me dekretin të publikuar më 22 nëntor 1967, Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë dhe në histori, në të cilin u ndalua me Kushtetutë çdo shprehje fetare. Qindra kisha u rrafshuan, të tjera u kthyen në fabrika, magazina, stalla bagëtish, kinema, klube…. Pothuajse të gjithë Manastiret u shkatërruan ose u kthyen në kazerma ushtarake. Në atë kohë, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë kishte përveç Kryepiskopatës edhe 3 Episkopata, 19 zëvendësi arkieratike, 330 enori dhe 25 manastire.

Thirrja ulërimë e rrymës ateiste: nuk ka Perëndi, që mbizotëroi për dekada, këtu në Shqipëri dhe shkatërroi Kishën Orthodhokse dhe besimin në vendin tonë, humbi fuqinë e saj më 24 qershor të vitit 1992.

Në nëntor 1990, qeveria shqiptare e ndikuar nga ndryshimet ndërkombëtare vendosi të zbuste masat kundër fesë. Në kushtet e Shqipërisë ku me kushtetutë ndalohej rreptësisht Besimi në Zot, iniciativën për riorganizimin e Kishës Orthodhokse e mori Patrirkana Ekumenike e Konstandinopojës. Duhej parë nga afër gjendja e kishës së shkatërruar të Shqipërisë.

Në janar 1991, Patriarku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike caktuan Profesorin e Universitetit të Athinës, episkopin e Andrusës (Drejtor i Përgjithshëm i “Shërbimit Apostolik” të Kishës së Greqisë  dhe  vëzhgues i Mitropolisë të Shenjtë të Irinopolit) Anastasin, si Eksark Patriarkal  (të dërguar të Patriarkanës) me mision që të shkonte në Shqipëri për tu takuar me Orthodhoksët dhe Autoritetet e vendit. Eksarku Patriarkal, i cili mbërriti në Shqipëri më 17 korrik1991 konstatoi:    Shkretimin e tmerrshëm që kishte shkaktuar përndjekja e pamëshirshme ateiste.

Pas një viti pune të palodhur të Eksarkut të Patriarkanës Ekumenike Anastasit, një përfaqësi e kishës së Shqipërisë, më 5 – 8 qershor 1992 vizitoi  për herë të parë  pas persekutimit dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut të Patriarkanës  si Primat të Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Kështu Sinodi i Patriarkanës Ekumenike me iniciativën e Patriarkut Ekumenik Bartholome, për krijimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë  zgjodhi më 24 qershor 1992, me vota unanime, Kryepiskop të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, Mitropolitin e Andrusës, Anastasin.

Kjo është shkurtimisht historia e datës 24 qershor. Historia duhet shkruar ashtu si ka ndodhur, përndryshe nuk ndërtojmë të ardhmen. Nuk mundet të shpresojmë që brezat e së nesërmes do të na e falin keqinformimin dhe keqinterpretimin e ngjarjeve.

Kur Episkopit të Andrusës, njëherazi Eksark Patriarkal i’u caktua nga Patriarkana detyra si Primat i Kishës Orthodhokse në Shqipëri, 3 ishin kushtet që të pranonte:

  • Të ishte i pranuar nga komuniteti orthodhoks
  • Të ishte i pranuar nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë
  • Të ruhej Autoqefalia e Kishës orthodhokse në Shqipëri

Ka kisha, në fakt që nuk e kanë zgjidhur ende problemin e Autoqefalisë. Ishte kontributi i Kryepiskopit Anasatas që njihemi dhe jemi KOASH.

Nuk ka qenë e lehtë rihapja e themeleve të një kishe të shkatërruar nga rrënojat. Të ndërtosh një kishë nuk do të thotë vetëm ndërtimi i tempullit, por edhe ndërtimi i njeriut me perëndishmëri, njeriut të lirë në jetën e tij dhe për besimin e tij, njeriut besimtar që e di përse e jeton jetën.

          24 Qershor 1992 – 24 Qershor 2021. Kujtojmë…

Në fakt vetëm libra voluminoze do të duhen të shkruhen për të treguar historinë për punën e madhe titanike që është bërë në këto 29 vjet. Në këto vite, jo vetëm shqiptarët, por e gjithë bota ka parë me sytë e ballit dhe jeton mrekullitë që janë bërë këtu në Shqipëri.

“Sapo mbërriti në Shqiperi, Qershor 1991, Eksarku Patriarkal uroi në shqip: “Krishti u Ngjall!”. Ky ishte edhe mesazhi thelbësor i misionit të tij.

“Krishti u Ngjall!’’. Mesazhi qëndror i Kishës së Shenjtë Orthodhokse do të ishte motoja e punës së madhe të kryer në Shqipëri.

Për të treguar shkurtimisht për punën në këto 29 vjet citoj pjesë nga përshendetja e Patriarkut të Konstandinopojës Bartholome me rastin e shenjtërimit të Kishës katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë:

“…Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet. Patriarkana Ekumenike, kisha mëmë e Konstandinopojës ndjen një gëzim të gjithëanshëm duke parë rilindjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe përgëzon nga thellësia e zemrës të gjithë ata që kontribuan në Ngjalljen e saj. Punëtori i parë sigurisht ka qenë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë zoti Anastas… Ne, në Patriarkanën Ekumenike pamë se Kisha Orthodhokse në Shqipëri kaloi nga vdekja në jetë, sepse Ju Fortlumturi i deshët me të vërtetë vëllezërit…”

Këtë dashuri Kryepiskopi ynë e manifestoi me të gjitha format që ajo mundet të shprehet.

“Kujtoni – thotë Kryebariu ynë, që emri i kishës tonë është: “Krishti u Ngjall!”

Kënaqësi dhe njëherazi, përgjegjësi përpara botës dhe Zotit Perëndi, për të gjithë anëtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që kanë parë dhe kanë jetuar Ngjalljen si një përjetim të “Ngjalljes së Zotit Krisht.”

Ka qenë bekim prania si gazetarë gjatë shenjtërimit të qindra kishave e katedraleve në vendin tonë, pa harruar edhe shumë e shumë vepra të tjera të rëndësishme që ka kryer Kisha jonë e Shenjtë Orthodhokse në Shqipëri. Përgjegjësi që të tregojmë historinë me vërtetësi.

Gjithsesi, puna ende vazhdon për LAVDI  TË PERËNDISË. Vërtet u Ngjall Zoti.

Tiranë më, 23 qershor 2021

Radio Ngjallja 23 Qershor 2021

Punoi: Julia Pjetri, gazetare