/Për çdo gjë falënderoni Zotin – nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla

Për çdo gjë falënderoni Zotin – nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla

Kur Zoti Ynë, Jisu Krishti, pa samaritanin që erdhi ta falënderojë, pas shërimit nga sëmundja që kishte, Zoti tha: “Po, ku janë nëntë të tjerët që u shëruan nga lebra? Pse nuk erdhën dhe ata të falënderonin Zotin? U gjet vetëm ky i huaji, ky samaritan, që të falënderonte Zotin?”
A kishte Krishti nevojë për falënderimin e samaritanit dhe atyre nëntë të tjerëve që u shëruan nga lebra? Sigurisht që jo, Zoti nuk ka nevojë për mirënjohjen dhe falënderimin tonë. E kemi thënë shumë herë që Zoti është mjaftueshëm në gjendjen e Tij, është i lumtur në ekzistencën e Tij, nuk ka nevojë për asgjë tjetër. Edhe krijimi nuk është një nevojë e Zotit; nuk është se Zoti kishte nevojë për diçka që të përmbushte qenien e Tij, ashtu siç mendojmë ne, që punojmë sepse kemi nevojë të kemi diçka për t’u ushqyer dhe përfituar nga ajo që krijojmë. Por Zoti nuk është kështu; Zoti nuk ka nevojë për krijimin dhe Zoti nuk ka nevojë për njeriun. Zoti bëri krijimin dhe solli atë në ekzistencë që gjithë krijimi të shijonte lavdinë e Perëndisë, që gjithë krijimi të merrte pjesë në lavdinë e Perëndisë. Ky ishte qëllimi i krijimit, edhe njeriu pikërisht për këtë qëllim u krijua.
Kemi thënë shumë herë që njeriu u krijua sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë, për t’u bërë i ngjashëm nga hiri i Perëndisë, si Perëndia dhe jo se Zoti kishte nevojë për njeriun, por që njeriu të shijonte madhështinë dhe lavdinë e Perëndisë. Kështu, Perëndia nuk ka nevojë për njeriun, nuk ka nevojë për lutjen e tij, nuk ka nevojë për kreshmën e tij, nuk ka nevojë për sakrificat e tij. Edhe sikur të japim gjithë qenien tonë për Zotin, Zoti përsëri nuk ka nevojë.
Ne kemi dëgjuar shpeshherë, thuhet edhe në Shkrimin e Shenjtë, që Zoti pranon lutjet, sakrificat, flijimet e njerëzve të drejtë. E kemi dëgjuar shumë herë gjatë shërbesës së Liturgjisë Hyjnore të Shën Vasilit të Madh, ku thuhet: “Shtjerë sytë mbi ne, o Perëndi, dhe vështroje adhurimin tonë dhe pranoje ashtu siç pranove dhuratat e Abelit, theroret e Noes, theroret me djegie të plotë të Abrahamit, shërbesat priftërore të Moisiut dhe Aronit dhe dhuratat paqësore të Samuelit. Sikurse pranove prej apostujve të Tu të shenjët këtë adhurimin Tënd të vërtetë, ashtu, o Zot, prano edhe këto dhurata prej duarëve tona mëkatare”.
Ne kërkojmë që Zoti të pranojë ato dhurata tona, lutjet tona, ashtu siç ka pranuar sakrificat e njerëzve të drejtë që përmendëm më parë, por kjo nuk do të thotë që Zoti ka nevojë për të gjitha këto që bënë këta njerëz të drejtë, që bëjmë ne çdo herë. Megjithëse Zoti nuk ka nevojë për to, Zoti kërkon nga ne që t’i bëjmë ato. Kërkon nga ne që të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë. Pse Zoti dëshiron që ta shprehim këtë falënderim dhe mirënjohje? Sepse do që në secilin prej nesh të kultivojmë virtytin e falënderimit dhe të mirënjohjes. Gjithë jeta jonë duhet të jetë një falënderim dhe mirënjohje ndaj Perëndisë, gjithë jeta jonë duhet të jetë një liturgji hyjnore. Liturgjia Hyjnore është Falënderim Hyjnor; gjithë jeta jonë duhet të jetë një falënderim i tillë, gjithë jeta jonë duhet të ishte një adhurim, ashtu siç bëjmë kur kryejmë Liturgjinë Hyjnore. Falënderimi Hyjnor, ashtu duhet të ishte gjithë jeta jonë.
Keni dëgjuar shpeshherë, një nga “parullat” mund të themi, që është brenda ortodoksisë, e cila është nxitur pikërisht nga Kryepeshkopi ynë Anastas, e cilia thotë: “Liturgjia pas liturgjisë”, që do të thotë: falënderimi që bëjmë gjatë Liturgjisë Hyjnore duhet ta vazhdojmë edhe në pjesën tjetër të jetës sonë, që gjithë jeta jonë duhet të jetë një falënderim dhe mirënjohje ndaj Perëndisë. Por, pse duhet ta bëjmë ne këtë falënderim, këtë mirënjohje ndaj Perëndisë? Sepse nëpërmjet mirënjohjes dhe falënderimit ne vendosim drejtësinë. Thuhet nga profetët: “Pëlqej më shumë drejtësinë sesa mijëra flijime që iu bënin”. Çfarë do të thotë të vendosim drejtësi nëpërmjet mirënjohjes? T’i japim Atij, Zotit, dhe kujtojmë atë që meriton, për atë që Ai ka bërë për ne. Ne duhet t’i japim të drejtën e asaj që ka ofruar. Dhe kjo është drejtësia që bëjmë ne, nëpërmjet mirënjohjes dhe falënderimit. Por, më kryesorja është që nëpërmjet mirënjohjes dhe falënderimit, ne kuptojmë që Zoti është burimi i jetës sonë, burimi i ekzistencës sonë, dhe Zoti do që ne ta kuptojmë dhe ta shprehim këtë, ta ndiejmë që çdo gjë që jetojmë, është një dhuratë prej dashurisë së Perëndisë.
Sigurisht, kur gjërat shkojnë mirë në jetën tonë, është e lehtë që ne ta falënderojmë Zotin, por kur ndodhin gjëra të vështira në jetën tonë, është shumë e vështirë të falënderosh dhe të thuash: “Faleminderit, Zot, për vështirësitë që sollën në jetën tonë.” Dëgjuam pak më parë për sëmundjen e asaj vajze; është e vështirë që vetë ajo vajza apo edhe familjarët e saj të falënderoni Zotin për këtë sëmundje që u dha. Apostulli Pavël iu drejtohet besimtarëve në Selanik dhe u thotë: “Jini gjithmonë të gëzuar, lutuni pa pushim dhe për çdo gjë falënderoni Zotin”. Kur thotë “për çdo gjë falënderoni Zotin”, nuk thotë që duhet ta falënderoni Zotin vetëm kur gjërat shkojnë mirë në jetën tonë, por edhe kur ndodhin gjëra të vështira në jetën tonë. Edhe gjëra të vështira lejon dhe sjell Zoti në jetën tonë, dhe ne duhet ta falënderoni. Pse duhet ta falënderoni? Nëse besojmë që Perëndia është Ati ynë, nëse besojmë që Perëndia është Perëndi i dashurisë, atëherë – çfarëdo që të sjellë Zoti në jetën tonë, çfarëdo që do të krijojë në jetën tonë, do të jetë për të mirën tonë. Edhe çdo sfidë që kalojmë, Zoti diçka të mirë do të sjellë nëpërmjet saj. Sigurisht, përjashtojmë rastet kur pasojat janë për shkak të mëkateve tona; nuk është Zoti që i ka sjellë dhe i ka lejuar ato, por janë mëkatet tona që kanë sjellë të tilla raste të vështira.
Për gjërat e tjera, Zoti çfarëdo që të sjellë, çfarëdo që të lejojë, do të jetë për të mirën tonë dhe pikërisht për këtë duhet të themi: “Faleminderit, o Zot.” Nëse ka diçka të mirë që do të na sjellë, pavarësisht sfidës që po kalojmë, për familjen tonë apo personalisht, Ti ke diçka të mirë që do të bësh nëpërmjet kësaj sfide, të falënderoj. E di që është e vështirë, por të falënderoj, më jep kurajo dhe forcë për ta përballuar këtë vështirësi dhe për të kuptuar se çfarë është e dobishme.
Dhe falënderimi nuk do të jetë vetëm ndaj Zotit; Zoti sjell bekime të shumta në jetën tonë nëpërmjet njerëzve të ndryshëm. Ne kemi ardhur në jetë si një bashkëpunim i Perëndisë me prindërit tanë. Të gjitha ato të mira që jetojmë në jetën tonë, bekimet e përditshme, janë sepse dikush na ka mësuar, na ka shkolluar, dikush kujdeset për ne dhe për mirat materiale që ne jetojmë. Duhet të jemi mirënjohës dhe të shprehim falënderimin tonë edhe ndaj atyre njerëzve përmes të cilëve Zoti na ka sjellë bekimet në jetën tonë.
E theksojmë edhe njëherë, të dashur besimtarë: Zoti nuk ka nevojë për mirënjohjen dhe falënderimin tonë, por është e dobishme që ne të gjithë të jemi mirënjohës, të shprehim mirënjohjen tonë ndaj Zotit dhe ndaj të gjithë atyre njerëzve që Zoti ka sjellë në jetën tonë dhe na kanë ndihmuar në jetën tonë të përditshme dhe shpirtërore. Le të kujtojmë edhe njëherë fjalët e Apostullit Pavël: “Për çdo gjë falënderoni Zotin.” Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla, 19/01/2025!