/Pellgu i “lopatave të vjetra”! – Dr. Isidor Koti

Pellgu i “lopatave të vjetra”! – Dr. Isidor Koti

Një temë e tillë: “Janullatos dhe rënia e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare” në televizionin publik që ka detyra e përgjegjësi t’ju shërbejë qytetarëve dhe të vërtetës është së pari befasi. Në piramidën e institucionit RTSH, ndoshta drejtuesve iu ka shpëtuar, por janë të gjithë të përfshirë në një skandal të përmasave serioze që duhet denoncuar dhe ndëshkuar nga AMA (Agjencia e Mediave Audiovizive). Sepse është fyerje e pastër ndaj një institucioni fetar, pikërisht Kishës, kreut të saj dhe komunitetit ortodoks që konsiderohet ndër të tjera, edhe taksapagues.
Të trajtohet një temë e tillë pas më shumë se 30 vitesh me kaq pasion e vrer nga një gazetar e një historian profesionistë në një kafe të paguar nga diku e dikush tjetër, edhe kapërdihet. Por të dalin në televizionin publik e të shfryjnë dufet e tyre personale ndaj Kishës dhe kreut të saj të njohur nga shteti, institucionet fetare, nga mbarë vendi dhe bota, meriton një reagim më të thellë për t’ju dhënë një mësim kafexhinjve dhe muhabeteve të tyre tipike kafenesh, të cilët kanë privatizuar median publike në shërbim të interesave personale e karrieriste.
Është më shumë se keqardhje që të durosh ironinë dhe vulgaritetin e dy prag-pensionistëve që kanë krijuar për vite me radhë frymë negative në publik ndaj kësaj teme. Nëse historiani dihet e njihet për qëndrimin e tij anti-ortodoks dhe vazhdon e noton në pellgun që e ka mbushur me baltë duke baltosur prej kohësh figurën e tij, gazetari dihet e njihet për bëmat e tij në media dhe jashtë saj. Por nuk është ky qëllimi, ata vet- demaskohen. Problem nuk janë dy fatalistë që do i flaki koha në gjirizet që meritojnë, por problem është keqpërdorimi i një hapësire publike që krijon frymë negative tek njerëzit e thjesht, të cilët e njohin ndryshe të vërtetën.
Të përçudnosh emrin e një Kishe tashmë të ringritur dhe me kontribute historike e sociale të jashtëzakonshme në shoqërinë tonë është keqdashje dhe urrejtje. Prandaj kanë guxim të dalin kaq shpesh dhe hapur këta njerëz pa frymë pozitive, sepse nuk janë mësuar të dalin nga pellgu që kanë krijuar brenda rrethit dhe vizionit të tyre. Ky quhet pellgu “i lopatave të vjetra”. Fakti që janë aty ku janë nuk është se meritojnë për atë që bëjnë, por sepse me makinacione e trille teatrale kanë krijuar imazhin e tyre komik. Prandaj përveç një të qeshure nuk kanë hak asgjë më shumë sa herë i shikon në ekrane.
Për të dalë njëherë e mirë nga ky pellg dhe këto lopata, duhet marrë seriozisht dhe institucionalisht kjo histori. Përndryshe, hapësira publike në median tonë do konsiderohet thjesht një megafon i rënë në duart dhe mendjet e gabuara që i thonë të bardhës së zezë dhe anasjelltas.
Nga: Dr. Isidor Koti