RUMANI
Pelegrinët dynden drejt rrugëve të Bukureshtit për litaninë e përvitshme në nderim të shenjtorëve vendas
Përkujtimi i tre shenjtorëve rumunë mirëpret pelegrinët e shumtë, që shkojnë çdo vit në Kodrën e Patriarkanës në Bukuresht, për të marrë pjesë në kremtimet që bëhen për nder të tyre. Ҫdo vit, me lipsanet e shën Dhimitrit të Ri, shën Dionisit dhe shën Filotheit, bëhet një litani e madhe nëpër qytet.
Litania e lipsanit të shën Dhimitrit të Ri u bë nga Katedraleja e Patriarkanës dedikuar të Tërëshenjtës, për të mbërritur në buzë të Kodrës në kryqëzimin e Brankoveskut.
Litania e lipsaneve të shën Dionisit të Cetatea Alba-s dhe Filotheit të Curtea de Arges u bënë nga Katedralja metropolitane e shën Spiridhonit përgjatë rrugës Bibesu Voda.
Më pas, të tri litanitë u bashkuan për t’u ngjitur në majën e kodrës, në një litani të vetme, të shoqëruar me himne të ndryshme dhe me temjan.
Më pas, Patriarku Daniel mirëpriti klerikët që drejtonin litaninë, si dhe besimtarët e shumtë.
Kjo litani përbën një traditë të hershme rumune, që daton që nga shek. XIX.
Sipas dëshmive historike, lipsanet e shën Dhimitrit të Ri, shenjtit mbrojtës të Bukureshit, i kanë larguar nga katedralja kryesore sa herë qyteti kalonte periudha shumë të vështira, të tilla si murtaja (1813-1814), thatësira e vitit 1827 apo kolera e vitit 1831.
Panairi i kremtimit të shenjtëve zgjati për tri ditë me radhë, ku lipsanet e tyre u nderuan nga dhjetëra mijëra besimtarë. Programi festiv kulmoi më 27 tetor, ku u bë dhe ceremonia e kanonizimit të shën Dionisit, Episkopit të Catatea Alba-s dhe Ismail-it. U mbajt gjithashtu edhe një konkurs i muzikës kishtare.