/Parfumi në këndvështrimin e krishterë

Parfumi në këndvështrimin e krishterë

Parfumi që etimologjikisht si fjalë vjen nga latinishtja “per fumon”, që do të thotë “nëpërmjet tymit”, është një përzierje aromatike vajore ose me bazë alkooli për të aromatizuar trupat e njerëzve, objektet, ambientet dhe me shumë funksione si ai fetar, për kënaqësi, joshje, madje edhe për shërim.

Formulat e parfumeve janë të shumëllojshme edhe shumë prej tyre janë sekrete, që njihen vetëm nga prodhuesit, mjeshtrit e parfumeve. Sot tregtia e parfumeve është një industri shumë fitimprurëse, miliona dollarë. Nuk është e përcaktuar koha edhe vendi ku ka filluar prodhimi i parfumeve, por gjurmët e përdorimit të parfumit fillojnë që në lashtësi, kur njerëzit nëpër shpella, sipas fesë së tyre natyraliste dhe animaliste, ofronin te “perënditë” oferta parfumi nëpërmjet djegies së bimëve aromatike.

Në qytetërimet si ai i Egjiptit apo i Mesopotamisë, i Babilonisë, i Persisë, i Sirisë dhe më vonë në atë Grek dhe Romak, parfumi i ofruar si tym, pomadë ose lëng është përdorur në fillim gjithmonë me karakter okult. Egjiptasit besonin se parfumet janë “era e djersës të perëndisë së diellit, Ra”. Grekët e lashtë besonin se zotat zbulohen te njerëzit nëpërmjet aromave, dhe recetat e parfumeve u janë zbuluar atyre nga “perënditë”.

Përveç përdorimit okult, parfumi filloi të përdorej edhe në aspektin shoqëror, sidomos te mbretërit dhe të pasurit, për kënaqësi personale ose për dhurata në marrëdhëniet diplomatike. Kjo gjë duket edhe në tri dhuratat që mbretërit e Lindjes, të ardhur nga Babilonia, i bënë Krishtit, Mbretit të Judejve, që lindi në Betlehem të Judesë. Një ndër këto dhurata ishte dhe një alabastër me miro, vaji aromatik shumë i shtrejntë, që i ofrohej mbretërve, që të lyheshin për së gjalli ose për tu lyer trupat e tyre mbas vdekjes. Perandorët romakë ishin shumë të dhënë mbas parfumeve në jetën e luksit të tyre ekstravagant, orgjitë e tyre quheshin“orgji të parfumosura”. Me triumfin e Krishterimit në Perandorinë Romake, parfumi me karakter okult dhe për joshje pësoi një rënie, sepse Krishterimi tregoi se ofertat e parfumeve ndaj zotave janë kushtuar idhujve që janë demonë dhe morali i lartë i krishterë binte ndesh me pardëromin e parfumit për joshje.

Vetëm në shekullin XIII pas Krishtit, në Evropë, sidomos në Francë, u rishfaqën përsëri parfumet, meqenëse njerëzit, për të mbytur erën e keqe të trupit, përdorën parfum sepse i shmangeshin larjes me ujë duke e menduar si përhapës sëmundjeje. Shumë nga këto parfume erdhën nga kryqtarët që i sillnin nga vendet e Lindjes ku parfumeria që nga shekulli X pas Krishtit, mori një zhvillim të madh sidomos me teknikën e distilimit. Periudha e Rilindjes i dha një tjetër hov artit të parfumerisë, sepse kimia zëvendësoi alkimin duke përsosur teknikën e distilimit dhe cilësinë e esencave të parfumeve.

Sot, teknologjia e përparuar i ka bërë më të lira çmimet e parfumeve duke dhënë mundësi për përdorin gjithnjë e më shumë nga njerëzit e thjeshtë dhe për disa është kaq i rëndësishëm sa janë gjërat më imediate, siç është ushqimi dhe veshja. Njerëzit i duan aromat, sepse ato nuk janë vetëm për anën e jashtme estetike, sharmin dhe joshjen, por ato kanë dhe ndikim në botën shpirtërore, japin një gëzim për të jetuar, dhe ato ndikojnë në marrëdhënie midis njerëzve, ashtu siç thotë edhe i urti Solomon: “Vaji edhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzemërta” (Fjalët e Urta 27:9).

Parfumi sipas Biblës

Përveç popujve paganë, që i përdornin parfumet me karakter okult, edhe populli i Izraelit, një popull monoteist që besonte në një Perëndi, mori urdhër nga vetë Zoti, Perëndia, për përdorimin e parfumeve në shërbesat liturgjike në Tendën e Shejntë (Tabernakullit) e më vonë në Tempullin e ndërtuar nga Solomoni, në vitin 957 para Krishtit. Këto receta u përcaktuan nga vetë Perëndia nëpërmjet Moisiut në shekullin XIII para Krishtit, p.sh., te Libri i Eksodit na thuhet: “Gjej disa aroma, storaks, guaska erëmira, galban, aroma me temjan të kulluar, në doza të barabarta; do të përgatitësh me to një parfum sipas artit të parfumierit, një parfum të kripur, të pastër dhe të shenjtë; do ta kthesh një pjesë të tij në pluhur shumë të hollë dhe do të vendosësh pak nga ai përpara dëshmisë në çadrën e mbledhjes, ku unë do të të takoj: ai do të jetë për ju një gjë shumë e shenjtë”(Eksodi 30: 33-36).

Priftërinjtë, çdo mëngjes dhe mbrëmje, duhet të afronin temjan aromatik në altarin e tempullit që quhet “altar aromash” siç urdhëron Zoti : “Mbi të Aaroni do të djegë temjan të parfumuar; do ta djegë çdo mëngjes kur rregullon llambat” (Eksodi 30:7). Po ashtu psalmisti David thotë: “Le të drejtohet lutja ime si temjan përpara teje”(Psalmi 141). Përveç temjanit, izraelitët u urdhëruan edhe për përgatitjen e miros, një vaj aromatik me të cilët do të lyhej altari, mbretërit, profetët, të cilën quheshin “krisht”, të vajosur: “Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: ‘Gjej edhe aromat më të mira: pesëqind sikla mirë të lëngët, dyqind e pesëdhjetë, domethënë gjysma, cinamon aromatik dhe dyqind e pesëdhjetë kanellë aromatike, pesëqind sikla, në bazë të siklit të shenjtërores, kasie dhe një hin vaj ulliri. Me këto të përgatitësh një vaj për vajosjen e shenjtë, një parfum të prodhuar me artin e parfumierit: ky do të jetë vaji i vajosjes së shenjtë'” (Eksodi 30:22-25).

Te Populli i Izraelit parfumi nuk përdorej vetëm me karakter liturgjik, por edhe për atë estetik, dhe për kënaqësi e joshje intime midis dhëndrit edhe nuses, p.sh. te Libri “Kënga e Këngëve” Solomoni me shumë poezi na thotë si ndikon aroma e parfumit në dashurinë e çiftit si një alkimi: “Nga aroma e vajrave të tua të këndshme, emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur… Kënaqësia ime është një qeskë e vogël miroje; ajo do të pushojë tërë natën midis gjinjve të mi. Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit…“Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha miron time me balsamin tim… u ngrita për t’i hapur derën të dashurit tim dhe nga duart e mia pikoi miroja, nga gishtërinjtë e mi miro e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës!”(Kënga e këngëve 1:3 -14; 5:1-5).

Zoti Jisu Krisht, Biri dhe Fjala e Perëndisë, nuk ishte kundër përdorimit të parfumit në jetën e përditshme të popullit të Izraelit. Krishti e qorton një farise që nuk e priti në shtëpinë e tij me nderet që i takonin një miku të veçantë, siç ishte larja e këmbëve dhe lyerja me parfum e flokëve, por pranoi edhe lavdëroi publikisht ofertën me miro që një prostitutë e penduar ia hodhi mbi këmbët e tij, pasi ia kishte larë më parë me lotët dhe ia kishte fshirë më pas me flokët e saj: “ i tha Simonit ; A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m’i lagu këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e kresë. Ti nuk më dhe as puthje; por ajo, qysh sa hyri, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti nuk m’i vajose kryet me vaj; kurse ajo m’i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm”(Lluka 7: 44-46).

Në predikimin e Tij, Krishti kërkon nga nxënësit e tij që, kur të agjëronin, të mos bëheshin si hipokritët që shfaqeshin të shpërfytyruar për t’i pëlqyer njerëzit se agjërojnë, por të shfaqen të rregullt dhe të përdornin parfum për aromatizues, kjo sipas traditës judease: “Kur të agjërosh, vajose kokën (vajë aromatik) dhe laje fytyrën” (Mateu 6:16-17).

Pse parfumosen njerëzit?

Njerëzit kanë dëshirë të parfumosen dhe gjithashtu ata ndihen mirë me aromën e parfumit, sepse ata, edhe pa qenë shumë të ndërgjegjshëm, duan ta shmangin erën e keqe, që nuk është thjesht era e trupit të pisët, por një erë e keqe e shpirtit të ndyrë nga mëkati. Zoti është Qenie Hyjnore, i Tërëshenjtë, i Përjetshëm, i Cili, me energji të pakrijuara aromatizuese mbush gjithë krijimin, edhe veçanërisht njeriun, i cili u krijua sipas ikonës (shëmbëlltyrës) së Perëndisë, d.m.th., një qenie aromatizuese sipas Hirit. Aroma, që te njeriu buronte nga Hiri, ishte tregues i jetës së pavdekshme që mori ai nga Perëndia, ashtu siç e shikojmë edhe në natyrën e harlisur kur lulëzon plot aroma lulesh. Por, për shkak të zilisë të djallit, njeriu mëkatoi duke ngrënë frutin e ndaluar të “pemës e njohjes së të mirës edhe të së keqes”(Zanafilla: 3 -6) dhe mbasi mëkatoj dhe u rebelua në mosbindje të dënueshme, Hiri aromatizues i Perëndisë u largua nga njerëzit, kështu njeriu mbeti vetëm “mish” d.m.th. natyrë e rënë me erë të keqe, sepse mëkati është kalbëzim moral dhe vdekje e natyrës njerëzore, shpirt edhe trup. Jo vetëm njeriu, por edhe natyra ra në kotësi, prishje, ngordhje dhe kalbje me erën e keqe të vdekjes.

Njeriu, sado aroma të krijojë për të kamufluar erën e keqe të kalbëzimit moral në këtë principat të vdekjes, apo t’ia ofrojë Perëndisë me karakter liturgjik për ta marrë me të mirë Perëndinë e Tërëshenjtë, ato nuk janë një aromë e pëlqyer për nuhatjen e Zotit dhe nuk e zbutin drejtësinë hyjnore kundër mëkatarit që, në qenien e tij, vjen erë të keqe nga mëkati stërgjyshor (i Adamit) edhe ai personal dhe gjithë krijimi është i ndotur nga fryma e ndyrë e djallit.

Prandaj parfumi temjan apo miro, si ofertë adhurimi i pranuar nga Perëndia për ndjesën e mëkateve, gjen përmbushje vetëm te Krishti, Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut. Vetë emri Mesia (Meshaja) në hebraisht dhe Krisht (Kristos) në greqisht do të thotë i vajosur, i parfumosur me aromën e mirë të Shpirtit të Shenjtë, të cilin e pranon Perëndia si ofertë të pëlqyeshme. Apostull Pavli thotë: “Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijimit Perëndisë, si një parfum erëmirë (Efesianëve 5:2). Apostulli flet për flijimin vullnetar të Krishtit në kryq, sepse: “Ai vetë mbarti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi”(I Petros 2:24).

Ai njeri që bashkohet me Krishtin në Kishën Orthodhokse nëpërmjet Misterit te Pagëzimit dhe të Mirosjes, bëhet një krisht, një i lyer me aromën e Krishtit, sipas ngjashmërisë së Jisu Krishtit, sepse “sa u pagëzuam me Krishtin, me Krishtin u veshët. Aliluja” (Galatasve 3:26-27). Në Kishën Orthodhokse, njeriu me anën e lyerjes me Miron e Shenjtë fiton përsëri aromën e humbur. Personi i porsapagëzuar në emër të Krishtit për ndjesën e mëkateve, lyhet nga prifti orthodhoks me Miron e Shenjtë, një përzierje vaji ulliri e shenjtëruar, i përbërë me dyzet aroma dhe parfume, duke i bërë shenjën e kryqit në vetull dhe në sy, në buzë, në të dy veshët, në kraharor, në duar dhe këmbë, dhe në çdo lyerje thotë: “Vulë, dhuratë e Shpirtit të Shenjtë” Amin.

Shën Qirili i Jerusalemit thotë: “Së pari, ju jeni lyer në ballë, për t’u çliruar nga turpi që solli njeriu i parë pas mëkatit për t’u çliruar krejtësisht që të mund të bëheni të aftë të sodisni lavdinë e Perëndisë me ballin lart, si në një pasqyrë; pastaj jeni lyer në veshë për të dëgjuar misteret hyjnore, pastaj u lyet në hundë për të nuhatur parfumin Hyjnor dhe që të mund të thoni: “Ne jemi aroma e dashur e Krishtit”.

Kjo nuk është as filozofi apo retorikë boshe, por një realitet i prekshëm mes të krishterëve orthodhoksë. Besimi i të krishterëve, se nga shenjtorët, trupat e tyre, buron miro dhe ndihet aromë e mirë, është një dukuri e Kishës Katholike Apostolike që nga dita e Pendikostisë kur Shpirti i Shenjtë erdhi me fuqi dhe erë aromatike që krezmoi apostujt me aromën e Krishtit. Aroma e shenjtorëve karakterizohet si aroma e jetës së përjetshme të Perëndisë, që nëpërmjet Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë, dhurohet në shpirtrat dhe trupat e besimtarëve të pagëzuar në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, që në këtë jetë të përkohshme dhe është ikonë dhe parashijim i ngjalljes së të vdekurve ku njerëzit besimtarë do të rifitojnë pavdekësinë dhe aromën e Hirit jetëdhënës, ashtu siç e kishte Adami përpara rënies.

Shpirtrat e shejntorëve mbas vdekjes largohen nga trupat e tyre dhe me Krishtin shkojnë të parashijojnë derisa sa të ngjallen me trup, gëzimet dhe oromën e jetës së përjetshme në Mbretërinë të Perëndisë, Shpirti i Shenjtë nuk i braktis trupat e shenjtëruara në erën e keqe të prishjes si të tjerëve që shkojnë në hadh për të paravuajtur hidhërimet dhe aromën e keqe të vdekjes së përjetshme në ferr, por i transformon në lipsane të shenjta, si vazo miroje qiellore, mbajtës dhe transmetues të Hirit Hyjnor, që aromatizon vendin dhe njerëzit, kur i nderojnë ato.

Në orthodhoksi ka shenjtorë që, mbas vdekjes fizike, trupat e tyre u treguan aromatizues ose burim miroje edhe u quajtëm nga Kisha mirovlitë, kjo është shenjë e vlerësimit nga Perëndia për dëlirësinë dhe përkushtimin e jetës së tyre tokësore duke u bërë të ngjashëm me Krishtin, si p.sh. shën Dhimitër Mirovliti në Selanik, nga trupi i të cilit buron miro që nga shekulli IV deri më sot; shën Nikolla i Mirës (shek. IV), lipsani i të cilit gjendet në Bari edhe buron miro të vazhdueshme, ose Nil Mirovliti (shek. V), i cili asketizoi në një shpellë në malin Athos edhe mbas vdekjes nga trupi i tij buronte miro që ridhte poshtë në det ku edhe vinin njerëzit me varka edhe e merrnin për bekim dhe shërim,ose oshënar Serafimi i Sarovit (shek. XVIII), e shumë të tjerë ashtu siç edhe apostull Pavli thotë: “Sepse ne jemi për Perëndinë era e këndshme e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin” (2 Korintasve 2:15).

Në Kishën Orthodhokse përdoret gjithmonë parfumi i temjanit që aromatizon gjithë hapsirën e kishës. Nga era e mirë e temjanit kush do që do të hyj edhe në qoftë se nuk shikon apo dëgjon, do ta kuptojë menjëherë që ndodhet në një vend të shenjtë orthodhoks. Retë e tymit erëmirë që burojnë prej temjanicës simbolizojnë lutjen e besimtarëve që ngjiten drejtë Perëndisë. “Era e mirë” e temjanit shpreh kënaqësinë që Perëndia merr nga lutjet tona. Ambjenti i kishës mbasi mbushet me aromën e temjanit shëndërrohet në gjashmërinë e Parjsës qiellore ku engjëjt afrojnë papushim temjan aromatik drejt Perëndisë, siç na thuhet në librin e Zbulesës: “”Pastaj erdhi një engjëll tjetër që kishte një temianicë ari dhe ndaloi pranë altarit; dhe iu dha shumë erë e këndshme që t`ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtorëve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit.Dhe tymi i erëve të këndshme, të ofruara me lutjet e shenjtorëve, u ngjit përpara Perëndisë nga dora e engjëllit.” (Zbulesa 8:3-4) Pasi prifti temjanis Altarin dhe ikonat, kthehet dhe temjanis besimtarët. Me anë të këtij veprimi ai nderon dhe respekton ikonën e Perëndisë që është tek çdo besimtar të cilët janë thirrur të bëhen sipas Hirit perëndi aromatizues, ashtu si Jisu Krishti është sipas natyrës Hyjnore.
Së fundi Krishti është gjithashtu Dhendri Hyjnor, që me aromë, i afrohet shpirtit njerëzor i cili joshet nga aroma e Dhëndrit Hyjnor dhe të dy, Krishti edhe njeriu, bashkohen dhe bëhen të dy së bashku “miro”, një parfum erëmirë dashurie që i pëlqen Perëndisë (2 Korintasve 14:17). “Ky mister është i madh”( Efesianëve 5:31-32).


Miron Ҫako Përgjegjës i Zyrës Katekizmit në Kryepiskopatën e KOASH-it