/Paraqitja e Zotit Jisu Krisht në Tempull – Ipapandia

Paraqitja e Zotit Jisu Krisht në Tempull – Ipapandia

“Le të hapen sot dyert e Qiejve, sepse Fjala e Përjetëshme e Atit, pa e humbur Hyjnishmërinë, u mishërua në kohë prej Virgjëreshës. Dhe si një foshnjë 40 ditësh Ai sillet vullnetarisht nga nëna e Tij në Tempull, sipas ligjit. Dhe plaku Simeon e merr Atë në krahët e tij dhe thërret: “Tani përlëshoje me paqe shërbëtorin tënd sepse sytë e mi panë shpëtimin Tënd o Zot, po erdhe të shpëtosh njërëzimin lavdi më Ty”.

Pikërisht 40 ditë mbas Krishtlindjes në datën 2 Shkurt, Kisha jonë e Shenjtë kremton Festën e Ipapandisë ose Paraqitja e Zotit tonë në tempull. Kjo ditë njihet ndryshe si ‘Takimi’, sepse Zoti Krisht takoi popullin e Tij në prani të plakut Simeon dhe priftëreshës Ana. Këta dy persona kishin vite që e prisnin Shpëtimtarin dhe tani e takuan Atë. I mbushur me ngazëllim, Simeoni i bekuar psal himnin poetik që Kisha e shenjtë e reciton nëpërmjet priftërinjve çdo shërbesë të Mbrëmësores: “Tani përlëshoje shërbëtorin tënd o Zot, sipas Fjalës sate, se sytë e mi panë shpëtimin Tënd të cilin Ti e përgatite faqe gjithë popujve, dritë për ndriçimin e kombeve dhe për lavdi të popullit tënd Izrael”.

Le të fokusohemi tek disa prej veçorive që e mundësojnë këtë takim bazuar tek pasazhi i Ungjillit.

1.Të jesh i drejtë me Zotin!

Kjo është baza e takimit tonë me Zotin. Simeoni ishte i drejtë, ai ishte i devotshëm.

2. Kujtohu të lutesh!

Lutja është komunikim me Perëndinë. Është shumë e vështirë të ruash kontaktet me të afërmit ose miqtë në qoftë se nuk komunikon me ta. Simeoni priste ngushëllimin e Izraelit dhe fakti që e priste do të thotë se ai lutej. Ana lutej ditë dhe natë, lutej “pa pushim” siç thotë Shën Pavli.

3. Kujtoni të lavdëroni Zotin!

4. Kujtoni të jeni prezent në shtëpinë e Zotit! Prandaj Kisha është e rëndësishme. Ku ndodhej Simeoni kur ndodhi kjo? Ai pra i shtyrë nga Fryma erdhi në tempull, që do të thotë në Kishë. Ku gjendej Ana kur ndodhi kjo? Ajo ishte e ve, dhe megjithëse ishte 84 vjeç, nuk largohej nga Tempulli, pra ndodhej në Kishë. Kisha ishte vendi ku Simeoni dhe Ana takuan Zotin. Kur ne nuk shkojmë në kishë u tregojmë të tjerëve se ajo nuk është realisht aq e domosdoshme. Kur ne neglizhojmë Kishën ne humbasim mundësinë për të takuar Zotin.

5. Kujtoni të shpresoni!

Pavarësisht se Simeoni ishte i madh në moshë ai shpresonte të shihte Shpëtimtarin dhe jeta e tij përmbushet sapo ai sheh Zotin. Ana ishte e ve, kishte qënë e tillë prej shumë vitesh, por pavarësisht kësaj gjendje ajo nuk u hidhërua. Ndoshta jeta na ofron ngjarje të pakëndëshme, por shpresa jonë është vetëm në Zotin Krisht.

6. Folu të tjerëve për Zotin Krisht!

Simeoni sapo e takoi, e ndau përvojën e tij me Hyjlindësen dhe Shën Josifin dhe ata u mrekulluan jo për atë çka ai u tha, por ato çka ai dinte. Profetesha Ana u tregonte të gjithëve. Edhe ajo erdhi në atë orë, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë gjithë atyre që prisnin shpëtimin në Jeruzalem.

Të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin, le të presim Zotin Krisht duke shpenzuar me urtësi kohën, aftësitë dhe talantat tona që Perëndia na ka dhënë . Jeta ka kuptim kur ne e shpenzojmë atë duke pritur Zotin Krisht. Tek Shkrimi i Shenjtë lexojmë: “Zoti është pjesa ime, thotë shpirti im, prandaj do të kem shpresë tek Ai. Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek Ai, me shpirtin që e kërkon, gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit”. AMIN.

GËZUAR PËR SHUMË VJET TË KREMTEN E IPAPANDISË