Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin me temë: “Shën Ast, mbroje qytetin tend prej qielli” organizuar me rastin e të Kremtes të Shën Astit Peshkopit të Durrësit.
5 Korrik.2023
Amfiteatri i Durrësit është objekti më i madh arkeologjik i zbuluar në Shqipëri. I vendosur në pjesën J-P të kodrave të qytetit, mendohet të jetë ndërtuar në shek. II, në kohën e dinastisë romake të Antoninëve1. Pas disa shekujsh funksionimi ky objekt u braktis diku në shek. V për tu përdorur për qëllime të tjera. Në këtë mënyrë një pjesë e tij u shndërrua në ambient kulti me ndërtimin e një paraklisi (kapele) të zbukuruar me afreske dhe mozaikë2.
Studimet historike tregojnë se amfiteatri lidhet me disa nga zhvillimet e krishtërimit të hershëm në këtë qytet. Sipas ‘’Synaxarium Ecclesiae Costantinopolitanae’’, një libri me jetëshkrime shenjtorësh, pranë këtij objekti u martirizua nga autotitetet romake edhe Shën Asti3. Ai konsiderohet si një ndër peshkopët e parë të Durrësit që zëvendësoi në këtë detyrë Shën Çezarin. Gjatë kësaj kohe së shërbimit në këtë qytet që korrespondon me qeverisjen e perandorit Trajan (98-117), ai do të ekzekutohej nga guvernatori lokal, Agrikola. Të njëjtin fat me të do të kishin edhe një grup i vogël të krishterësh, që kishin ardhur nga Italia për ti shpëtuar përndjekjeve atje4.
Ekzekutimin e Shën Astit disa autorë e lidhin me amfiteatrin e Durrësit, ndërsa kultin e tij me paraklisin e ndërtuar disa shekuj më vonë. Sipas Vangjel Toçit, arkeologut që zhvilloi gërmimet arkeologjike që çuan në zbulimin e tij, ky objekt u ndërtua nën shkallaren e braktisur të amfiteatrit, bashkë me varrezën pranë tij. I përbërë nga naosi, altari dhe narteksi, paraklisi, ishte i suvatuar nga jashtë dhe brenda, duke u zbukuruar me afreske dhe mozaikë muralë të një niveli mjeshtëror punimi5.
Në bazë të rezultateve të gërmimeve objekti kishte formë drejtëkëndëshi dhe përbëhej nga dy hyrje në pjesët veriore dhe jugore, një vaskë pagëzimi dhe disa varre. Muratura me gurë dhe tulla e datonte këtë ndërtim në shek. VI-X, ndërsa gjetja e monedhave të shek. XI-XII, tregonte kohën e funksionimt të tij7. Por pjesa më interesante e këtij zbulimi ishte gjetja e dy paneleve murale të zbukuruar me mozaikë, figurat e të cilëve do të bëheshin objekte studimi dhe interpretimi nga studjues të ndryshëm, vendas dhe të huaj. Debati vijon edhe sot jo vetëm rreth shenjtorit që i dedikohet paraklisi, por edhe imazheve të tij dhe kohës së kompozimit.
Përshkrimin e parë rreth mozakëve e bëri zbuluesi i tyre, arkeologu Vangjel Toçi. Sipas tij mozaiku i parë ka përmasa 1.63 x 1. 25 m dhe ndahet në dy fusha (panele). Në fushën e parë paraqiten Shën Stefani, emri i të cilit shquhet qartë në anën e majtë të aureolës që rrethon kokën e tij. Ndërsa në fushën e dytë është paraqitur figura e një burri rrethuar nga dy ëngjëj dhe dy oborrtarë, të cilin sipas mbishkrimit, Toçi e identifikoi me perandorin bizantin Aleksandër (912-913). Ndërsa figurën qëndrore të mozaikut të dytë, me përmasa 2, 25 x 1. 06 m, ai e identifikoi me imazhin e perandoreshës8. Midis saj qëndrojnë Shën Sofia që simbolizon diturinë dhe Shën Irini që simbolizon paqen, të identifikuara nga shkrimet përkatëse. Poshtë tyre, te këmbët, janëi vendosur dy figura laike, një burrë dhe një grua.
Sipas Vangjel Toçit, paraklisi i kushtohet Shën Stefanit, figura e të cilit paraqitet në njërin prej mozaikëve të saj9. Kurse historiani anglez, Anthony Bryer, ka hedhur idenë se ky objekt i kushtohet Shën Astit10. Këtë mendim e ka përforcuar edhe studjuesi austriak Helmut Buschhausen. Një gjë të tillë ai e përforcon duke theksuar në ligjëratë të drejtë se: ’’Ai ishte peshkopi i parë i qytetit dhe u martirizua në kohën e perandorit Trajan, pikërisht një gjeneratë pas apostujve. Ai u nderua në amfiteatrin e qytetit’’. Ndërkohë që Buschhausen mendon se kthina përkujtimore e këtij paraklisi i është kushtuar Shën Stefanit gjatë kohës së perandorit Anastas11. Dihet që ky i fundit ishte me origjinë nga Durrësi dhe ndërmori në këtë qytet një sërë ndërtimesh përfshirë edhe objekte të kultit kristian.
Por një drejtim i debatit shkencor u shtri në drejtim të kohës së realizimit të kësaj vepre arti dhe identifikimit të figurës qëndrore të panelit të parë. Kështu historian francez Alain Ducellier, do të theksonte se vepra daton në shek. VII-X, ndërsa figura qëndrore i përket perandorit bizantin Aleksandër12. Ndërsa studjuesja Nicole Tierri, thekson se kjo vepër i përket shek. VII-VIII dhe si figurë kryesore paraqet Krishtin në moshë të re dhe pa mjekër, sipas modeleve të ikonografisë primitive paleokristiane13. Një tjetër studjuese franceze, Zhanin Reynis Zhando, përcakton si kohë të krijimit të mozaikut shek. VIII, ndërsa si figurë qendrore sipas saj është Shën Maria14. Me këtë mendim pajtohet edhe studjuesja italiane Maria Andaloro15. Këtij grupi i bashkohet edhe studjuesja shqiptare, Dhorka Dhamo, që thekson se mozaiku është realizuar në shek. VI-VII, ku si figurë qëndrore paraqet Shën Mërinë, perandoreshë të tipit angeloktistis16. Sipas arkeologut Neritan Ceka në mozaikun e parë është paraqitur Shën Stefani si martir i parë i kishës. Ndërsa në panelin tjetër janë paraqitur figura e Shën Marisë, e shoqëruar nga kryeëngjëjt Mihal dhe Gabriel. Në këmbët e tyre qëndrojnë me përmasa të zvogëluara dy ktitorët, burrë dhe grua, shoqëruar nga mbishkrimi: ‘’O zot ndihmo skllavin tënd Aleksandrin’’17.
Ndërkohë që një analizë të hollësishme u ka bërë këtyre mozaikëve edhe studjuesi Moikom Zeqo, i cili e daton ata si të shek. VII-VIII. Ai thekson midis të tjerave se në panelin jugor brenda kornizës është vendosur një nga martirët e parë të krishtërimit, Shën Stefani, shoqëruar me mbishkrimin ‘’Agocios Stefanos’’. Ngjitur me të ndodhet një figurë femërore që shoqërohet anash nga dy kryeëngjëj, ndërsa poshtë tyre janë vendosur dy figura të vogla, ato të një burri dhe gruas së tij. Këta janë porositësit e mozaikut, fakt që e tregon mbishkrimi ‘’Ke voithon ton Dullos Aleksandu’’-‘’ndihmo o zot skllavin tënd Aleksandrin’’. Ndërsa për figurën femërore, Moikom Zeqo, shfaq një tjetër hipotezë duke theksuar se ajo është Teodora, bashkëshortja e perandorit Justinian18.
Ndërsa Lida Miraj, një prej studjueseve që është marrë drejtpërdrejtë me kërkimet në amfiteatrint e Durrësit thekson se mozaikët datojnë në shek. VI dhe janë më të vonshëm se ndërtimi i kapelës. Në panelin e murit jugor përveç figurës së Shën Stefani, që është indentifikuar nga mbishkrimi, ajo dallon në qendër të tablosë së dytë, një figurë e paidentifikuar njerëzore me veshje dhe sende perandorake (shtiza me kryq dhe glob). Ndërsa rrethohet nga dy kryengjëjt dhe poshtë tyre figurat më të vogla të patronëve, burrë dhe grua, shoqëruar nga mbishkrimi ‘’O zot ndihmoje shërbëtorin tënd Aleksandër’’19.
Ndërkohë edhe mozaiku i dytë dhe figurat e tij kanë prodhuar po kaq diskutime dhe debate. Lidhur me këtë arkeologu Neritan Ceka identifikon se dy figurat anësore janë Sofia (dituria) dhe Irini (paqja), ndërsa në këmbët e figurave qëndrore dallohen dy figura të vogla njërëzore20. Lidhur me argumentin se këto dy figura të mëdha, janë Sofia dhe Irini, bie dakort edhe Moikom Zeqo. Ndërsa për dy figurat e vogla poshtë tyre ai thekson se janë ktitorët, të cilët janë paraqitur në mënyrë të njëjtë edhe në mozaikun e panelit tjetër21.
Ndërsa por për figurën që është ngjitur me Shën Sofinë e cila është edhe e ruajtur më mirë në këtë mozaik kemi disa hipoteza interesante. Zhanin Reynes Zhando në shkrimin e saj, ‘’Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut’’, aludon se figura kryesore e këtij mozaiku mund të jetë ajo e Krishtit22. Një fakt të tillë e pranon edhe Moikom Zeqo në shkrimin e tij Maria Andaloro, ‘’Mozaikët parietalë të Durrësit ose të origjinës kostandinopojase me temën ikonografike të Marisë Mbretëreshë’’, botuar në vitin 1983, në nr. 1 të revistës Iliria. ‘’Ky çift burrë dhe grua me të njëjtat përmasa, po në plan të dytë, poshtë, paraqitet edhe në panelin e dytë mozaikor, ku midis kryeëngjëjve, Sofisë dhe Irenës, duhet të ishte logjikisht figura e Krishtit’’, thekson Zeqo në këtë rast23.
Në këtë mozaik, Lida Miraj, identifikon një figurë femërore me rroba perandorake, të rrethuar nga dy kryengjëj, në këmbët e të cilëve ndodhen dy figura të paidentifikuara patronësh, një mashkulli dhe një femre. Kurse në skajet e panelit ndodhen Irena dhe Sofia të identifikuar nga mbishkrimet përkatëse24.
Ndërkohë studjuesit dhe specialistët e fushës debatojnë edhe për stilin e mozaikëve të kësaj kapele. Grupi i parë në këtë rast shikon te këta mozaikë ndikimet e artit të mozaikëve bizantinë dhe ravenas. Ktë tillë janë Nicole Tierri e cila thekson se ‘’Elementët protobizantinë ose ravenase të shekullit VI dhe elementët romakë të shekullit VII dallohen pa vështirësi’’25. Në këtë rast, Moikom Zeqo e përforcon këtë mendim kur thotë se ‘’elementët bizantine, ravenase, që dallohen pa vështirësi në mozaikët e Durrësit’’26.
Grupi i dytë i studjuesve shikon te këta mozaikë vetëm ndikimin e stilit bizantin. Lidhur me të, Maria Andoloro, nënvizon faktin se ‘’Maria Mretëreshë e Durrësit nuk është rezultat i formulimeve ikonografike romake, perëndimore, por i faktit që kjo temë, ky motiv ikonografik ekzistonte prej kohësh në Bizant’’27. Ndërsa një tjetër studjues, J. Kastrilo, e etiketon atë ‘’… si të njëhkohshëm me Heraklidët apo me fillimin e periudhës pasikonoklaste’’ në Bizant28. Me këtë grup bashkohen edhe studjuesit shqiptar të artit mesjetar. Kështu, Hasan Nallbani mendon se elementët që mbizotërojnë tek këta mozaikë ‘’… lidhet me përpjekjet për krijimin e një stili klasik bizantin që shfaqet gjatë shek. X dhe XI’’29. Ndërsa Dhorka Dhamo, thekson se ato ‘’përfaqësojnë stilin bizantin të formuar’’30.
Të tilla janë debatet e prodhuara që nga viti 1966 kur nisën gërmimet arkeologjike në amfiteatrin e Durrësit, të cilat zbuluan edhe dy mozaikët e rrallë paretialë. Pavarësisht diskutimeve të ndryshme mund të themi se paraklisi dhe mozaikët i përkasin periudhës së shek. VI-X, kohë kur Durrësi ishte një nga qëndrat e rëndësishme të krishtërimit në Adriatikun Lindor. Ndërsa pyetjes se nëse ky objekt kulti i kushtohet Shën Astit nuk mund ti përgjigjemi me argumente bindëse. Dëmtimet e figurave dhe mbishkrimeve nuk na e mundësojnë një gjë të tillë pavarësisht rastit analog të paraklisit të këtij amfiteatri me atë të Salonës. Ndërkohë që nuk përjashtohet rasti se një prej faltoreve të para kristiane të Durrësit ti jetë kushtuar këtij shenjti. Prova në e vjetër në këtë drejtim na vjen nga mesjeta e vonë, kur në bazë të një dokumenti raguzian, katedralja e Durrësit, i kushtohej Shën Astit dhe Shën Isaurit31.
Gjithsesi pajtohemi me mendimet dhe konkluzionet e shumicës së autorëve të mësipërm, të cilët, çelësin e zgjidhjes së këtij problemi e shohin tek gërmimet e ardhshme arkeologjike në këtë amfiteatër.
………………………..
1-Koço Miho, Amfiteatri i Durrësit, SH. B. ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1984, f. 23, 41
2-Lida Miraj, Amfiteatri i Durrësit, Iliria, 2, Tiranë 1986, f. 167; Ndeshjet e gladiatorëve u ndaluan përfundimisht nga perandori Anastas (491-5)
3-Anthony Bryer, Kultet e tre shenjtorëve martirë në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 53; Propylaeum ad Acta Sanctorum, Novembris, Sp. 797, 801, 806
4-Daniele Farlati, Ilyricum Sacrum, II, f. 374; Andrea Llukani, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, nga vitet apostolike deri në ditët tona, Tirane 2005, f. 8-9
5-Vangjel Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 39-40
6-Në librin e tij ‘’ Amfiteatri i Durrësit’’ autori Koço Miho thekson se ky monument u zbulua në mënyrë rastësore nga restauratorët e Institutit të Monumenteve Të Kulturës në pranverën e vitit 1966 (f. 7-8). Ndërsa gërmimet arkeologjike për zbulimin e amfiteatrit nisën në maj 1966 nga punonjësit e muzeut të Durrësit nën drejtimin e Vangjel Toçit
7-Aleksandër Meksi, Kishat Shqipërisë së Mesme e të Veriut, Monumentet, 1, Tiranë 1984, f. 112; Vangjel Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monymentet, 2, Tiranë 1971, f. 37-42
8-Vangjel Toçi, Amfiteatri i Dyrrahit, Monumentet, 2, Tiranë 1971, f. 40
9-Po aty, f. 40
10-Anthony Bryer, Saint Asteios and the Amphitheatër in Dyrrhachion, Thymiana, Athen 1994, II, f. 41-45
11-Helmut Buschhausen, Durrësi dhe fillimet e krishtërimit në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 100
12-Alain Ducellier, Dernieres decouvertes sur des sites albanasis du Mouen Age, Archeologia, 7-8, Paris 1975
13-Nicole Thierry, Une mosaique a Dyrrachium, Cahier Arkelogiques 1968, XVIII
14-Zhanin Reynes Zhando, Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut, Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 225-228
15-Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986
16-Dhorka Dhamo, Aspekte të artit paleokristian në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 129-131
17-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 273-274
18-Moikom Zeqo, Teodora e Justinianit në Mozaikun e amfiteatrit të Durrësit, Hulumtime arkeologjike, Albanopol, 2009, 147-152
19-Lida Miraj, Amfiteatri i Durrësit, Ilira, 2, Tiranë 1986, f. 151-169; Lida Miraj, Kishëza e krishtërimit të hershëm në amfiteatrin e Durrësit, Art e Trashëgimni, 7, 2016, f. 86-87
20-Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 273-274
21-Moikom Zeqo, Teodora e Justinianit në Mozaikun e amfiteatrit të Durrësit, Hulumtime arkeologjike, Albanopol, 2009, 147-152
22-Zhanin Reynes Zhando, Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut, Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 225-228
23-Moikom Zeqo, Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986, Iliria, 1, Tiranë 1989, f. 283-286
24-Lida Miraj, Kishëza e krishtërimit të hershëm në amfiteatrin e Durrësit, Art e Trashëgimni, 7, 2016, f. 86-87
25-Zhanin Reynes Zhando, Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut, Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 228
26-Moikom Zeqo, Maria Andaloro, I Mosaici parietali di Durrazzo o dell’origine costantinopolitano del tema iconografico di Maria Regina, Mainz 1986, Iliria, 1, Tiranë 1989, f. 285
27-Po aty, f. 284
28-Zhanin Reynes Zhando, Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit të Dyrrahut, Iliria, 1, Tiranë 1983, f. 228
29-Po aty, f. 228
30-Dhorka Dhamo, Aspekte të artit paleokristian në Shqipëri, 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, KOASH, Tiranë 2003, f. 131
31-J. Radonic, Dubrobacka akta i povelje (Acta et Diplomata Ragusana) Zbornik sa istorija I, 1934, f. 115
Abstrakt
Si objekti më i madh arkeologjik në Shqipëri, amfiteatri i Durrësit fsheh në vetvete enigma të shumta. Një prej tyre është edhe ajo se kujt i dedikohet paraklisi (kapela) i ndërtuar nën shkallaren e braktisur të tij. I ngritur gjatë shek VI-X, si faltore varreze, ky paraklis do të funksiononte sipas arkeologëve deri në shek XII, kur do të braktisej përfundimisht. Ndërkohë me zbulimin së bashku me amfiteatrin në vitin 1966, faltorja dhe mozaikët e saj, do të bëheshin objekte studimi dhe mendimesh të shumta. Midis hipotezave dhe ideve të ndryshme një vend të rëndësishëm edhe debati se cilit shenjtor i dedikohet ky paraklis. Shën Astit apo dikujt tjetër?! Të gjithë janë të një mendimi se gjetja e një prove të mundshme arkeologjike do ti jap fund këtij debati shkencor.
Jetëshkrim
I lindur në Fier në vitin 1973, Ilirjan Gjika, njihet si historian, studjues dhe publicist. Ka studjuar në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën Histori ku është diplomuar në vitin 1996. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues i lëndës së historisë në disa shkolla të mesme. Aktualisht është drejtor i Muzeut Historik Fier.
Ilirjan Gjika është një nga bashkëpunëtorët e shumë revistave, gazetave dhe blogerave të ndryshëm. Mjaft aktiv në trajtimin e problemeve historike edhe në median vizive, përfshirë edhe emisionet e Radio Ngjallja ‘’Udhëtim nëpër kishat e hershme të Shqipërisë’’ dhe ‘’Gjurmë të krishtera’’. Ndërkohë njihet edhe botues i disa librave në fushën e histori-arkeologjisë, dhe autor i teksteve të disa prej guidave turistike të qyteteve kryesore të Shqipërisë. Gjithashtu Ilirjan Gjika ka qenë një nga lektorët kryesorë në prezantimet e librave të autorëve bashkëkohës të huaj dhe shqiptarë.
Ilirjan GJIKA