/Parajsa; Pema e Jetës; Pema e Njohjes së të mirës dhe së keqes

Parajsa; Pema e Jetës; Pema e Njohjes së të mirës dhe së keqes

Parajsa

Kur Perëndia krijoi njeriun Ai “mbolli një kopsht në Eden, në lindje e në të e vendosi njeriun që e kishte krijuar”, na thotë Shkrimi i Shenjtë. Dhe përsëri: “dhe Zoti e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin Eden që ta punojë e ta ruajë atë”. Por çfarë ishte ky kopsht? Ai ishte një kopsht kënaqësie, që do të thotë, i kënaqësisë materiale dhe shpirtërore, një Parajsë krejt e bukur dhe krejt e hirshme. Parajsa ishte një kopsht, një kopsht në tokë, që kishte dhurata materiale dhe shpirtërore. Dhuratat materiale ishin frytet e shijshme të pemëve të shumta dhe të panumërta të bëra për njeriun për t’i ngrënë dhe për t’i shijuar dhe për tu ushqyer. Dhuratat shpirtërore ishin prania e Perëndisë dhe e Engjëjve të Tij të shenjtë, aroma e këndshme dhe hiri i pranisë Hyjnore me të cilin njeriu jetonte i lumtur dhe nëpërmjet të cilit ai do të zhvillohej “sipas ngjashmërisë”. Të gjitha këto gjëra do ta udhëhiqnin në këtë drejtim. Kështu me të gjitha mjetet në dispozicion, me dhuratat e brendshme të shpirtit “sipas shëmbëllesës” dhe me dhuratat e jashtme të Parajsës dhe gëzimeve dhe kënaqësive shpirtërore, Krijuesi i tërëmirë e drejtoi krijimin më të përsosur tokësor të Tij, njeriun, drejt përmbushjes së destinacionit të madhërishëm dhe të shenjtë: arritjen e “sipas ngjashmërisë”. Të gjitha këto mjete përbënin motivim drejt virtytit dhe shenjtërisë. Të gjitha këto gjëra mjaftonin për ta ruajtur njeriun nga rënia; bindje te Perëndia, vigjilent, me sytë e hapur të shpirtit dhe të trupit te mrekullitë e mëdha brenda natyrës së Parajsës dhe në pritjen e dhuratave dhe hireve të Perëndisë, dhe në besnikëri dhe bindje në të gjitha gjërat ndaj Atit dhe Perëndisë së Tërëshenjtë.  

 Pema e Njohjes

Shkrimi i Shenjtë na flet për dy pemë: “Pema e Njohjes” dhe “Pema e Jetës”. Të dyja ishin mbjellë në Parajsë. Pema e Njohjes përshkruhet nga Shkrimi i Shenjtë si pema e njohjes së të mirës dhe të keqes. Kur njeriu hëngri nga fryti i kësaj peme, ai mori njohjen e përjetuar të asaj që ishte e mirë dhe të asaj që ishte e keqe. Ne thamë, njohjen e përjetuar për shkak se Adami nga natyra zotëronte njohjen teorike për të mirën dhe për të keqen; ajo ishte e lindur dhe prej natyre tek ai. Kjo njohje përfshihej në atë që ishte “sipas shëmbëllesës”, që ishte urtësia dhe dituria e tij, dhurata e tij për të bërë dallimin. “Adami i dallonte të dyja këto gjëra (të mirën dhe të keqen)”, thotë Shën Joan Gojarti, dhe “ishte e pamundur për atë të mos njihte as të mirën dhe as të keqen”. Sepse “që në fillim, sapo Perëndia e krijoi njeriun, vendosi brenda tij ligjin natyror” “sepse ndërgjegjja na artikulon dhe na mëson njohjen e së mirës dhe së keqes; sepse ne nuk kemi nevojë të mësojë se kurvëria është e keqe dhe vetëpërmbajtja është e mirë, sepse ne e dimë këtë që nga fillimi”. Kështu që njeriu e dinte që në fillim të krijimit të tij çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe; çfarë ishte dobiprurëse për të dhe çfarë ishte e dëmshme dhe shkatërruese. Por kjo njohje ishte nga ana teorike. Pra ai posedonte njohje por jo përvojë. Kur ai më pas hëngri nga pema, ai mori njohjen praktike me anë të përvojës së tij. Ai kuptoi se mëkati me të vërtetë ishte i hidhët  dhe se e keqja dhe mosbindja shkaktojnë dëm dhe shkatërrim moral dhe fizik. Më parë, Adami e dinte se “bindja ishte e mirë dhe mosbindja e keqe”. Por, “kur provoi prej pemës së njohjes dhe u përzu nga Parajsa dhe u largua nga lumturia ai e kuptoi të gjithën më qartazi”. Ai përjetoi të keqen dhe mori njohjen praktike të saj. Nëpërmjet kësaj përvoje të gjërave ai kuptoi se sa e bekuar ishte bindja dhe sa shkatërrimtare ishin pasojat e mosbindjes. Si për shembull, kur një njeriu që ka pasur shëndet të mirë i vjen një sëmundje e rëndë dhe si pasojë ai vuan, atëherë nga kjo përvojë e re e bën atë të kuptojë se çdo të thotë të kesh shëndet të mirë dhe se si duhet ta ruash atë. Pema e njohjes nuk kishte ndonjë ndryshim nga pema e tjera. Ajo ishte si një prej pemëve të pafund që gjendeshin në Parajsë. Ajo nuk ishte e keqe, e dëmshme ose shkatërruese. Në fakt nuk ishte faji i saj që erdhi vdekja por mosbindja e Adamit, me ngrënien e frytit të saj, që solli vdekjen.

Pema e Jetës

Tani le flasim për Pemën e Jetës. Duket se kjo pemë dhuronte pavdekësi. Kjo nënkuptohet nga emri i saj “Pema e Jetës” – një pemë që posedonte dhe dhuronte jetë – dhe kjo është e qartë edhe nga vet fjalët e Perëndisë pas rënies së Adamit: “Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t`i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë”. (Zanafilla 3:21). Por se si ishte tamam kjo Pemë e Jetës ne nuk e dimë. Ajo është e mbuluar me mister. Shkrimi i Shenjtë nuk na thotë gjë tjetër përveç atyre që sapo thamë. Kështu që nuk kemi asnjë shpjegim autentik. Megjithatë ne dimë që ishte një pemë frytet e së cilës përmbanin pavdekësi. Dhe ndërsa pemët e tjera shërbenin për të ushqyer Adamin, kjo pemë shërbente për të parandaluar vdekjen e Adamit, për ta mbajtur atë me frytet e saj gjithmonë të ri dhe të pavdekshëm. Pra, kjo Pemë e Jetës, kishte më tepër rëndësi dhe vlerë sesa të gjitha gjërat e tjera të kësaj bote, dhe një domethënie hyjnore, dhe dhuronte jetën tek njeriu. Ajo posedonte hirin për ta drejtuar dhe lartësuar mendjen e njeriut tek Ai, I Cili është shkaku dhe Krijuesi i të gjitha qenieve, Perëndia, për tu gëzuar bashkë me Atë.