/Pagëzimi i Zotit Tonë Jisu Krisht (Theofania) 3, 13-17

Pagëzimi i Zotit Tonë Jisu Krisht (Theofania) 3, 13-17

Qytetarë të Parajsës

Nëpërmjet Pagëzimit

“Ky është Biri im i dashur, që e kam pëlqyer” v. 17.

Shpallje madhështore! Qielli i drejtohet dheut. Dëgjohet Ungjilli para se të shkruhet Ungjilli. Lajmi më tronditës dhe, njëkohësisht, më ngazëllues. Shfaqet dhe prezantohet në botë Krishti, personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, si Perëndi dhe Mesia, ndërkohë që, Ati qiellor shpall njësimin e Tij dhe dëshmon për Birin e Tij të vetëmlindur dhe Shpirti i Shenjtë, “në formë pëllumbi”, paraqet dhe siguron “vërtetësinë e fjalës”. Perëndia gjendet tashmë midis njerëzve me qëllim shpëtimin e tyre.

* * *

Sot, Kisha jonë kremton ngjarjen më të madhe të shpëtimit mbarëbotëror, të shfaqjes hyjnore (Epifanisë) të Perëndisë. Përderisa Biri dhe Fjala e Perëndisë veshi Adamin e vjetër, domethënë u bë njeri, dhe pasi kreu gjithë sa i detyronte ligji i Moisiut, shkoi tek Joani, profeti i madh, që të pagëzohet. Por Joani e pengoi duke i thënë: “Unë kam nevojë të pagëzohem prej Teje, të pamëkatshmit, dhe Ti vjen tek unë, që të marrësh pagëzimin?” v. 14. Por, kur dëgjoi nga Zoti: “Lëri tani kundërshtimet dhe mos sill vështirësi, se në këtë mënyrë duhet të përmbush çdo urdhër të Perëndisë.” v. 15. E lejoi të pagëzohet. Dhe sapo Krishti u pagëzua, shenjtëroi gjithë natyrën e ujërave dhe, pasi dërrmoi krerët e dragonjve dhe varrosi në ujërat e Jordanit çdo mëkat të njerëzve, doli, menjëherë, nga uji: Kështu, pra, Zoti ynë Jisu Krisht, ripërtëriu dhe rigatoi njeriun e vjetëruar nga mëkati dhe i fali Mbretërinë Qiellore.

Pagëzimi i Zotit është një fakt. “Fenomeni është tokësor, por kuptimi i tij kapërcen qiejt”, thotë një nga himnet e sotme. Çfarë nënkupton? Misteri i Jordanit, është zbritja më e thellë e Zotit në Jordan ashtu si ndodhi më parë në Shpellë. Është deklarimi se kishte ardhur në botë, që të përfaqësojë dhe të falë tërë gjininë njerëzore. Është ajo që fshihet në pagëzimin e Zotit, domethënë pagëzimi i krishterë. Birësimi i njeriut të rënë nga hiri i Perëndisë. Është shpëtimi i tij, i cili filloi me Lindjen, u vërtetua me Pagëzimin, u përmbush me Kryqëzimin dhe u vulos me Ngjalljen dhe Ngjitjen në qiell të Zotit.

Dhe ashtu siç shpjegon mësuesi i Kishës, shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë: Emri “Krisht”, do të thotë Perëndinjeri, dhe deklaron jo vetëm Hyjninë përdëllyese, por edhe njerëzimin e përdëllyer. (Eortodhromio, fq.134, 148).

Në pagëzimin e Joanit, uji pastron vetëm trupin dhe simbolizon, thjesht, pastërtinë e brendshme të njeriut. Në pagëzimin e Krishterë, Shpirti i Shenjtë pastron dhe shenjtëron brendësinë e shpirtit të të pagëzuarit dhe e shndërron në “krijesë të re” 2 Korinthianëve 5, 17. Për çdo të krishterë të pagëzuar, pagëzimi i krishterë, thotë shën Pavli, është “larje rilindjeje dhe ripërtëritjeje, që Shpirti i Shenjtë kryen në ne” Titit 3, 5. Me këtë larje, i transmetohet njeriut, që pagëzohet, vetë jeta e Perëndisë. Jetë shenjtërie, jetë drite, jetë gëzimi dhe paqeje, dhe dëfrimi shpirtëror, dhe lumturi, që fillon nga toka dhe arrin në përsosmërinë e saj, në qiell.

Prandaj dhe Etërit e Kishës, shën Vasili i Madh, shën Grigor Teologu, e quajnë pagëzimin e krishterë: “Çlirim nga robëria. Vdekje e mëkatit. rilindje e shpirtit, këmishë e ndritshme, shkaktare e trashëgimit të Mbretërisë së Qiejve, dhunti e birësimit. Bazë e besës, çelës të Mbretërisë së Qiejve.” Është aq i nevojshëm pagëzimi i krishterë, saqë Zoti duke na shfaqur këtë nevojshmëri, na thotë: “Ai që do të besojë dhe do të pagëzohet, do të shpëtojë” Marku 16, 16. Dhe Nikodhimit, nxënësit të natës, i tha: “Ai që nuk lind nga uji dhe nga Shpirti i Shenjtë, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” Joanit 3, 15. Por, fatkeqësisht, shumë herë, e harrojmë këtë dhuratë të madhe dhe këtë hir, që na dha Perëndia. Dhe, ndërkohë, që me misterin e Pagëzimit dhe të Mirosjes, siç thotë shën Pavli, “u lamë, u shenjtëruam dhe u bëmë të drejtë në emër të Zotit Jisu Krisht dhe nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë” 1 Korinthianëve 6, 11, ndërkohë që, u falën gjithë mëkatet tona dhe u bëmë të pastër, të qashtër, si zambaku, u bëmë të bardhë si dëbora, shumë herë, përsëri, pas pagëzimit mëkatojmë; shëmtojmë dhe ndotim këmishën e ndritshme të shpirtit tonë.

Nga pakujdesia dhe fajësia jonë, mbijnë dhe rrënjosen brenda nesh, ligësi dhe pasione, dhe zakone mëkatare. Padrejtësi, dhe gënjeshtra, dhe mashtrime, dhe zili, dhe shpifje, dhe dinakëri, zemërime dhe urrejtje trazojnë dhe tronditin, shumë herë, shpirtin tonë dhe jetën tonë. Dhe arrijmë në pikën të themi për veten tonë: “Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup, që po më tërheq drejt vdekjes?” Romakëve 7, 24.

* * *

Çfarë do të bëjmë, pra, që të çlirohemi nga kjo situatë? Natyrisht, nuk mund të pagëzohemi përsëri, sepse misteri i Pagëzimit nuk përsëritet. Por, lavdi Zotit, ekziston zgjidhje; ekziston misteri tjetër i Pendimit dhe Rrëfimit, të cilin dhembshuria dhe dashuria e Perëndisë na e vuri në dispozicion dhe nëpërmjet të këtij misteri na falet çdo faj dhe çlirohemi nga të gjitha mëkatet, që bëmë pas pagëzimit.

Rrjedhimisht, që të gjejë njeriu shpëtim, nevojitet të pranojë dhe të shijojë “Hirin shpëtues të Perëndisë, që iu shfaq të gjithë njerëzve” Titit 2, 11. “Shijoni dhe shihni, se Zoti është i mirë”, na këshillon psalmisti i hirshëm. Psalm 33, 9. Ta pranojë njeriu Zotin Krisht dhe ta vendosë në qendër të zemrës së tij dhe jo në trotuar. Atëherë do të kuptojë përfundimet e këtij Hiri hyjnor. Atëherë do të mund të thotë bashk me shën Pavlin: “Nuk jetoj më unë, por Krishti rron tek unë” Galatianëve 2, 20.

Nëse, të gjithë ne, nuk do të pastrojmë brendësinë tonë, nuk do të hedhim tej shumicën e mëkateve tona, që përbën kujdesin kryesor të të gjithëve ne, nuk mund të pranojmë Jisu Krishtin brenda nesh. Për sa kohë, që ne e heqim shikimin tonë nga vetja jonë e brendshme dhe kujdesemi për gjëra të tjera të jashtme, lavdidashje, famë, kënaqësi, frymën e botës dhe shumë të tjera, aq më tepër i ligu fut bishtin e tij brenda zemrës sonë, dhe përpiqet me dredhëri të na largojë nga qëllimi kryesor, që është pendimi, pastërtia e shpirtit, nëpërmjet, larjes së Pendimit dhe të Rrëfimit dhe Falënderimit hyjnor.

T’i pastrojmë mendimet tona, fjalët tona, veprat tona, gjithë jetën tonë, me lindjen e Vitit të Ri. Kështu do të mundemi të bëhemi njerëz të rinj, në vend të njeriut të vjetër, që prishet dhe ecën sipas dëshirave tona të mashtrimit. Atëherë do të ndjejmë brenda nesh Hirin e Perëndisë të përmbushë zemrat tona, të na mbështesë, të na forcojë, të na hyjnizojë. Këtë rrugë të Zotit përshkuan Apostujt e shenjtë, Dëshmorët e kurorëzuar, Etërit hyjprurës dhe u bënë “të fuqishëm në luftë” Hebrenjve 11, 34, dhe u treguan fitimtarë kundër mëkatit. Të mos ngjajmë me gjethen e pemës, që fryn era dhe e vërtit majtas djathtas. Por, të jemi të qëndrueshëm si guri. Të mos e ndërtojmë banesën e shpirtit tonë mbi rërë, por, në banesën e shpirtit tonë, si themel të vendosim Krishtin dhe ta mbështesim tek besa dhe e vërteta e Tij.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Perëndia Triadik, i Cili sot në ditën e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht, është Ai që ofron Hirin, qetësinë tek njeriu, gëzimin, dashurinë, paqen dhe faljen. Ai është Perëndia, që mund ta shndërrojë tokën në një parajsë tokësore. Vetëm Ai mund të na rilindë dhe të na bëjë të gjithë të denjë të trashëgojmë Mbretërinë e Qiejve. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 06.01.2019