Origjina e Shpirtit të Njeriut
Nga ajo çfarë kemi thënë deri tani, ne të gjithë e kuptojmë prej nga vjen trupi i njeriut. Një trup lind tjetrin. Trupi i fëmijës (material dhe trupor) trashëgohet nga ati i tij. Por nga buron shpirti i njeriut, dhe si lind ai tek çdo njeri? A është shpirti një krijim i drejtpërdrejtë i Perëndisë? A e krijon Ai secilin shpirt individual për çdo qenie njerëzore si në rastin kur Ai krijoi njeriun e parë, që sipas Shkrimit të Shenjtë, Perëndia i dha frymë jete në vrimat e hundës Adamit? Sepse shkruhet, Perëndia “i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë”; apo shpirti transmetohet nga njëri tek tjetri – sigurisht sipas vullnetit të Perëndisë por gjithashtu me bashkëpunimin e njeriut në proces? E vërteta është që kjo është një mister i madh të cilës nuk mund t’i japim zgjidhje. Shembulli i dytë është ndoshta ai që qëndron. Shpirti i Shenjtë, që është Perëndi, e krijon shpirtin me kontributin dhe bashkëpunimin e njeriut (të prindërve). Në këtë mënyrë dikush mund të shpjegojë transmetimin e mëkatit fillestar dhe karakterin e tij trashëgues, rreth të cilit do të flasim më vonë. Kjo mund të jetë e besueshme për faktin se një rrënjë e dobët lind një pemë të dobët me degë të dobëta dhe frute të dobëta. Prandaj ne mund të themi gjithashtu se, ashtu si në rastin e transmetimit të shpirtit nga Adami, njeriu i parë, dhe më pas nga secili prind pasues tek fëmijët e tij dhe bashkë me të transmetimin e mëkatit dhe pasojave të tij, gjithashtu shpëtimi i njeriut mëkatar nga një dhe i vetmi Shpëtimtar, Zoti ynë Jisu Krisht, paraardhësi shpirtëror, ofrohet nëpërmjet hirit tek të gjithë besimtarët – me një dallim të madh: çdo njeri në mënyrë të pavullnetshme dhe të pandërgjegjshme trashëgon mëkatin dhe fajin nga prindërit e tij; megjithatë i Krishteri mund të shpëtohet, nëse ai dëshiron, nga Zoti Krisht vetëm nëse ai e beson Atë dhe e do me gjithë shpirtin e tij. Kështu, Adami, ati i racës sonë, ishte joshpirtëror (natyror) dhe i mëkatshëm; si pasojë e gjithë raca njerëzore është joshpirtërore (natyrore) dhe e mëkatshme, duke qenë se mëkatari lind mëkatarin. Paraardhësi i dytë, Jisu Krisht, është shpirtëror (frymor), i shenjtë dhe burimi i shenjtërisë. Rrjedhimisht, raca e Tij, raca e të Krishterëve, është e shenjtë dhe shpirtërore (frymore). Të gjithë ata që besojnë çiltërsisht tek Ai dhe e ndjekin Atë me gjithë vullnetin e tyre janë të rilindur nëpërmjet hirit hyjnor në një jetë të re të Frymës dhe bëhen, për shkak të trashëgimisë shpirtërore, frymorë dhe të shenjtë gjithashtu. Ky është mësimi i Shën Pavlit. Prandaj kjo është një dogmë e shenjtë dhe një e vërtetë e shenjtë e Kishës sonë. Shën Pavli gjithashtu thotë, këtë herë në mënyrë të kundërt: që ashtu si të gjithë mëkatarët kanë një paraardhës, Adamin e parë, po kështu të gjithë njerëzit shpirtërorë (frymorë) kanë një paraardhës të vetëm, Adamin e dytë, Zotin tonë Jisu Krisht. Apostulli na thotë në Letrën e parë dërguar Korinthasve kapitulli 15:45-49: “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është shpirt që jep jetë. Por frymori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymori. Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli. Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët. Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit”.