/Një Synim i Denjë për Jetën e Njeriut – E Diela e III e Mateut – Hirësi Ignati

Një Synim i Denjë për Jetën e Njeriut – E Diela e III e Mateut – Hirësi Ignati

E DIEAL E III E MATEUT (Mateu 6, 22-33)

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E MARTË, 9 KORRIK 2019

Një Synim i Denjë për Jetën e Njeriut

“Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e Tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve” v. 33.

Njeriu është një lypës. Dhe i varfëri, është lypës, por edhe i pasuri. Të gjithë lypin. Të gjithë janë të pakënaqur. Kërkon ai, që privohet nga gjërat e nevojshme për jetën; do që t’i ketë. Kërkon dhe ai, që ka mjaft; do që t’i shtojë. Njeriu kërkon të ketë sa ka tjetri dhe akoma më shumë. Do ta arrijë. Në mendjen e tij çdo njeri ka një listë kërkesash.

* * *

Synimet, që kanë zakonisht njerëzit për jetën e tyre dhe për jetën e fëmijëve të tyre, janë synime me qëllime horizontale: një art, një diplomë, një martesë. Në epokën tonë materialiste, të gjithë ne, ngjajmë me hebrenjtë e robëruar në Egjipt, që ishin vazhdimisht të kërrusur në tokë duke bërë plitharë. Ndërtojmë një kullë të Babelit, me baltë, me lot, me djersë dhe me gjak.

Shprehja, “kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë”, që është Krishti, është një ftesë për një qëllim vertikal. Të gjitha synimet e tjera, pa këtë përqasje drejt qiellit, janë përpjekje prej të robëruarish. Ftohemi të korrigjojmë synimin e jetës sonë. Synimi i jetës sonë e kapërcen atë çfarë jemi në këtë moment, apo atë që do të bëhemi. Është më tepër se shëndeti, arsimi, përparimi në jetë.

Kuptimi i “Mbretërisë”, zakonisht e çon mendjen tonë tek mbretërit dhe të nënshtruarit, në perandori dhe pushtime.

Njeriu kërkon të nevojshmet për jetën. Nuk bën ndonjë të keqe, që i kërkon të gjitha këto. Por, të gjitha këto, në cilësinë e tyre më të mirë, na i jep Perëndia, burimi i të mirave; kur më parë t’i kërkojmë produktet e reja, që pruri i Biri i Tij në botë. Dhe produkti i parë i dashurisë së Perëndisë, është Mbretëria e Perëndisë. Për këtë u mishërua Biri dhe Fjala e Perëndisë, Jisu Krishti.

Ai, që kërkon së pari dhe mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë, siguron të mirat e nevojshme, që i dhuron përkujdesja e Perëndisë. “Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e Tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve” v. 33.

Mbretëria e Perëndisë është një botë e re, që jeton brenda botës ekzistuese. Krishti e filloi predikimin e Tij me Mbretërinë e Perëndisë: “Pendohuni, sepse u afrua Mbretëria e qiejve” Mateu 4, 17. Shënon dhe Ungjillori i hirshëm se: “Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, edhe duke predikuar ungjillin e Mbretërisë, edhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.” Mateu 4, 23.

Është një regjim, që nuk imponohet me dhunë. Mbretërinë e Perëndisë e jetojnë si një fakt brenda zemrës së tyre, ata që janë besimtarë. Prandaj dhe Zoti tha: “ja Mbretëria e Perëndisë tek është në mes jush” Luka 17, 21. Pakë janë ata, që e jetojnë Mbretërinë e Perëndisë, por, këta pakë, përbëjnë stolinë e botës. “Ashtu siç është shpirti për trupin, kështu janë dhe për botën të Krishterët”, që kanë mall dhe e jetojnë si realitet Mbretërinë e Perëndisë, thotë në lidhje me këtë Letra drejtuar Diognitit, një tekst i hirshëm i krishterimit të parë. Janë brumi i bekuar. Nga ana e masës, brumi është i paktë, por duke u ngjeshur me miellin përhapet kudo. Pak janë të krishterët e Mbretërisë së Perëndisë, por këta pak mund të brumosin tërë botën.

Krishti themeloi në tokë Mbretërinë e Tij. Dhe mbretëria e Tij është Kisha. Të gjithë mbretërit dhe prijësit e botës bien. Vetëm Një Mbret mbetet gjithmonë i fronëzuar në zemrat e besimtarëve. Asnjë fuqi nuk mund ta çfronëzojë. Është Jisu Krishti. “Dhe Mbretëria e të Cilit nuk do të ketë mbarim” Luka 1, 33. Por, si mund të bëhet realitet, mundësia e hyrjes në mbretërinë e Perëndisë, që erdhi si rezultat e shfaqjes me trup të Jisu Krishtit? Përgjigjen e dha vetë Zoti Krisht; i Cili qartësoi: “Me të vërtetë po ju them juve, në mos u kthefshi e të bëheni si fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Ai që të përulë pra veten e tij si ky fëmijë i vogël, ky është më i madh në Mbretërinë e qiejve.” Luka 18, 3-4.

Në mënyrë shumë të thjeshtë thotë të njëjtën gjë dhe shën Agustini: “Mbretëria e Perëndisë e ka derën të ulët, që të hysh, ose duhet të jesh fëmijë, ose duhet të përulesh”. Të qënët fëmijë, për të cilën flet Zoti, por edhe siç komentoi ati i hirshëm që përmendëm, ka lidhje me botën e virtyteve, në të cilën marrin pjesë, ndoshta, dhe pa e kuptuar, fëmijët e vegjël, për shkak të pafajësisë, që karakterizon moshën fëmijnore. Hyrja në Mbretërinë e Perëndisë “është pasojë e dashurisë së Perëndisë, për hir të Zotit Krisht, e cila është përgatitur t’u jepet shërbëtorëve të Tij besimtarë dhe të përkushtuar”, siç vëren shumë saktë Avá Marku. Evergjetinos, vol. 3. fq. 294.

“Mbretëria e Perëndisë është jetë pranë Krishtit. Jetë sipas dëshirës së Tij. Që kur Perëndia u bë njeri dhe jetoi midis nesh, kemi mundësinë të jetojmë bashkë me Të, domethënë të jetojmë brenda Mbretërisë së Perëndisë.” Ieromonak Grigori, Hyjlindësja e Përmbishenjtë, fq. 174.

Ka ardhur koha, që të krishterët të mësojmë, cilat gjëra vlejnë më shumë dhe cilat më pak. Me ato që përmendëm më sipër kuptohet lehtë se nuk i mohojmë si të pavlera dhe të tepërta gjithë elementet materiale të jetës sonë, por duhet edhe t’i pozicionojmë gjërat ashtu siç do Perëndia, të vendosim një hierarki të drejtë.

Detyra jonë e parë, pra, është adhurimi i Perëndisë Triadike brenda Kishës sonë Orthodokse. Ky adhurim do të ndriçojë mendjen tonë, që të kuptojmë sa e madhe është vlera e shpirtit tonë. Synimi ynë, pra, duhet të jetë kërkesa jonë e zjarrtë për Mbretërinë e Perëndisë, themelimi i saj në shpirtrat e të gjithë njerëzve. Në organizimin e jetës sonë kishtare dhe veprimtarisë sonë, është prezent, në mënyrë të padukur, Mbreti ynë i përjetshëm. Na kërkon t’i nënshtrohemi Atij, ta rregullojmë jetën tonë sipas vullnetit të Tij:

Me pjesëmarrjen tonë të sinqertë në Misteret hyjnore, në adhurimin hyjnor, të tregojmë sa e thellë dhe e paanë është dashuria jonë ndaj Tij. Dhe rezultat i kësaj dashurie, të jetë dashuria praktike për të afërmin tonë, që qëndron pranë nesh si bir i Perëndisë dhe vëllai ynë më Krishtin. Lufta jonë e vazhdueshme dhe e përhershme të jetë fitimi i virtytit dhe përparimi ynë moral dhe i përsosur; çlirimi nga prangat e materies, të të mirave që prishen dhe të zakoneve mëkatare.

Ushqimi ynë i përditshëm i shpirtit le të jetë lutja, domethënë komunikimi ynë i ëmbël me Perëndinë dhe studimi i Shkrimit të Shenjtë. “Leximi i Shkrimit të Shenjtë, është hapja e qiejve”, na vërteton shën Joan Gojarti.

Shën Joani Kronshtandit na këshillon: “Emri i krishterë, është shumë i çmueshëm dhe do të thotë se jam pjesëtar i trupit të Krishtit, domethënë, i Kishës. Të qënët vëlla i Krishtit, sipas hirit, më detyron të kem gjithmonë Krishtin brenda zemrës sime, të ujitë jetën time me Frymën e Tij, të imitojë jetën e Tij, të zbatojë porositë e Tij, të kërkojë “ato që janë lart, ku Krishti është i ulur në të djathtë të Perëndisë” Kolosianëve 3, 1.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Siç pamë, Mbretëria e Perëndisë, është një realitet në të cilin ftohemi të hyjmë që nga kjo jetë, duke luftuar në arenën e virtyteve dhe, kryesisht, të pendimit. Le të bëhemi organe të hirit dhe fuqisë së Perëndisë, që të dalë njeriu bashkëkohor nga labirinti në dritën e Perëndisë. Të dalë bota bashkëkohore nga shthurja dhe shoqëria jonë e re të bëhet një shoqëri dashurie dhe drejtësie. “O Zot, ardhtë Mbretëria Jote!”

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI