/Një Jetë Kushtuar Perëndisë

Një Jetë Kushtuar Perëndisë

I
Me hidhërim shumë të thellë e pritëm lajmin për fjetjen në Zotin të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignatit, vëllait dhe bashkëmeshtarit tonë.
Ai shërbeu me zell si predikues dhe mësues laik në Kryepiskopatën e Hirshme të Athinës. Edhe kur u hirotonis dhjakon dhe prift shërbeu me të njëjtin zell si famullitar në Kishën e Mitropolisë, si Epitrop Arkihieratik i Thivës, si predikues dhe si atë shpirtëror i asaj Mitropolie, si Igumen i Manastirit të Hirshëm të Oshënar Llukait në Livadhia, dhe i Manastirit të Oshënarit Serafim në Dhomvu.
Zgjedhja e Hirësisë për fronin e Mitropolisë së Beratit u bë më 24 qershor të vitit 1992. Ai u dorëzua episkop më 27 korrik të vitit 1996, ndërsa fronëzimi i tij u bë më 18 korrik të vitit 1998, në Berat, nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi.
Jeta e tij ishte një jetë përkushtuar Perëndisë, Kishës dhe grigjës që Perëndia dhe Kisha i kishte besuar. Shërbeu me përulësi dhe në mënyrë paqësore gjatë gjithë viteve të jetës së tij, si një atë i dashur

dhe zemërdhembshur dhe si një bari i matur dhe i urtë me grigjën e tij dhe me bijtë e tij shpirtërorë, duke i mësuar dhe këshilluar për të ndjekur një jetë sipas mësimeve të Ungjillit dhe të Etërve të shenjtë të Kishës sonë. Në vitet e fundit, ndonëse i sëmurë, e përballoi këtë sprovë dhe kryq të rëndë, me paqe, pa u ankuar dhe me besim të patundur tek Perëndia. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që e mbështetën dhe i shërbyen me devotshmëri gjatë këtyre viteve të vështira, si një shenjë e dashurisë dhe nderimit ndaj bariut të tyre.
II
Sot po i japim përshëndetjen e fundit një peshkopi të denjë dhe një njeriu të dashur. Largimi i një njeriu të dashur, për të gjithë ne, sjell dhimbje, vajtim dhe trishtim dhe do e ndjejmë mungesën e tij. Por, nuk duhet të harrojmë se ai është një pasardhës i Apostujve dhe predikues i Kryqit dhe i Ngjalljes. Prandaj ne nuk mund të trishtohemi dhe nuk mund të vajtojmë si ata që nuk kanë shpresë – siç na mëson shën Pavli, sepse tek Perëndia nuk ka të vdekur. Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve (Math. 22:32) Shën Joan Gojarti shkruan: Hebrenjtë e Dhiatës së Vjetër qanë për Jakobin dhe për Moisiun për dyzet ditë. Por, sot, gjatë varrimit të besimtarëve, Kisha ngre himne, lutje dhe psalme. Lavdërojmë dhe falënderojmë Zotin, sepse “Kurorëzoi të larguarin”, sepse “i lehtësoi dhimbjet”, sepse “e dëboi frikën” dhe ka pranë vetes besimtarin e vdekur…

Kjo është arsyeja pse ne këndojmë psalme për të vdekurit – psalme që na shtyjnë të kemi guxim dhe të mos dëshpërohemi për vdekjen e vëllait tonë. “𝑉𝑑𝑒𝑘𝑗𝑎 𝑒 𝑜𝑠ℎ𝑒̈𝑛𝑎𝑟𝑒̈𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑖𝑗 𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒̈ 𝑒 𝑛𝑑𝑒𝑟𝑢𝑎𝑟 𝑝𝑒̈𝑟𝑝𝑎𝑟𝑎 𝑍𝑜𝑡𝑖𝑡 – na thotë Psalmisti” (Ps. 115:6). Kushdo që ndjek me vëmendje himnet dhe lutjet e Shërbesës së Varrimit do të ngushëllohet. Shërbesa nuk është vetëm një mundësi për të shprehur dashurinë tonë për atë që ka fjetur; është gjithashtu një kohë e shenjtë, një mundësi për meditim të brendshëm mbi marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe mbi orientimin e jetës sonë. Gjithashtu, ne që jemi ende gjallë, lajmërohemi të jetojmë pjesën tjetër të jetës në pendim dhe me përkushtim të plotë ndaj Krishtit.
III
Të dashur klerikë, vëllezër dhe motra të dioqezës së Beratit! Në këto çaste mos u ndjeni të dëshpëruar dhe të braktisur. Sinodi i Shenjtë i Kishës sonë, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili e mbështeti dhe e ndihmoi pa kursim Mitropolitin e ndjerë, qysh në ditët e para të tij si Mitropolit i Beratit, do të jetë përsëri pranë jush, do kujdeset për ju dhe nuk do t’ju lërë jetimë.
Nga zemrat tona të prekura nga dashuria për vëllanë tonë të shtrenjtë, lutemi me zjarr që Zoti ynë Jisu Krisht, që është Ngjallja dhe Jeta (Jn. 11:25), ta prehë shpirtin e vëllai tonë, Mitropolitit Ignat, në tendat e të drejtëve, ku nuk ka dhembje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të pasosur dhe të vërtetë dhe ju të gjithë të rroni e ta kujtoni.
I përjetshëm dhe i bekuar qoftë kujtimi i tij. Amin!
Fjala e Mitropolitit të Korçës Hirësi Joani mbajtur në Shërbesën e Varrimit të Mitropolitit të Beratit Hirësi Ignatit në katedralen e Shën Dhimitrit në Berat
23 Korrik 2024