/Ngushëllime dhe Nderim për Kryepiskopin Anastas – Vizita e Kryetarit të Bashkisë Kavajë në Kishën e Shën Nikollës

Ngushëllime dhe Nderim për Kryepiskopin Anastas – Vizita e Kryetarit të Bashkisë Kavajë në Kishën e Shën Nikollës

Kisha Orthodhokse e Shën Nikollës në Kavajë priti sot me mirënjohje dhe respekt Kryetarin e Bashkisë Kavajë, z. Fisnik Qosja, i cili erdhi për të shprehur ngushëllimet dhe vlerësimet e tij për figurën e ndritur dhe veprën e paharrueshme të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos.
Z. Qosja, i shoqëruar nga nënkryetari i Partisë Demokratike të qytetit Kavajë, z. Nesti Stefa, dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Genci Gjylsheni, shprehu me fjalë të ndjera respektin e tij për veprimtarinë e Kryepiskopit Anastas, duke theksuar rolin e tij si një urë paqeje, dialogu dhe dashurie ndërmjet njerëzve, komuniteteve dhe kombësive.
Mikpritjen dhe falënderimet për këtë akt fisnik e shprehu Stavrofor At Jani Tereziu, duke theksuar rëndësinë e përbashkët të një bashkëpunimi të frytshëm mes komunitetit dhe institucioneve për të çuar përpara trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të qytetit tonë.
Kisha Orthodhokse e Shën Nikollës falënderon Kryetarin e Bashkisë dhe përfaqësuesit e tjerë të komunitetit për solidaritetin e tyre dhe për nderimin ndaj një figure të madhe të Kishës sonë dhe të kombit shqiptar.
Lavdi përjetë veprës dhe kujtimit të Kryepiskopit Anastas!