E DIELA PAS UJIT TË BEKUAR (THEOFANISË) Efesianët 4, 7-13.
“Ai që zbriti, është Ai, që edhe u ngjit sipër gjithë qiejve, që t’i plotësojë të gjitha.” v. 10.
Jehojnë akoma meloditë e gëzueshme të të kremteve dhe madje, të së kremtes së Krishtlindjes. Zemra jonë është mbushur plot nga ndjenjat e këndshme, që krijoi kujtimi i gjallë dhe falja panigjirike e ngjarjes së madhe të Trupëzimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Ai zbriti në tokë, që të ofrojë shpëtimin dhe një shumicë të panumërt dhuratash të paçmueshme për njerëzit. Në pjesën e sotme të Apostullit, nga Letra drejtuar Efesianëve, apostull Pavli na kujton përsëri misterin e Trupëzimit të Krishtit dhe rezultatet e tija shpëtuese për njerëzit.
* * *
Biri dhe Fjala e Perëndisë, Perëndia i pakuptueshëm, lë Qiellin lart dhe bëhet njeri prej balte si ne. Kjo është përulësia e skajshme, ngaqë Krijuesi merr formën e krijesës së Tij. Nuk mjaftoi vetëm kjo mrekulli e pakuptueshme, por vazhdoi edhe më poshtë nga toka në errësirën e Hadhit. Atje, ku popujt e lashtë fantazonin se mbretëron vdekja. Këtë nënkupton se Perëndinjeriu arriti në përulësinë e skajshme. I nënshtrohet vdekjes dhe madje vdekjes në kryq. Por, ngjallet prej së vdekurish dhe ngjitet në qiejt.
Që atëherë, ne
besimtarët, gjymtyrët e Trupit të Tij, Kisha e Tij, e jetojmë, si të ngjitur
dhe të zbritur. Zbritja e Krishtit na tregon madhësinë e ekonomisë dhe
zemërgjerësisë së Tij për shpëtimin e njerëzve. Dhe ngaqë u përul kaq shumë në
tokë, kur u ngjit në qiell kishte pushtet absolut, të ndajë dhunti dhe dhurata
ndaj çdo njeriu, sipas rezistencës dhe natyrës së tij. I mbushur me dashuri
erdhi pranë nesh
si mësues, si vëlla dhe si mjek.
Na foli me një interes të pastër dhe na ofroi të vërtetën. Na tregoi cila është bota shpirtërore, çdo të thotë jetë, çdo të thotë vdekje. Ashtu si ati, me shumë dashuri, mëson dhe udhëheq bijtë e tij, kështu dhe Zoti ynë perëndinjeri na foli me një tonë të ëmbël dhe me gjuhë të qashtër, duke na shfaqur, pikërisht, ato të vërteta, që ka mall shpirti ynë dhe ka nevojë absolute ekzistenca jonë.
Njëkohësisht, na qëndroi pranë si vëlla. Pati dhimbje, kur pa të paralizuar, të verbër dhe shumë të tjerë të sëmurë “dhe i shëroi ata.” Mateu 4, 19. Pjesëtoi dhimbjen e gruas së ve, që ecte e pikëlluar rëndë pas arkivolit e birit të saj të vetëm dhe të shtrenjtë, “dhe i erdhi keq për atë” Luka 7, 13;dhe e ngjalli djalin e saj të vdekur. Lotoi, kur qëndroi përpara varrit të Llazarit të vdekur dhe me zë të madh thirri; “Llazar, dil jashtë” Joani 6, 43. U ofroi shumë njerëzve shërimin. E mbushi tokën tonë me mrekulli dashurie.
Dhe e treta, më e madhja: Zoti Jisu qëndroi pranë nesh dhe si mjek i shpirtrave tanë. Lau dhe shëroi, jo vetëm plagët e trupit, por edhe plagët e thella të shpirtit tonë. A e mendojmë këtë? Zoti, që të shërojë plagët e shpirtit tonë, nuk përdori bimë dhe barna. Ofroi vetë Gjakun e Tij. Me këtë ilaç hyjnor dhe të paçmueshëm na pastroi nga çdo mëkat. Nxënësi i Tij i zgjedhur, apostull Pjetri, na thekson: “nuk u çliruat nga jeta juaj e kotë, që ju kanë lënë etërit me gjëra që prishen, me argjend ose me ar, por me gjakun e çmuar të Krishtit, si të një qengji patëmetë e të panjollë” 1 Pjetrit 1, 19.Është mjeku i vetëm, që dha vetë veten e Tij, për njerëzimin e sëmur dhe mëkatar.
Zoti Jisu, që zbriti në tokë, është i njëjti, që jeton përjetësisht në qiell. Kështu Çlironjësi ynë, Mësuesi ynë, vazhdon të na mësojë me Shpirtin e Shenjtë, që gjendet midis nesh dhe jeton në Kishën tonë dhe “na drejton në çdo të vërtetë”. Shpirti i Shenjtë nuk do na mësojë diçka të veçantë dhe të huaj nga mësimdhënia e Tij, por do ta shfaqë më të plotë dëshirën e Tij. “Do t’ju udhëheqë në gjithë të vërtetën; sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë sa të dëgjojë, edhe do t’ju tregojë juve ato ngjarje që do të vijnë. Ai do të më lavdërojë, sepse prej simes do të marrë, edhe do t’ju tregojë juve. Gjithë sa ka Ati, janë të miat; prandaj thashë, se do të marrë prej simes, edhe do t’jua tregojë juve.” Joani 16, 13-15.
Akoma, vazhdon të jetë vëllai ynë i madh, sipas hirit. Që i di dhimbjet tona dhe i shikon dhe merr përsipër të ndërmjetojë për ne dhe t’i lutet në fron Atit qiellor dhe të përjetshëm. Apostulli i Perëndisë na e thekson, veçanërisht, këtë: “Sepse s’kemi kryeprift, që të mos mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një, që u nga në të gjitha si ne, por pa mëkatuar.” Hebrenjve 4, 15. Përderisa na njeh, prandaj dhe mund të na kuptojë dhe të na ndihmojë dhe i lutet pa pushim në fronin e hirit për ne njerëzit e pafuqishëm.
Por, jo vetëm si vëlla, por edhe si mjek vazhdon të na ofrohet. Atje në fronin e Tij qiellor, ndodhet me veçorinë e Qengjit dhe qëndron “si i therur.” Apokalipsi 5, 6. Mban gjurmët e ofresës së Tij të gjakshme. Dhe këtë Gjakun e Tij e paraqet tek Ati “si shlyerje për mëkatet tona.” 1 Joanit 2, 2.Dhe derdh Gjakun e Tij në tokë, në potirin e shenjtë të Falënderimit hyjnor, dhe nga atje, tek shpirtrat tanë, që t’i rilindë dhe t’i forcojë në jetën e re të pendimit dhe të shenjtërimit.
Me prezencën e Tij mbi tokë, Zoti u shfaqi njerëzve vullnetin e Atit Perëndi, që është shpëtimi i njeriut “para krijimit të botës”. Apostull Pavli rend tek profeti David, që thotë: “Kur u ngjit Krishti në qiej, me ngjitjen e Tij, robëroi me veprën e sakrificës së Tij mbi kryq djallin dhe mëkatin, që kishin robëruar njerëzit në prishje dhe në vdekje, dhe kështu u ofroi dhuratat dhe dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë”. Psalm 67, 19.
Pikërisht, këtu gjendet çlirimi i njeriut nga pushteti i mëkatit dhe i Satanait dhe dorëzimi vullnetar i njeriut në dashurinë e Zotit, që apostull Pavli e karakterizon, si “skllavëri të vërtetë dhe shpëtuese”, skllavëri më Krishtin. Kështu Krishti, me “dhuratën” e Tij e pajis njeriun me dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë brenda në Kishë, që është trupi i Krishtit, me Pagëzimin e shenjtë dhe me Krezmimin dhe Falënderimin hyjnor, sipas shën Nikolla Kavasilas. Për jetën më Krishtin, Fjalimi i Parë.
Shpërndarja e dhuntive të ndryshme nuk është e rastësishme, por bëhet nga vetë Krishti, sipas Gjykimit të Tij të drejtë për secilin nga ne. Nuk ekziston, absolutisht, asnjë njeri, i cili nuk ka marrë ndonjë dhunti nga Zoti i pasur me dhunti dhe dhënësi i dhuntive, qoftë kjo dhunti shpirtërore, apo qoftë dhunti mendore apo trupore. Për shembull, tjetër dhunti ka mësuesi, tjetër mjeku; tjetër çdo zanatçi, tjetër bujku, tjetër çdo një nga organet e shtetit. Me dhuntinë dhe aftësinë, që ka secilido, duhet t’i shërbejmë të mirës së përbashkët. Shën Joan Gojarti vëren me saktësi: “Larmishmëria, që vihet re në ndarjen e dhuntive, nuk shoqërohet me vlerën tonë, por me gjykimin e paanshëm dhe masat, që përdor kryetari i Kishës, Jisui”.
Shën Simeoni Teologu i Ri thotë se, të gjithë njerëzit morëm dhunti. Nga ne varet, që këto dhunti të bëhen virtyte. I pasuri, të bëhet përdëllimtar. Qeveritari, i butë. Shkencëtari, i përulur. I shëndetshmi, i kujdesshëm. Kjo ka si kusht një luftë personale të përjetshme.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Biri i Perëndisë u trupëzua, që të na shpëtojë nga mëkati. Ofroi sakrificën e madhe dhe i dhuron secilitdo prej nesh dhuratat e mëdha shpirtërore: Dritën e njohjes hyjnore, Hirin e mistereve, Gjakun e Tij të çmuar dhe Trupin e Tij të pacenuar, brenda Kishës Orthodhokse, që të çlirohemi nga gjendja dhe faji i mëkatit, të ripërtërihemi dhe të bëhemi njerëz të rinj më Krishtin, të lidhemi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin nëpërmjet dashurisë së Perëndisë. Me të vërtet të paçmuara janë dhuratat hyjnore dhe shumë i lartë qëllimi i tyre.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 12.01.2020